Të shtunën në Itali për Edgar Canin
Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, ka nisur tashmë të aplikojë projektin e tij për rinovimin e Kombëtares kuqezi. Për këtë arsye, në prag dy ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi dhe Andorrës në fund të muajit të ardhshëm, ai ka vendosur të grumbullojë në skuadër shumë emra të rinj, të cilët duket se do të jenë edhe surpriza e listës, që tekniku kroat pritet të zbulojë së shpejti. Mes tyre është edhe ai i Edgar Canit, sulmuesi shqiptar në pronësi të Palermos së Serisë A, i cili që nga janari luan në Serinë B në radhët e Piaçencës, ku është dhënë në formë huazimi nga klubi sicilian. Dje është mësuar se këtë të shtunë, trajneri Kuzhe do të udhëtojë në drejtim të Italisë, ku do të ndjekë nga afër Canin në impenjimin e radhës me Piaçencën. Më pas është parashikuar edhe një takim kokë më kokë mes sulmuesit 21-vjeçar dhe teknikut të kuqezinjve, ku Kuzhe do t’i shpjegojë Canit projektin e tij për të ardhmen e organikës së Kombëtares. Ky lajm është konfirmuar dje edhe nga menaxheri i ekipeve kombëtare në FSHF, Denis Bastari.
#