Të rinjtë pushtojnë Apoloninë
Parku Arkeologjik i Apolonisë është pushtuar këto ditë prej të rinjve. Nisma për të promovuar turizmin shqiptar së pari brenda vendit e më tej në rrethet europiane, do të kulmojë në datat 8-9 maj në këtë sit arkeologjik. “Shqipëria është kulturë”, është i pari festival i këtij lloji i promovuar nga Universiteti Europian i Turizmit, i mbështetur nga MTKRS-ja dhe Bashkia e Fierit. Projekti i nisur vjeshtën e kaluar ka tentuar të zbulojë talente mes të rinjve, të cilët do të jenë të aftë të prezantojnë potencialet e trashëguara të kulturës kombëtare me elementet bashkëkohore. Rektori i UET-së, prof. dr. Salvatore Messina, bëri të ditur se që prej 4 muajsh është shëtitur në të gjitha shkollat e vendit për të gjetur artin dhe përvojat kulturore që paraqesin këta të rinj. Nga 1365 kandidatët e përzgjedhur, juria e kryesuar nga drejtori Agron Xoxa ka arritur që të seleksionojë rreth 376 prej tyre, që të gjithë talente nga rrethet Lezhë, Korçë, Tiranë, Elbasan etj. Këta të rinj, në datat 8-9 maj do të kalojnë një proces tjetër seleksionues përmes SMS-ve telefonike dhe më pas do të shpallen fituesit e këtij evenimenti, të cilët do të cilësohen edhe si ambasadorë të kulturës shqiptare, duke përfituar edhe shumën prej 500 mijë lekësh. “Ne duam që të rinjtë shqiptarë t’u prezantojnë kulturën e tyre dhe identitetin bashkëmoshatarëve europianë, në mënyrë që të arrihet të krijohen lidhje ndërkulturore mes tyre dhe pikërisht, ky është mesazhi që ne duam të përcjellim”, ka thënë Messina. Duke synuar që kjo nismë të kthehet në një aktivitet të përvitshëm, Messina ka theksuar se fituesit do të vijojnë një tur europian, i cili do të përmbyllet në Bruksel. Ndërkohë, universiteti premton përkujdesje për rritjen profesionale të këtyre të rinjve që do të kryejnë funksionin e ambasadorëve të kulturës.
#