Parlamenti grek voton pro planit drastik financiar
Ashtu siç pritej, Parlamenti grek ka votuar dje në favor të masave të ashpra financiare që duhet të ndërmarrë qeveria për të marrë sa më shpejt paketën e ndihmës BE-FMN, me qëllim shpëtimin e vendit nga falimentimi. Qeveria socialiste e Papandreut mori 172 vota pro nga 296 deputetë të pranishëm nw sallë. Socialistët e ekstremit të djathtë e aprovuan planin, ndërsa 121 votat “jo” erdhën nga konservatorët, komunistët dhe e majta radikale. Pak para se të zhvillohej votimi, ministri i Financave i ftoi deputetët të bënin detyrën e tyre për të mirën e vendit, që po kalon një nga periudhat më të vështira financiare të historisë së tij. Jorgos Papakonstantinou përforcoi bindjen se qeveria nuk do të tërhiqet para asgjëje. Ai tha se qeveria socialiste është e vendosur se kjo është gjëja më e mirë për Greqinë. Papakonstantinou theksoi se vendi ishte vetëm dy javë larg mospagimit të borxhit kolosal që ka. “Data e skadencës për bonot me vlerë 12 miliardë dollarë është 19 maji, por arkat e shtetit nuk kanë para”, nënvizoi ai. Sipas tij, mënyra e vetme për të shmangur mospagimin ishte tërheqja e një pakete financiare ndërkombëtare. Pikat kryesore të këtij programi janë rritja e taksës mbi vlerën e shtuar, rritja e taksës së duhanit, alkoolit dhe karburantit, rritja e moshës mesatare të pensionit në 63.4 vjeç, si dhe heqja e pagës mujore të 13 dhe të 14 në administratën publike. Deri në vitin 2012 janë të nevojshme masa kursimi në një vëllim prej 30 miliardë eurosh. Borxhi i Greqisë do të arrijë deri në 2013-n në 140%. Vetëm në fund të vitit 2014 ekonomia greke do t'u rikthehet ritmeve pozitive të zhvillimit. Ndërkaq, edhe dje jeta në vend nuk ka qenë e qetë. Punonjësit e bankave në Greqi ishin në grevë për të protestuar ndaj vdekjes së tre kolegëve të bllokuar në bankën që u dogjën nga protestuesit një ditë më parë. Shumë banka në pjesën qendrore të Athinës qëndruan hapur me gjithë thirrjen për grevë. Pas grevës së përgjithshme dyditore që shkaktoi kaos, dhunë dhe viktima në Greqi dy ditë më parë, sindikatat kanë bërë thirrje sërish për grevë. Ato janë tërësisht kundër miratimit të planit drastik, edhe pse qeveria nuk ka alternativa të tjera shpëtimi. Masat drastike kaluan me lehtësi në Parlamentin me 300 vende, ku 160 mbahen prej socialistëve.
#