Të shtënat me armë në Rrëshen, arrestohet një nga autorët, ende në kërkim djali dhe nipi i tij

Një nga autorët e të shtënave me armë zjarri që u regjistruan mbrëmjen e së dielës (26 mars) në Rrëshen, ka rënë në prangat e Policisë.
Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se është arrestuar 59-vjeçari me inicialet M.M., teksa është ende në kërkim djali i tij, një 31-vjeçar me inicialet E.M dhe nipi i tij, 28-vjeçari me inicialet K.M..
Të tre këta persona, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., 41 vjeç.
59-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Vijon puna për kapjen e personave në kërkim, teksa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/