Të rinjtë protestojnë për Piramidën: Do kërkojmë referendum
Përfaqësues të shoqatave rinore kanë protestuar gjatë ditës së sotme para Presidencës, pas mosveprimit të presidentit Topi, i cili lejoi në heshtje ligjin për prishjen e Piramidës, pa e dekretuar atë.
Ata u shprehën të zhgënjyer nga Presidenti Bamir Topi, i “fundit i mohikanëve” siç e quajtën. Sipas tyre, heshtja e presidentit për prishjen e Piramidës bëri që të humbasë besimi tek institucioni që ai përfaqëson.
Jemi këtu për t`i thënë jo dhunimit të monumenteve kombëtare. Do të kërkojmë një referendum kombëtar për çështjen e Piramidës. Do të ndërmarrim një aksion rreth më rreth për t`i thënë jo prishjeve të monumenteve dhe të pasurisë kombëtare, theksoi kreu i Kuvendit Civil.
Presidenti Topi nuk e dekretoi ligjin për prishjen e Piramidës, por as e ktheu atë pas në Kuvend, duke bërë që ligji të hyjë në fuqi. Prishja e Piramidës pritet që të fillojë në shtator.
Të rinjtë thanë se do të fillojnë mbledhjen e 50 mijë firmave për mbajtjen e një referendumi për shfuqizimin e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.