E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shtëna armësh afër shkollës për pazaret e drogës, dy të plagosur

Policia në vendin e ngjarjes

DURRES- Prishja e pazareve të drogës degjeneron në të shtëna arme në afërsi të shkollës, duke rrezikuar jetën e nxënësve. Dy persona mbetën të plagosur dhe një i tretë është shpallur në kërkim pas një sherri në mes tre të rinjve para pallatit ku banonte njëri prej tyre. Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:45, në Lagjen Nr. 4 të qytetit, ngjitur me shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”. Mësohet se të plagosur kanë mbetur shtetasit Donald Verdha, 23 vjeç dhe Amarildo Çekini, 22 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim një i tretë. Ky i fundit, bashkë me 22- vjeçarin Çekini, kanë shkuar poshtë pallatit të Donald Verdhës dhe kur ai ka dalë për t’i takuar, kanë nisur debatet me tone të larta. Ata janë konfrontuar fizikisht, ndërsa më pas u dëgjuan të shtëna. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se të rinjtë kanë qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri, duke vënë në rrezik edhe jetën e nxënësve të shkollës 9-vjeçare, të cilët ishin në kohën e pushimit të madh. Krahas plagëve të marra me armë zjarri, Donald Verdha dhe Amarildo Çekini kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Por, mbërritja e shpejtë e policisë në vendngjarje bëri të mundur neutralizimin e tyre dhe dërgimin për në Spitalin e Durrësit. Nga spitali raportohet se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, Donald Verdha ka marrë një plumb në gjymtyrët e poshtme dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Amarildo Çekinin e ka kapur plumbi në afërsi të veshit, duke i shkaktuar vetëm gërvishtje, pa pasoja të rënda. Informacione zyrtare nga grupi hetimor, i cili ndodhej në vendngjarje, bëjnë me dije se shkak për sherrin mes bandave, i cili ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, pistoletë, është bërë prishja e pazareve për drogën. Sipas Policisë, personat janë të skeduar si kontingjent kriminal, ndërsa njihen si përdorues e trafikantë të lëndëve narkotike. Policia shoqëroi disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, të cilët kanë hedhur dritë mbi ngjarjen. Edhe vetë të plagosurit, pasi janë mjekuar, kanë dhënë versionin e tyre mbi motivin e ngjarjes para grupi hetimor. Blutë sekuestruan në vend pesë gëzhoja dhe armët e zjarrit të cilat janë përdorur gjatë konfliktit.                           l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›