Renditja e FIFA-s, Shqipëria ngjit 3 vende në muajin prill
Shqipëria vazhdon ngjitjen në renditjen e FIFA-s. Në klasifikimin botëror të skuadrave për muajin prill, skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe e sheh veten në vendin e 80, nga pozicioni i 83 ku ndodheshin në klasifikimin e mëparshëm. Përfaqësuesja kuqezi ka fituar 17 pikë, e tashmë renditet menjëherë pas Xhamajkës, ndërsa ka lënë pas vetes Bjellorusinë, skuadrën që cilësohet si rivalja direkte në Grupin D, për objektin minimal që është vendi i katërt. Për sa u takon kundërshtareve të tjera në eliminatoret e Euro 2012, Rumania, skuadra e parë me të cilën Shqipëria do të ndeshet ka ngjitur katër vende dhe tashmë është e 28. Franca vazhdon të qëndrojë në “Top 10” më të mirat, por “gjelat” kanë humbur 2 pozicione dhe janë të dhjetët. Bosnjë-Hercegovina është e 51 në klasifikim, pasi ka humbur katër vende, ndërsa rënie ka pësuar edhe Luksemburgu, që renditet i 127. Në renditjen kontinentale, atë të UEFA-s, Kombëtarja shqiptare ka ngjitur një shkallë dhe pozicionohet si skuadra e 39, mes 53 përfaqësueseve europiane.
Lëvizje të rëndësishme ka pasur në kreun e renditjes së FIFA-s, ku Brazili rimerr kreun. “Seleçao” ngjitet në vendin e parë, duke bërë që pas pesë muajsh të bjerë primati i Spanjës. Portugalia ngjitet për herë të parë në podium: luzitanët marrin vendin e tretë, duke zbritur me një pozicion Holandën. Italia e Gjermania ruajnë vendet 5 dhe 6, ndërsa Argjentina ngjitet në vendin e shtatë.
#