E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe 30 ditë pas 19 majit, edvinistët, as kanë hangër e as kanë pi…

Po kujtojmë që në fillim, se sot u mbushën 30 ditë, qëkur u mbyll pa lavdi sakrilegji politik i grevës së urisë, njërit nga aksionet më të turpshme të politikës pluraliste në këto 20 vjet. Greva u mbyll pa ndonjë shpjegim e pa analizë, prandaj edhe politika e këtyre 30 ditëve ka pasur të bëjë më së shumti me përpjekjet e të gjithë faktorëve të shoqërisë për varrosjen e kufomës së pakallur të politikës së re haxhiqamiliste të Edi Ramës. Përpjekjet s’kanë qenë veç vendore, por së pari kanë qenë përpjekje ndërkombëtare. Europianët s’mund të toleronin mbijetesën në Shqipëri të metastazave të një parapolitike, e cila do të rrezikonte fort partneritetin mes dy palëve në një të ardhme të afërt.
Por 30 ditë më vonë, politika e Edi Ramës ka mbetur e njëjta bunkeriadë, e mbushur me urrejtje për Perëndimin dhe me aksione bllokuese ndaj çfarëdolloj reforme që i afron shqiptarët me këtë qytetërim. S’ka asnjë lëshim, as në politikën bllokuese ndaj reformës zgjedhore, as në politikën bllokuese ndaj ligjeve të drejtësisë e as në politikën refuzuese ndaj reformimeve të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Partia Socialiste s’e pati për gjë të nxirrte paratë nga xhepat e saj - të lidhur shkurt me xhepat e bashkisë – për të bërë lobing që shqiptarëve të mos u hiqen vizat e që të mos regjistrohet përparim as në procesin për marrjen e statusit të kandidatit. Shkresat s’ka nevojë të detajohen për të treguar se Edi Rama ka bërë çmos për të respektuar vazhdimësinë, vazhdimësinë e politikës që nisi me 30 prill me kampingun e çadrave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe regjistroi veç një stacion të ndërmjetëm me 19 maj, kur i nxori deputetët prej andej për përdorime të tjera, si ajo e rojtarit tek kulla ku jeton vetë Edvini, e që është në përdorim të Dashamir Pezës. Mesazhi i vazhdimësisë u përcoll bukur, teksa në skenë zbriti vetë Ramiz Alia, si i përzgjedhuri zyrtar i vazhdimësisë së Bllokut. Që pas largimit nga kjo jetë të Merhumit, Ramiz Alia u shpall si njeriu që ruan vazhdimësinë e nomenklaturës komuniste dhe në ditët e grevës së urisë, gënjeshtrari patologjik i Bllokut u rishfaq për të dhënë mesazhin se vazhdimësia tani ishte Edi Rama. është një vazhdimësi që mori një konfirmim të fortë në këto 30 ditë pas grevës së urisë. Edi Rama s’lëvizi asnjë milimetër në drejtim të institucioneve, por i la asetet socialiste në trotuaret e parapolitikës, duke bërë çmos që të rrënohet viti turistik i shqiptarëve, e po ashtu edhe lëvizja e tyre e lirë.
Gjatë këtyre 30 ditëve, deputetët e PS-së vijuan të bënin të njëjtën gjë, si në 19 ditët e grevës së urisë. As nuk hëngrën e as nuk pinë – jo në kuptimin “ad literamm”, pasi po të jetë për atë punë, ata respektuan të njëjtën dietë si 19-ditëshi i famshëm, por nuk jetuan asnjë ditë si ligjvënës e politikanë që mbi të gjitha kanë interesin e Shqipërisë. Shtrembërimi i këso drurëve politikë është i pakthyeshëm, prandaj s’kemi nevojë të presim të themi fjalët e rastit, kur të vijnë të dyzetat... Rast fort i mirë për të folur për racën e keqe është edhe dita e 30-të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›