Të shtëna me armë në veri

Pas mesnatës së ditës së sotme, një ankues 38 vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, ka njoftuar autoritetet policore për dëmtim të lokalit të tij nga të shtëna me armë zjarri.
Ankuesi ka njoftuar zyrtarët policor se derisa ishte duke punuar si punëtor i sigurimit të lokalit, “Fornet-Mini Pani” në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, kishte dëgjuar një breshëri të shtënash nga armë zjarri dhe më pas kishte kuptuar se lokali të cilin po e siguronte, ishte sulmuar nga persona të panjohur.
Hetuesit policor së bashku me teknikët e kriminalistikës dhe me njësitë patrulluese të policisë kanë reaguar në rastin e raportuar ndërsa kanë regjistruar dëmet e konsiderueshme materiale në lokal.
Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.
“Hetuesit policor të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë evidentuar dëmet e raportuara në vitrinën e lokalit, në muret e brendshme të lokalit si dhe në aparatet e punës në lokal”, ka thënë zëdhënëse i Policisë Rajonale në Mitrovicë, toger Besim Hoti.
Në afërsi të vendit të ngjarjes, policia ka identifikuar dhe marrë si pjesë të provave materiale; 23 gëzhoja, të armës automatike, të kalibrit 7.62mm, që besohet ti përkasin armës së përdorur në këtë rast.
Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “dëmtim i pronës”, për motive ende të panjohura ndërsa nuk është raportuar për të dyshuar të mundshëm deri më tani./Indeksonline/