Përdhunon pasagjeren, vihet në pranga shoferi i furgonit
SHKODËR/ Policia ka arrestuar A.Bytyçin, pas akuzës së ngritur prej tij nga një 24-vjeçare, nënë e dy fëmijëve
SHKODËR - Një 43-vjeçar, drejtues furgoni, është ndaluar nga policia e Shkodrës me akuzën e "kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë".
A.Bytyçi, banues në qytetin e Shkodrës, i cili është shofer furgoni i linjës Shkodër-Tiranë dhe anasjelltas, është ndaluar nga policia pasditen e së enjtes, pasi mëngjesin e po kësaj dite një 24-vjeçare ka bërë kallëzim penal për të, duke rrëfyer se drejtuesi i furgonit-taksi kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Sipas kallëzimit të bërë nga 24-vjeçarja, banore e Shkodrës, nënë e dy fëmijëve, ngjarja ka ndodhur të mërkurën, kur ajo ka hipur si pasagjere në furgonin-taksi që udhëtonte nga Tirana në Shkodër.
Sipas rrëfimit, në Tiranë në furgonin që vinte drejt Shkodrës, kanë hipur dhe persona të tjerë, pasagjerë. Por pasagjerët kanë zbritur në Lezhë, dhe aty 24-vjeçarja e ka parë veten si pasagjeren e vetme në furgonin që vazhdonte lëvizjen drejt Shkodrës.
Pasi e ka ngacmuar fillimisht me fjalë, drejtuesi i mjetit është ndalur në afërsi të Bushatit me preteksin se do të merrte për të pirë ujë.
Aty ai ka kryer dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me 24-vjeçaren, ngjarje që ka ndodhur rreth orës 20:00, në një kohë që në segmentin rrugor ku është ndaluar furgoni nuk ka pasur lëvizje.
E dëmtuara ka bërë kallëzimin në polici të enjten paradite dhe fillimisht është bërë shoqërimi i drejtuesit 43-vjeçar të furgonit, ndërsa pasdite është vendosur ndalimi i tij.
Arrestimi i Bytyçit është bërë, pas marrjes së përgjigjes së ekspertizës mjeko- ligjore së cilës i është nënshtruar 24-vjeçarja A.B. dhe sipas së cilës rezulton se mbi gruan e re ishte ushtruar dhunë seksuale. Nga ana tjetër, babai i katër fëmijëve ka pranuar se ka kryer marrëdhënie me gruan e re, por me dëshirën e saj.