E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit publikon raportin për zgjedhjet: Nuk u plotësuan standardet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar të zgjedhjeve. KSHH ishte e përfshirë në mënyrë aktive në monitorimin e këtij procesi zgjedhor, duke pasur një rrjet të gjërë vëzhguesish.

Në përfundim, në raportin e tyre thuhet se zgjedhjet nuk plotësuan standardet.

Bazuar në faktet dhe analizën, KShH vlerëson se edhe në zgjedhjet e 8 Majit 2011 standartet në lidhje me zgjedhjet e lira dhe demokratike të KE-së dhe të BE-së, ato të sanksionuara në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, parimet që përmban Kodi i Praktikës së Zgjedhjeve, i miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, nuk u plotësuan, thuhet në raport.

Në raport ka një vlerësim për votat e hedhura gabim.

Në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe të qeverisjes vendore, votat e hedhura në kuti të gabuar janë konsideruar të pavlefshme (pra, nuk janë llogaritur në rezultatin e zgjedhjeve). Vetë KQZ-ja, edhe në kuadër të zgjedhjeve të 8 Majit 2011,  ka udhëzuar që këto vota të quhen të pavlefshme, thekson raporti.

Hedhja e fletëve të votimit në kuti të gabuar ndodhi, sidomos në Tiranë, ku për shkak të strukturës së pushtetit vendor, me dy nivele, u votua me katër fletë votimi, që u përkisnin kryetarit të bashkisë, kryetarëve të njësive bashkiake dhe këshillave bashkiake përkatëse. Fletët e votimit për sejcilin organ duhej të hidheshin në katër kuti të ndryshme votimi. Ky fenomen nuk ka përbërë shqetësim të madh më parë prandaj dhe nuk është trajtuar, me detaje, nga ligji dhe aktet nënligjore. Kështu p.sh në Kodin Zgjedhor është parashikuar se si duhet vlerësuar rasti kur zgjedhësi bën shënime në fletën e votimit, ose e dëmotn atë jashtë dhomës së fshehtë por nuk shprehet në lidhje me vlerësimin që duhet të marrë vota e hedhur në kutinë e gabuar. Nga ana tjetër, nëse i referohemi ndryshimeve që ka pësuar ndër vite Kodi Zgjedhor, konstatojmë se në dispozitat e tij, në gjendjen që ai kishte në vitet 2000 dhe 2003 sanksionohej se : zgjedhësi hedh fletën e votimit në kutinë e votimit, ndërsa me ndryshimet që Kodi pësoi në vitet 2005, 2007 dhe Tetor 2008 shprehja e mësipërme u ndryshua, duke u riformuluar si: fleta e votimit duhet të hidhet në kutinë përkatëse.  Kemi mendimin se ligjbërësi me fjalët kutinë përkatëse, ka patur si qëllim të sanksionojë se nuk do të konsiderohej e vlefshme vota e hedhur jo në kutinë përkatëse.

Në raport citohet edhe vlerësimi i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2007 për këtë ccështje.

Është e vërtetë se zgjedhësi që do të votonte me 4 fletë votimi, me ngjyra të përafërta, mund të gabonte duke mos i hedhur ato në kutinë përkatëse. Për të minimizuar këtë mundësi KQZ-ja, si organi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, duhet të merrte, paraprakisht, masat e nevojshme tekniko-administrative në këtë drejtim. Gjithashtu ai duhet të kishte vlerësuar më me vëmendje vërejtjen që i kishte  bërë OSBE/ODIHR, në Raportin e datës 5 Qershor 2007, lidhur me zgjedhjet e 18 shkurtit 2007, ku midis të tjerave theksohet se: Në Tiranë u përdorën fletëvotimi me ngjyrë afërsisht të ngjashme për votime të ndryshme. Kjo çoi në pështjellim dhe mund të ketë sjellë një numër të konsiderueshëm fletësh votimit të hedhura në kutinë e gabuar të votimit duke i bërë ato të pavlefshme.  Për fat të keq, masa të tilla parandaluese KQZ nuk mori në zgjedhjet e Qershorit 2009 dhe as në këto të fundit, të zhvilluara më 8 Maj 2011.

Problemet e këtij procesi zgjedhor

             Fushata zgjedhore u shoqërua nga incidente të lehta dhe të rënda midis simpatizantëve dhe militantëve të tre subjekteve kryesore: PD, PS dhe LSI. Situatat u nxitën edhe nga gjuha e urrejtjes, e përdorur nga liderët dhe kandidatët e partive politike, që konkurronin në zgjedhje, nga akuzat e ndërsjellta, nga mungesa e dialogut dhe e debatit konstruktiv midis tyre.

             Premtimet e bëra nga kandidatët që konkuronin në zgjedhje, ose drejtuesit e partive, që i mbështetnin ata, në ndonjë rast, ishin mjaft të ekzagjeruara dhe nuk lidheshin me kompetencat e pushtetit vendor, ose mundësitë reale të vendit tonë.

             Shpenzimet e bëra, gjatë fushatës zgjedhore, nga subjektet zgjedhore dhe nga vetë kandidatët e tyre, ishin tepër të mëdha ndërkohë që nuk është dhënë asnjë informacion i qartë për origjinën e këtyre fondeve.

             Listat paraprake dhe listat përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën me vonesë, tej afatit maksimal të parashikuar nga Kodi Zgjedhor.

             Njësitë e qeverisjes vendore nuk kryen njoftimin e zgjedhësve në lidhje me përfshirjen e tyre në listat e zgjedhësve, siç është përcaktuar nga neni 50 i Kodit Zgjedhor. Listat e shpallura, në shumë raste, u vendosën në vende të papërshtatshme dhe të paaksesueshme lehtësisht nga zgjedhësit.

             Edukimi ligjor i votuesve dhe sensibilizimi i tyre ishte  i pakët. Për pasojë zgjedhësit kanë qënë shumë pak të informuar, jo vetëm për listat zgjedhore por  edhe për mënyrën se si do të duhej të votonin.

             Pati presion mbi administratën publike dhe nxënësit e shkollave për ti detyruar të merrnin pjesë në mitingjet e organizuara nga partitë politike në pushtet dhe ndërhyrje në privatësinë e shtetasve, nëpërmjet dërgimit të mesazheve në celular dhe adresat private në internet ;

             Komisionet zgjedhore, të të gjitha niveleve( KZAZ, KQV dhe GNV), u ngritën dhe u trajnuan me vonesë dhe jo me cilësinë e duhur;

             Organizimi i punës në qendrat e votimit la shumë për të dëshëruar. Për këtë arsye u shkaktuan radhë të gjata të zgjedhësve, që prisnin me orë të zgjatura për të ushtruar të drejtën e vorës.

             Gjatë procesit të votimit u konstatua, shpesh, votimi familjar.

             Në disa raste janë penguar personat me aftësi të kufizuar që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, për shkak se komisionerët nuk kanë patur njohuri të sakta në lidhje me zbatimin e procedurave ligjore në raste të tilla.

             KQZ, në disa raste, tejkaloi kompetencat e saj; morri vendime që pasqyronin haptazi përkatësinë politike të shumicës së anëtarëve të tij, duke anashkaluar ligjin; nuk respektoi shumicën e cilësuar të kërkuar për vendime të veçanta, siç është përshkruar në raport; urdhëroi hapjen e kutive, pa mbështetje ligjore,  numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara; nuk zbatoi të gjitha urdhërimet e Kolegjit Zgjedhor për hetimin dhe sqarimin e shkakut të mospërputhjes së numrit të zgjedhësve që kishin votuar dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë përkatëse..

             Shumë probleme të evidentuara gjatë numërimit të votave mbetën të pasqaruara nga KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›