Tragjedia e Gërdecit bashkon klasën politike
Tragjedia e Gërdecit ka bërë që klasa politike shqiptare të lërë mënjanë luftën politike dhe të solidarizohet në bllok me dhimbjen e të gjithë të lënduarve dhe familjarëve që humbën të afërmit e tyre në këtë ngjarje. Si rrallë ndonjëherë, drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në vend, kanë ndërprerë çdo aktivitet politik dhe janë bashkuar me të gjithë qytetarët shqiptarë, për të qenë afër njerëzve të lënduar gjatë shpërthimeve të ndodhura pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme, në depot ushtarake në fshatin Gërdec, pranë Vorës. Kreu i Shtetit, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ministra dhe deputetë, kanë vizituar dje qendrat spitalore në kryeqytet, duke parë dhe ndjekur nga afër gjendjen e të plagosurve që kanë mbërritur nga Gërdeci, duke shmangur çdo interpretim politik mbi shkaqet apo përgjegjësitë për këtë ngjarje. Të gjithë drejtuesit e lartë shtetërorë dhe politikë kanë shprehur mbështetjen e tyre morale dhe fizike të organeve shtetërore, për të përballuar situatën e rëndë të krijuar qoftë në spitalet e tejmbushura me të plagosur, por edhe për familjarët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan gjatë shpërthimit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga dhe nga Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, vizitoi dje pasdite të plagosurit e shumtë si pasojë e shpërthimit tragjik në Gërdec të Vorës, në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe bëri thirrje për qetësi, duke siguruar njëkohësisht që të gjitha strukturat e shtetit janë në gatishmëri dhe po punojnë për administrimin dhe stabilizimin e situatës. Ndërkohë që edhe kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, pas vizitës që kreu në këtë Qendrën Spitalore, pasi ka shprehur mbështetje për të lënduarit, ka garantuar mbështetjen shtetërore për çdo nevojë që do të lindi gjatë zhvillimeve të mëtejshme. Ndërkohë që edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe një grup deputetësh të kësaj force, kanë qenë dje në vendngjarje, ku edhe kanë parë nga afër situatën. Po ashtu Kryetari i PS-së, Rama, bashkë me grupin e deputetëve Idrizi, Braçe, Isaraj, Harasani e Klosi, më pas kanë qenë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për të parë nga afër gjendjen e të lënduarve dhe ku kanë shprehur mbështetjen e tyre qoftë për të plagosurit, ashtu edhe për organet shtetërore, por duke shmangur çdo interpretim politik të situatës. Gjatë momentit të largimit nga spitali kreu i PS-së Edi Rama dhe deputetët qe e shoqëronin janë shkëmbyer me kryeministrin Berisha, i cili në atë moment po hynte nw ambientet e Spitalit Ushtarak për të vizituar të plagosurit. Rama: Të punojmë bashkërisht për të përballuar situatën Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe një grup deputetësh të kësaj force, menjëherë pasi mësuan mbi shpërthimet në Gërdec, pranë Vorës, janë nisur drejt vendngjarjes ku dhe kanë parë nga afër situatën e krijuar. Po ashtu, kryetari i PS-së, Rama bashkë me grupin e deputetëve, Shpëtim Idrizi, Erion Braçe, Arben Isaraj, Andis Harasani dhe Blendi Klosi kanë vizituar Spitalin Ushtarak në Tiranë, për të parë gjendjen e të lënduarve. Duke shprehur mbështetjen e tyre morale për të gjithë të plagosurit dhe familjarët e viktimave, drejtuesit e lartë socialistë kanë theksuar nevojën e solidaritetit mbarë kombëtar për të përballuar së bashku këtë situatë të rëndë. “Është një ngjarje shumë e rëndë dhe le të lutemi të gjithë, që të mos marri përmasat e një tragjedie, pasi ende nuk dimë çfarë ndodh me njerëzit që janë në zemër të ngjarjes, aty ku janë edhe shpërthimet që ende vazhdojnë dhe më tutje, pastaj të shikojmë se cilat janë masat që duhen marrë dhe të punojmë bashkërisht për të realizuar më të mirën. Është një gjendje, ju jeni vetë në ndjekje të saj, çdo sekondë e shikoni që ka konfuzion, ka pasiguri dhe mbi të gjitha askush nuk mund të parashohë, se ç’ndodh ende tani që flasim në zemër të ngjarjes”,- tha Rama pas vizitës që kreu tek të lënduarit që kishin mbërritur në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që deputetët socialistë i janë përgjigjur edhe thirrjes për dhurim gjaku. Madje grupi i deputetëve socialistë i ka propozuar Kryetares së Kuvendit, Topalli, ngritjen e një strukture emergjence për dhënien e gjakut në mjediset e Kuvendit.