E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata la në burg Begon, njihet me vendimin italian

MASA

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, i komunikoi mesditën e djeshme vendimin e autoriteteve të drejtësisë italiane shtetasit Edmond Bego i njohur edhe si ish-president i klubit futbollistik të Lushnjës, ku është dënuar me 14 vite burg në mungesë për "trafik droge".

Ka qenë gjyqtarja Teuta Hoxha e cila me kërkesë të prokurorit Besnik Cengu, ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në mungesë ndaj Begos pesë ditë më parë. Gjithashtu, në seancën e mesditës së djeshme, gjyqtarja Hoxha i ka komunikuar të arrestuarit Bego edhe vendimin e dhënë nga autoritetet italiane, ku është dënuar me 14 vite burg.

Vetë i arrestuari Bego nuk ka preferuar të flasë, por, avokati i tij mbrojtës, Ardian Leka, ka kërkuar nga gjyqtarja që klientit të tij t'i njihen tre vite të përfituara si ulje dënimi nga amnistia e përgjithshme e dhënë nga shteti italian.

"Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar klientin tim me 14 vite burg në mungesë. Që nga dita e dhënies së dënimit e deri më tani, autoritetet shtetërore italiane kanë dhënë amnisti të përgjithshme, ku klienti im ka përfituar ulje për tre vite.

Kështu që kërkojmë që këto dokumente dhe prova që i kemi sjellë në rrugë ligjore të administrohen në dosje dhe t'i njihen klientit tim si ulje dënimi",-tha avokati Leka, duke mohuar edhe para gjykatës që klienti i tij nuk ka lidhje me të pandehurin Aldo Bare.

Vetë Bego u arrestua pesë ditë më parë në një lokal në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa", pas një dreke me një deputet të maxhorancës që merrej me ndërtim, pasi mendohet se i arrestuari prej kohësh merrej me ndërtim në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›