E Diel, 1 Nëntor 2026

Jepen rrogat, por ka revoltë te bardheblutë

Tirana/ Lojtarët: Pas 3 muajsh morën një gjysmë page.

Klubi mbajti fjalën, shpërndau rrogën e shtatorit. Të mërkurën në llogarinë e çdo futbollisti ka kaluar një pagë e prapambetur, fakt që solli qetësi.  Mirëpo, kjo qetësi zgjati deri në momentin kur iu desh të tërhiqnin shumën nga bankomati dhe kontrolluar se sa parà kishin në llogari, pasi një pjesë e ekipit ka mbetur e zhgënjyer. Këtu përfshihen ata lojtarë që më së shumti rrinë në stol, apo ata që janë jashtë 18-shes. Në kontratën e çdo lojtari është e përcaktuar qartë se kush e nis një takim si zëvendësues do të marrë vetëm 70 për qind të rrogës mujore, ndërsa ata që janë jashtë vetëm 30 për qind. Mirëpo, edhe pse ky fakt dihej, pasi lojtarët në fakt e kanë nënshkruar vetë një kontratë të tillë, duke pranuar edhe këtë klauzolë, kanë “rrudhur buzët”. Futbollistët bardheblu ankohen, pasi pas tre muajsh pritjeje morën një pagë të reduktuar. Edhe dje, disa nga titullarët u janë drejtuar ambienteve të klubit dhe në emër të shokëve i kanë shprehur këtë shqetësim administratorit. Por as ky i fundit nuk ka çfarë bën, pasi pagat shpërndahen në bazë të minutazhit, e thënë ndryshe: rrogat mujore për çdo lojtar përcaktohen duke u mbështetur te performanca. Në çdo kontratë, gjithnjë ka qenë e përcaktuar qartë, pra lojtarët që luajnë në të gjitha ndeshjet dhe e nisin që nga minuta e parë si titullarë, marrin 100 për qind të pagës mujore. Deri këtu s’ka asnjë problem, duke qenë se pakënaqësia shtohet tek ata që mund ta nisin nga stoli, apo që qëndrojnë dhe nuk luajnë fare, që nuk janë të paktë, po rreth 10 lojtarë. Ata që e fillojnë një takim apo një tjetër si zëvendësues, nuk paguhen plotësisht, por marrin vetëm 70 për qind të rrogës mujore, ndërsa të tjerët që nuk aktivizohen marrin vetëm 30 për qind. Dashur pa dashur, ky vlerësim ka ndikuar negativisht në ekip, pasi u ka rënë të marrin një shumë të papërfillshme. Futbollistët, që në momentin e parë kur mësuan se do të procedohej në këtë mënyrë, u çuditën, duke qenë se nuk ishin mësuar. Mirëpo, pasi drejtuesit sqaruan gjithçka, duke u shpjeguar se çdo kontratë e ka të përcaktuar qartë këtë klauzolë, atyre s’u mbeti gjë tjetër veçse të pranonin realitetin. Sakaq, Tirana ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e kësaj jave ndaj Bylisit. Në kampin kryeqytetas u kanë vënë qëllim vetes që pas dy fitoreve radhazi, të marrim edhe gjashtë pikë të plota në dy javët e mbetura të kësaj faze, për të qëndruar gjithnjë në krye të renditjes, në ndjekje të Skënderbeut dhe Teutës.

Kupa e Pavarësisë/ Prishtina mund Trepçën
Dy ekipet më të mira të Kosovës, Prishtina dhe Trepça 89, të cilat u ndeshën dje në “Zeqir Ymeri” të Kukësit kanë ndarë deri minutën e fundit emocionin se cila prej tyre do të rrugëtojë drejt Vlorës për kupën “Pavarësia”. Në fund kanë qenë goditjet nga pika e bardhë e penalltisë, në setin shtesë të tyre, kur dy portierët janë vënë ballë për ballë dhe në fund Prishtina e ka parë vetën të kualifikuar. Kështu që prishtinasit u bashkohen Flamurtarit, Tiranës dhe Shkëndijës së Tetovës në gjysmëfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›