E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PR firmosin marrëveshjen parazgjedhore

Secila parti do të garojë me kandidatët e vet. Dy partitë angazhohen dhe për bashkëpunim paszgjedhor

Çdo marrëveshje që do të përfshijë parti të tjera në këtë koalicion, duhet të ruajë parimin e neutralitetit

Pas një viti të vështirë përpjekjesh për t'u vetëpastruar nga përgjegjësia për tragjedinë e Gërdecit, demokratët dhe republikanët kanë vendosur që të jenë bashkë në një front, edhe në sfidën e ardhshme elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe pas tyre.

Dy aleatët e hershëm, Sali Berisha për PD-në dhe Fatmir Mediu për PR-në, në prani edhe të drejtuesve të tjerë të lartë të këtyre dy forcave (në ceremoni mungonte nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli), kanë nënshkruar dje në ambientet e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshjen e bashkëpunimit elektoral për zgjedhjet për në Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet së cilës angazhohen që të koordinojnë forcat dhe kapacitetet, në funksion të një fitoreje të dytë radhazi.


Marrëveshja

Dokumenti i bashkëpunimit përmban 9 pika të ndryshme, ku dy forcat nënshkruese bien parimisht dakord për partneritet para dhe paszgjedhor. Kështu, fillimisht PD-ja dhe PR-ja bien dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral, në përputhje me detyrimet që përcakton Kodi Zgjedhor dhe regjistrimin e tyre në KQZ, si subjekte përbërëse të tij.

Ndërkohë që, sipas kësaj marrëveshjeje, secila prej partive, në respektim me dispozitat e ligjit zgjedhor, do të angazhohet që të ketë listën e saj të kandidatëve për deputetë, në secilën prej zonave elektorale, si mënyra më e mirë për të maksimizuar rezultatin zgjedhor.

Kjo formë bashkëpunimi u lejon këtyre forcave, që secila të masë forcat e veta në përballjen me elektoratin, dhe nga ana tjetër, bën të mundur që të gjitha votat që s'do të mund të konvertohen në deputetë për njërën prej tyre, të mos humbasin, por t'i kalojnë partisë më të madhe në koalicion.

Gjithashtu, palët në këtë dokument bashkëpunimi, bien dakord që të përcaktojnë së bashku taktikat elektorale, për të bërë të mundur që suksesi të jetë sa më i garantuar. Në këtë funksion është rënë dakord që të ngrihet dhe një grup i përbashkët pune, i cili do të funksionojë mbi bazën e një plani veprimi dhe kalendari takimesh.

Të dyja forcat angazhohen që gjatë fushatës të ruajnë profilin e identitetin e vet, por duke mbështetur njëra-tjetrën në të gjithë procesin elektoral dhe në komisionet zgjedhore.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, këto dy forca konfirmojnë dëshirën që, në rast të fitores më 28 qershor, të zhvillojnë edhe më tej partneritetin e tyre në qeverisjen e vendit, nëpërmjet bashkëpunimit për hartimin e një programi të përbashkët qeverisës, si dhe përfaqësimin në poste politike të të gjitha niveleve qeverisëse, në përputhje me peshën politike që do të dalë nga vota popullore.

PD-ja dhe PR-ja kanë rënë dakord, gjithashtu, që të pranojnë në këtë marrëveshje dhe forca të tjera, por duke ruajtur parimin e neutralitetit dhe të mos ndikojë negativisht në garën elektorale dhe rezultatin e çdo partie.


Berisha


Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy drejtuesit e këtyre dy forcave, Berisha dhe Mediu, janë përbetuar edhe publikisht për të qenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme. Duke komentuar marrëveshjen e arritur, Berisha deklaroi se me këtë akt hidhen bazat e koalicionit që do të kërkojë të fitojë një mandat të dytë. Sikur të mos kishte ndodhur ngjarja e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, Berisha ka deklaruar se është e drejtë legjitime e këtij koalicioni të krenohet me mandatin që po lëmë pas. "Unë kam besim të plotë se ky koalicion, me PR-në dhe forcat e tjera të spektrit politik të qendrës së djathtë, u jep ritmeve të zhvillimit dhe integrimit të këtij vendi, shpejtësi që nuk janë njohur më parë", - është shprehur Berisha. Ndërsa Mediu, në fjalën e vet, duke premtuar besnikëri ndaj PD-së, ka theksuar se një marrëveshje e tillë është thjesht konfirmim i qëndrueshmërisë që ka karakterizuar këto forca, në vite me radhë.

Pikat e marrëveshjes


PD dhe PR bien dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral, në përputhje me detyrimet që përcakton Kodi Zgjedhor.

Regjistrimin e tyre në KQZ, si subjekte përbërëse të këtij koalicioni.

Secila prej partive angazhohet për të mobilizuar të gjitha kapacitetet, në funksion të sigurimit të një mbështetjeje maksimale.

Secila parti do të angazhohet me kandidatët e vet për deputet, në secilën prej zonave elektorale.

Për përcaktimin dhe zbatimin e taktikave elektorale do të ngrihet një grup pune i përbashkët, i cili do të funksionojë mbi bazën e një plani veprimi dhe kalendari takimesh.

Gjatë fushatës, secila parti do të ruajë profilin e identitetit të vet, por ato do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të mbështesin njëra-tjetrën në të gjithë procesin elektoral dhe komisionet zgjedhore.

Pas fitores së tyre në zgjedhjet e 28 qershorit, angazhohen të zhvillojnë partneritetin në qeverisjen e vendit, nëpërmjet bashkëpunimit për hartimin e një programi të përbashkët qeverisës, si dhe të përfaqësohen në poste politike të të gjitha niveleve qeverisëse dhe administratës, në përputhje me peshën politike që do të konfirmojë secila në zgjedhje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›