“Të surprizuar nga zhvillimet progresiste në Shqipëri”

Kryeparlamentarja Topalli takohet me Kryetarin e Grupit parlamentar të Kuvajtit, Walid Tabtabai
Kryetarja e Kuvendit priti dje në një takim Kryetarin e Grupit parlamentar të miqësisë së parlamentit të Kuvajtit. Gjatë bisedimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Grupit parlamentar të miqësisë në parlamentin e Kuvajtit z.Walid Tabtabai, u shpreh se “jemi të surprizuar nga zhvillimet e shpejta në Shqipëri”. “Kompanitë serioze të Kuvajtit janë shumë të interesuara të investojnë në vendin tuaj sepse biznesi këtu është i sigurt”.
Duke rikujtuar vizitën e Kryetares së Kuvendit në Kuvajt, deputeti Tabtabai e cilësoi si një vizitë shumë të rëndësishme dhe që pati një efekt shumë pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve. Deputeti Tabtabai tha se kishte porosi të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Kuvajtit, Al-Kharafi për t’i përcjellë Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e tij të përzemërta dhe se në përgjigje të ftesës së Kryetares Jozefina Topalli, së shpejti ai do të vizitojë Tiranën.
Përfaqësuesi i Parlamentit të Kuvajtit ishte i shoqëruar në këtë takim nga disa përfaqësues të biznesit, të cilën thanë ndër të tjera se “lehtësimi i procedurave ligjore ekonomike i aplikuar në Shqipëri është shumë favorizues për investimet e tyre në infrastrukturë, turizëm e në fusha të tjera me interes reciprok”.
Ndër të tjera kryetarja e Kuvendit tha se “po mirëpret me kënaqësi vizitën e Kryetarit të parlamentit të Kuvajtit, që do të ndikojë dukshëm në rritjen e nivelit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik”.
Ajo shprehu bindjen se marrëdhëniet parlamentare do të avancojnë më tej, edhe përmes shkëmbimit të përvojave reciproke mes deputetëve të parlamenteve të dy vendeve.