Koha i kishte rezervuar brezit tonë një vepër të madhe atdhetare
Lamtumirë Alfred Zijai
Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha në telegramin e ngushëllimit që i dërgoi familjes së të ndierit Alfred Zijai, theksoi atë meritë që të tjerët e “harruan” apo nënvleftësuam se njeriu të cilit po i shtinin një dorë dhe për në banesën e fundit kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Alfred Zijai la pas gjurmë të pa shlyera jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, por edhe në historinë e lavdishme të qytetit të tij, Vlorës, prandaj është më mirë të pyesim se si rrojti ky bir i shquar i Vlorës dhe jo si vdiq në një moshë fare të re, 52 vjeçare.
Për jetën e tij heroike po flas me lot në sy në këtë shkrim.
***
Viti 1990, ishte viti që bëri epokë në historinë e shqiptarëve. Shqiptarët, u ngritën për lirinë e tyre dhe i dhanë fund sundimit të komunistëve gjakatarë. Ata hynë në udhën drejt një shteti demokratik dhe ligjor si e gjithë Europa. Në dhjetor të këtij viti në Tiranë u themelua Partia Demokratike. Vlonjatët, me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë.
E ndjenin se po afronte ndryshimi i madh. Alfred Zijai, duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon luajti një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë. Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 në Vlorë ishin strukturuar dy grupe demokratike:
Grupi i Afrim Jupit, siç u quajt më vonë nga populli, që përbëhej nga: Afrim Jupi, Manol Bono, Maksim Hitaj, Irma Halili.
Grupi i Roland Tafilit, sipas emërtimit që atij i vuri populli, përbëhej nga Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Bujar Borshi.
Ndërmjet këtyre grupeve qëndronte Alfred Zijai, me njohje dhe shoqëri me grupin e Roland Tafilit, i cili me aftësi, me autoritet dhe meritat e tij, me porosi nga Gramoz Pashkos, i bashkoi të dy grupet.
Këta nuk kishin dijeni të qarta se si do arrihej përmbysja dhe ndryshimi epokal, por ata adhuronin lirinë, kishin intuitën, dëshirën, vendosmërinë, guximin dhe trimërinë. Në kushtet e terrorit komunist, veprimtaria pothuajse zhvillohej ilegalisht.
Ata nuk e kishin zgjeruar mbledhjen për të ruajtur konspiracionin dhe pra për të mbrojtur veten. Megjithatë këta bij të denjë të Vlorës e vranë frikën, prandaj kur unë përdor fjalën guxim dhe trimëri nuk bëj asnjë hiperbolë por vetëm pohoj një realitet. Të gjithë ata që e jetuan atë kohë mizore, e dinë fort mirë se për çdo fjalë të lëshuar pa dashje apo me shaka kundër regjimit, nuk i zinte gjumi me net të tëra, se mos shoku apo miku i spiunonte, se mos vëllait apo motrës i shkiste goja dhe përfundoje në burg.
Koordinatori i dy grupeve, Alfred Zijai, pasi kishte biseduar me profesorin e ekonomisë, Gramos Pashko dhe kishte marrë prej tij miratimin që të vinin të deleguar nga Tirana, për formimin e Komisionit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, caktoi ditën e shtunë më 29 dhjetor 1990 të takoheshin në shtëpinë e tij.
Autori i këtij shkrimi, e njihte mirë çiftin e bukur Zijai, Kujtimin dhe Irfanen, Çifti ishte prerë për njeri tjetrin, të bukur të dy, por bukurinë më të madhe e kishin në shpirt dhe në sjelljen e tyre. Kujtimi kishte humbur dy vëllezër, në kushte që nuk u sqaruan asnjëherë dhe për këtë ai shikohej si "armik populli". Karakteri dhe shpirti tij demokratik, intuita dhe guximi e futën në udhën e luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste, prandaj ai hapi dyert e shtëpisë së tij, pa menduar për pasojat që mund t`i vinin.
Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 u formua Komisioni Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike Vlorë nga disa intelektualë trima e të mençur si: Afrim Jupi, Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Alfred Zijai, Bilal Çela, Manol Bono, Aleks Tahiri, Bujar Borshi, etj, të cilët treguan në atë moment madhor historik se ishin trashëgimtarë të denjë të të parëve të tyre, mishërim i atij shpirti të lirë vlonjat që ka bërë emër e ka zënë vend nderi në historinë tonë.
Pasi diskutuan si të deleguarit edhe të pranishmit edhe pse kishte mendime të kundërta si për kthimin e pronave mbrojtur nga Bujar Borshi dhe Ventigjar Hamzaraj, pavarësisht nga rezervat që patën grupet ndaj njeri tjetrit, pranuan dhe vendosën të gjithë njëzëri, formimin e Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Vlorës dhe firmosën procesverbalin përkatës. Kryetar i partisë u zgjodh Afrim Jupi, dhe sekretar Roland Tafili. Fillimisht mbledhjet e PD-së janë zhvilluar pothuajse ilegalisht në shtëpinë e Kujtim Zijait dhe më pas në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt. Mbledhje janë zhvilluar edhe në shtëpinë e Afrim Jupit, atje janë bërë edhe takime të Sali Berishës me drejtuesit e PD-së së Vlorës. Alfred Zijai, Kreshnik Çipi dhe Rrapo Taho si aktivist të shquar e kthyen të gjith skuadrën e futbollit "Flamurtari" me PD-në, duke ushtruar një ndikim të madh tek të gjithë qytetarët.
***
Po kush ishte në atë kohë Alfred Zijai?
Ai kishte lindur në Vlorë në vitin 1961. Përfaqësuesi tipik i mençurisë dhe guximit të rinisë vlonjate. Ishte diplomuar në Akademinë e Sporteve, dhe në fakultetin e Drejtësisë. Futbollist i shquar i "Flamurtarit" të Vlorës dhe i kombëtares së Shqipërisë. Pedagogia e tij, në Akademinë e Sporteve, Mimoza Pashko, në vitin 1986 e kishte njohur me bashkëshortin e saj, pedagogun e ekonomisë në Universitetin e Tiranës Gramoz Pashko, me të cilin lidhi miqësi. Bindjet e tij dhe kjo lidhje miqësore e shpunë atë në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Një mik i tij, Mihal Çela, e kishte prezantuar me Ventigjar Hamzarajn, i burgosur politik, dhe ky e prezantoi me vëllezërit Shaska, Farinë dhe Bedrinë dhe së bashku diskutonin dhe propogandonin kundër diktaturës komuniste. Më pas u bashkuan edhe me Roland Tafilin dhe Hasko Hoxhën dhe u përgatitën për themelimin e Partisë Demokratike. Ai thotë se: "Radion, "Zërin e Amerikës" e dëgjonim tek shtëpia e Ventigjar Hamzarajt, dhe më pas propagandonin idetë që dëgjonim atje".
***
Për të propaganduar idetë demokratike që përfaqësonte Partia Demokratike, për bërë të ditur themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë, Komisioni Nismëtar thirri në një miting. Nuk është gabim që dita e themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës të quhet data 6 janar 1991, sepse këtë ditë populli i Vlorës duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike doli në shesh, konfirmoi dhe miratoi Partinë Demokratike. Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike të Vlorës, tashmë ishte plotësisht i ligjshëm, i zgjedhur dhe miratuar nga populli. Ishte një miting historik, madhështor dhe që do të mbahet mënd gjatë nga vlonjatët. Ne që morëm pjesë në atë miting dhe që më vonë u bëmë pishtarë të udhës demokratike të vlonjatëve e kuptuam se historia e qytetit tonë po hynte në një epokë të re fatlume për Shqipërinë, duke lënë pas një epokë vuajtje, mjerimi dhe lotësh. Fati i kishte rezervuar brezit tonë këtë vepër të madhe atdhetare. Alfred Zijai kujton se: "Më 6 janar ishte ndeshja e futbollit ndërmjet "Flamurtarit dhe "Elbasanit". Nga mitingu ne shkuam në ndeshje të cilën e fitoi Elbasani 2 me 1. Por kur ne bëmë golin i gjithë stadiumi shpërtheu në entuziazëm u ngrit në këmbë me dy gishtat lart, gjë që tregonte se qytetarët vlonjatë e kishin aprovuar themelimin e Partisë Demokratike dhe se ishin me të". Policia kishte bllokuar rrugët gjoja që të mos kishte ngjarje të pa parashikuara, po në fakt ajo synonte të ndalonte popullin që të merrte pjesë në miting, dhe kështu të ulte autoritetin e Partisë Demokratike në popull. Rrapo Taho ka udhëhequr Lagjen e Re, dhe në krye të demonstruesve ka çarë rrethimin e policisë që të mbeteshin rrugët e lira për të shkuar populli në miting. Po kështu policia refuzoi mbajtjen e mitingut, me pretekstin absurd se gjoja ajo ishte e angazhuar me ndeshjen e futbollit "Flamurtari -Elbasani", dhe se kërkesa për mitingun duhej firmosur dhe vulosur nga qendra në Tiranë. Më 13 mars 1991, u bë Kuvendi i Parë i Partisë Demokratike të Vlorës, ku ndërmjet 20 anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie figuronte edhe emri plot dritë i Alfred Zijait, siç mbeti i tillë gjatë gjithë jetës tij. Në intervistën e parë, më 23. 6. 1991, që ka dhënë si kryetar i Partisë Demokratikë z. Afrim Jupi ka deklaruar ndërmjet të tjerave: "Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë...
***
Vlera e xhestit epokal të 9 burrave që formuan Komisionin Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, ose më saktë, Partinë Demokratike qëndron në atë, se ata filluan dhe çelën një epokë të re për historinë e Vlorës, prandaj vitet kalojnë dhe ata rrisin përmasat e tyre. Ishte koha kur kishte mbaruar rezistenca e individit dhe tashmë kushtet kishin thirrur në skenën shoqërore, rezistencën e partive politike. Këta ishin të parët që vranë frikën dhe u rritën në sytë e vlonjatëve dhe gjithë Shqipërisë. Askujt nuk i shkonte në mëndje se si do të shkonin më tej zhvillimet politike dhe shoqërore, aq më tepër për mungesën e informacionit, prandaj të gjitha ata që, që në ditën e parë që u sanksionua rezistenca meritojnë të vlerësohen dhe të dallohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ata u bënë aktorët e jetës politike e shoqërore. Ata burra u ngritën mbi dhunën që brente vendin.
Vështirë të gjesh njësi matëse për të vlerësuar veprën e këtyre burrave që themeluan Partinë Demokratike dhe të atyre vlonjatëve që, që të nesërmen u bashkuan me Partinë Demokratike dhe nuk u ndanë prej saj edhe në ditët e terrorit komunist të viteve 1997 - 1998, ata bënë epokë.
Një qytet njihet dhe identifikohet prej emrave të mëdhenj që ai nxjerr e rrit dhe këta burra që, që nga 6 janari i vitit 1991, ecën pa u ndarë nga Partia Demokratike, janë prej këtyre emrave të mëdhenj të qytetit të tyre. Nderim të veçantë meritojnë një shumicë e qytetarëve vlonjatë, të cilët mbasi mbaruan misionin e tyre historik u kthyen në shtëpitë dhe hallet e tyre, ose vazhdojnë të japin kontribute pa kërkuar asnjëherë grada dhe ofiqe, këta dhe vetëm këta, këta "njerëzit e panjohur", përbëjnë vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare.
Të nënët qytetarët e shquar vlonjat ndërmjet të cilëve edhe emri plot dritë e lavdi i Alfred Zijait, gdhendën një datë historike, 29 dhjetor 1990 dhe 6 janar 1991, ndërsa Vlora ende nuk u ka kthyer borxhin këtyre burrave t`i bëjë qytetar nderi të sajë. I kam pyetur edhe për pasurinë, nismëtarët e parë të Partisë Demokratike dhe ata të gjithë më janë përgjigjur me një fjali të vetme: - Pasuria jonë janë idetë tona që triumfuan mbi diktaturën.
Ja pra pse duhej përmendur dhe përse duhej vlerësuar i paharruari Alfred Ziaji, Vlora duhet të jetë krenare për këta bij të denjë të sajë. Në vitin 1990, ata qenë të bukur dhe me flokë të zez, sot atyre u janë thinjur flokët por zëmrën e kanë të re, si në vitin e lavdishëm 1990.