E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Interesat e oborrit po bëjnë ligjin

Grevistët kalojnë natën e shtatë në bulevard. Kreu i PS: PPE ta bindë Berishën

çadrat e grevës së urisë janë transformuar në një plate prej nga ku opozita po plotëson aktin e protestës me atë të denoncimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur përdorimin e skenës së improvizuar para selisë së qeverisë për të akuzuar para audiencës së qytetarëve aktet korruptive të ekipit që drejton Sali Berisha. Tokat në bregdet dhe prapavija politike që qëndron pas shitblerjeve në këtë zonë të territorit kanë qenë lënda e parë e fjalës së mbajtur nga kreu socialist, i cili u është referuar edhe vendimeve të fundit të ekzekutivit. Ndryshimet e bëra në udhëzimet e qeverisë lidhur me fshatra turistikë dhe me çmimet e tokës, janë formuluar nga Rama si një akt i pastër vjedhjeje.

“U tha se në vitin 2010, paratë e marra nga pronarët e fshatrave turistikë do të shkonin për të paguar rrogat e ALUIZNI-t dhe ç’të mbetej, te pronarët e vjetër. Ndërkohë që dje, kur ne jemi në një betejë për Shqipërinë e të gjithëve, qeveria miraton një udhëzim për të llogaritur vlerën e tokave. Toka në bregdet mbetet 1 mijë lekë m2. Të gjithë e dinë që në bregdetin e Durrësit toka mund të shitet nga 30 euro metri katror deri në 250 euro. Por qeveria ka nxjerrë një hartë të vetën, sipas të cilës çmimet e tokës truall variojnë, sepse lëvizin edhe orekset brenda asaj harte”, ka deklaruar Rama. Në të vërtetë, ky qëndrim i tij prek një çështje shumë të ndjeshme, e cila prej vitesh po mban nën presion qytetarët e zonave bregdetare të Shqipërisë. Akuza në këtë rast kapërcen sfondin politik të marrëdhënies pozitë-opozitë dhe i drejtohet atij realiteti që është imponuar nga politika e qeverisë “Berisha”. Një fakt plotësues për këtë është edhe gjendja e përcjellë nga gazeta “Shqip” si pasojë e një vendimi të AKKP-së Vlorë që ka sjellë shpronësimin e 400 familjeve në Sarandë, ç’ka po kalon nga një heshtje e hidhur nga qeveria.

Një përgjigje politike i është dhënë shumicës edhe lidhur me manovrat që zënë fill në Tiranë e emetojnë qëndrime nga Brukseli. Duke iu përgjigjur deklaratës së Partive Popullore Europiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian, kreu socialist u shpreh hapur se kauza e opozitës është në të vërtetë kauza për Europën. “Në emër të Partisë Socialiste i kërkoj PPE-së të na ndihmojë që ta bindë Sali Berishën... të respektojë të drejtën tonë... i vetmi ndryshim që kemi është se ne e dimë vendin ku kërkohet respektimi i të drejtës ligjore; ai është këtu... Ne jemi këtu për t’u respektuar Kushtetuta dhe nuk do të zbrazemi derisa ajo të zbatohet...sepse ajo është asgjësuar sikurse ligjet që janë bërë letra që i shiten Europës si reforma”, ka insistuar Edi Rama. Mjafton të vërehet terminologjia dhe hapësira e tematikës që është prekur për të kuptuar se radikalizmi është kthyer në normë të protestës, e cila po ballafaqohet me një heshtje që e nxit edhe më shumë reaksionin. Sfida më e madhe e raportit që po dominon tanimë mes dy kampeve bëhet edhe më e madhe po të merret në konsideratë paralajmërimi i protestës së 9 majit.

Opozita ka zgjedhur ditën e Europës për të ngarkuar edhe më shumë simbolikisht lëvizjen e saj me fibrat e parimeve demokratike, që janë vënë në pikëpyetje te përdorimi i rrugës si instrument i imponimit të vullnetit politik. Por, retorika e përfaqësuesve të opozitës po përjashton kategorikisht tërheqjen. Jo vetëm Rama, por edhe aleatët e PS, si Spartak Ngjela dhe Paskal Milo e kanë rritur tonin e apelit publik teksa prej kohësh kanë nisur të flasin për ndryshime historike. “Këto çadra do hyjnë në historinë politike, në një vend ku ka 100 vjet ku nuk po gjejmë dot veten tonë”, tha dje Ngjela. Një opozitë që sipas tij, del në shesh në emër të demokracisë dhe të drejtave të mohuara përballë një pushteti që flet për mbrojtjen e shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve si premisa të sistemit demokratik. Kështu, edhe njëherë tjetër palët politike në Shqipëri po e aktualizojnë demokracinë si lëndë të keqkuptimit mes tyre të cilën rëndom e shpallin si objektiv sublim dhe destinacion final.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›