E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis aksioni për ndaljen e zhvatjes së kryeqytetasve nga taksidarët e Edi Ramës

Qeveria ka gati projekt-vendimin për uljen e tarifave 2-3 herë, për disa kategori taksash të ngritura në mënyrë abuzive nga kryebashkiaku i Tiranës, siç është taksa vendore për tabelat dhe reklamat

Menjëherë pas nismës së kryeministrit për reduktimin e taksave vendore, Ministria e Financave ka hartuar draftin për taksën e tabelës, e cila vendos çmim tavan për sipërfaqen e reklamës që përdor biznesi.
Në kryeqytet biznesi paguan aktualisht taksë edhe kur nuk ka afishuar asnjë reklamë për aktivitetin e vet, ndërkohë që projektligji i ri, cakton një çmim tavan që duhet të paguajnë bizneset.
Sipas projektit të Ministrisë së Financave, mësohet se, një subjekt që kryen aktivitet biznesi, do të paguajë vetëm 54 mijë lekë në vit, e llogaritur kjo për sipërfaqen mbi 12 metër/katrorë reklamë. Pra, edhe për reklamat përmbi këtë sipërfaqe, shuma e parave që do të derdhet si kontribut për pushtetin lokal do të jetë sërish e njëjtë, 540 mijë lekë. Kurse për sipërfaqet e reklamave më të vogla se 12 metër katrorë, taksa do të llogaritet për metër/katror, dhe çmimi është 4500 lekë për metër/katror në vit.
Sipas të njëjtit draft, ndryshe nga Tirana, për bashkitë qendër qarku, tarifa do të jetë 2250 lekë për metër/katror dhe për sipërfaqe më të madhe se 12 metra, do paguhet vetëm 27 mijë lekë në vit.
Ndërsa për komunat taksa do jetë 1350 lekë metri/katror ku për sipërfaqe më të madhe se 12 metra, do paguhet vetëm 16 200 lekë në vit.
Ligji i ri do të detyrojë pushtetin vendor të mbledhë taksën e reklamës, aq sa realisht e disponon biznesi edhe pse aktualisht abuzohet pasi shumë biznese e paguajnë edhe pse nuk kanë reklamë.
Me draftin e ri të Ministrisë së Financave, taksat për tabelën në bashkinë e Tiranës, parashikohet të ulen 2 deri në 3 herë. Aktualisht për bashkinë e Tiranës, niveli i taksës për tabelat dhe reklamat, llogaritet 10.000 lekë për metër katrorë në vit, më se dy herë më e lartë, nga 4500 lekë për metër/katror në vit, që parashikon drafti.
Ndërsa për tabelat elektronike, kjo tarifë llogaritet deri në 15.000 lekë për metër katrorë në vit, pra më shumë se tre herë më e lartë, nga 4500 lekë për metër/katror në vit, që parashikon drafti i Ministrisë së Financave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›