Buxheti i 2010-s, program ambicioz, që garanton investime dhe rritje të reja pagash

Berisha: Ne jemi të vetmit që në këtë buxhet parashikojmë dhe vendosim të rrisim sërish pagat dhe t’i rrisim ato që në vitin e ardhshëm. Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 përqind. Rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet. Buxheti do të jetë buxheti i fondit të zhvillimit rajonal të Shqipërisë. Për fshatrat, qytetet, bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit do të jetë mobilizimi më i madh i fondeve financiare në historinë e vendit
Kryeministri Berisha prezantoi sot para qeverisë dhe medias projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010, duke e cilësuar atë buxhetin më ambicioz, që premton realizime të mëdha në të gjitha aspektet. Politika e rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve; riorganizimi tërësor i ndihmës ekonomike; mbështetja e reformave në arsim, shëndetësi, në shtrirjen e shoqërisë së informacionit në kuadër të projektit madhor Shqipërisë në moshën dixhitale, mbështetja e projekteve të mëdha në fushën e infrastrukturës, të zhvillimit rural dhe bujqësisë, janë orientimet kryesore të këtij buxheti.
Duke prezantuar projektbuxhetin për vitin 2010, Kryeministri Berisha tha: Kjo është mbledhja më e rëndësishme e vitit, është mbledhja e shqyrtimit të buxhetit. Pas një pune disa mujore, bazuar në një ligj të ri, me një kushtetutë të re për buxhetin, qeveria dërgon në parlament buxhetin më ambicioz në historinë e saj, buxhetin e hartuar në periudhën e një stuhie të madhe europiane dhe botërore, buxhetin që premton një realizim më të madh në të gjitha aspektet. Së pari, ky buxhet mbështet sërish politikën tonë të rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve dhe mendoj se kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme. Ne jemi të vetmit që në këtë buxhet parashikojmë dhe vendosim të rrisim sërish pagat dhe t’i rrisim ato që në vitin e ardhshëm. Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 përqind dhe bëhet e mundur pikërisht për shkak të saj. Përparësi në këtë rritje do të kenë sërish pagat e ulëta dhe të mesme. Niveli i pagave të larta do të ketë një rritje modeste, pa inflacionin prej 2 përqind, me inflacionin prej 4 përqind. Ndërsa do kenë rritje të ndjeshme pagat e mesme, të mësuesve, rritje të madhe do të kenë ato të infermierëve dhe mjekëve në sistemin e ri, rritje të ndjeshme do të kenë pagat e policisë, ushtrisë dhe administratës. Rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet. Ne jemi të vendosur të ecim drejt qëllimit tonë të barazimit të pensioneve fshat-qytet. Ndaj edhe kjo rritje do të jetë më e madhe për pensionet e fshatit, sepse pensionet e fshatit janë më të ulëtat në vend dhe pavarësisht se ato u dyfishuan, sërish mbeten në nivele që duhen rritur më tej. Rritje do të kenë pensionet e ulëta. Pra, angazhohen shuma të mëdha në rritjen e pagave dhe pensioneve.
Gjithashtu, do të riorganizohet tërësisht ndihma ekonomike. Pas kësaj mbledhjeje, ne vazhdojmë një mbledhje tjetër me të gjitha agjencitë respektive, ku do të përcaktojmë kritere të reja të ndihmës ekonomike, që do të synojnë t’i përgjigjen së pari mjerimit. Nuk duhet të ketë familje në Shqipëri, nuk duhet të ketë qytetarë shqiptarë që të zgjohen dhe erren me dhimbjet e mjerimit. Ne do të adaptojmë një skemë të tillë që do të shkojmë drejt zerimit të mjerimit apo siç quhet, varfërisë së skajshme në Shqipëri, që, sipas një studimi, është 1.3 përqind, por edhe pse në përqindje duket e vogël, është për t’u marrë me seriozitet, pasi janë mijëra familje.
Ky buxhet do t’i përgjigjet projekteve të mëdha ambicioze të infrastrukturës dhe reformave në sektorë të ndryshëm. Ne do të investojmë të gjitha fondet që rruga e Arbrit të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012, në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve mjaft problematike, siç është ura më e lartë e vendit 150 metra e lartë dhe disa tunele që kërkojnë kohën e finalizimit të projektimit; do të ecet me shpejtësi drejt boshtit të jugut; segmenti Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Berat; shpresoj që nga fundi i vitit të ardhshëm boshti i jugut të fillojë dhe në trajektoren Berat-Tepelenë. Buxheti do të jetë buxheti i fondit të zhvillimit rajonal të Shqipërisë. Për fshatrat, qytetet, bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit do të jetë mobilizimi më i madh i fondeve financiare në historinë e vendit. Mund të informoj me kënaqësi se shuma prej 400 milion dollarë, e përcaktuar për rrugët rurale, po shkon drejt plotësimit dhe kam besim të madh se gjatë vitit 2010 edhe tejkalimi i kësaj shume. Donatorë, të udhëhequr nga banka Botërore, për shkak të besimit të palëkundur tek kjo qeveri, që e thënë me terma që kuptojnë qytetarët po ‘zgjidhin qesen’, grantet dhe donacionet e tyre, çka përbën një avantazh shumë të madh. Në epiqendër të zhvillimit rural do të jetë fshati, bujqësia, problemet e saj. Ky buxhet do të jetë buxheti i projekteve të mëdha në fushën e bujqësisë. Po punohet pandërprere për konturimin dhe më pas për financimin e tyre, siç është projekti i ullirit, ku ka një progres substancial në drejtim të finalizimit të këtij projekti dhe fillimit të jetësimit të tij, projekti i vaditjes, grantet për nxitje, mikrokrediti dhe fusha të tjera. Lidhur me reformat, dua të theksoj se reforma e të gjitha reformave do të jetë shëndetësia. Ky vit shënon një riorientim të fondeve të tëra në funksion të reformës, të cilat përfshijnë si vendosjen e marrëdhënieve të reja kontraktuale midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre, thellimin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe përpjekjen e madhe për dixhitalizimin e të gjithë sistemit. Arsimi ruan gjithnjë përparësinë e tij, në modernizimin dhe shtrirjen në të gjitha ciklet. Qeveria duhet të bëjë hapa serioze këtë vit në mënyrë që në vitin 2013 të jemi të gatshëm për vendimin e arsimit të mesëm të detyrueshëm. Sigurisht kjo do të ketë një debat, por mendoj se me moshën e këtij kombi, ky është një shërbim që ne i bëjmë. Nuk kemi pse të lëmë fëmijë, të rinj e të reja pa mbaruar shkollën e mesme. Kjo do të na kushtojë më shumë, por është një çmim i dobishëm për t’u paguar. Përparësia më madhore e kësaj qeverie është Shqipëria dixhitale. Duke i dhënë përparësi Shqipërisë digjitale, qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet, burimet financiare dhe njerëzore në funksion të realizimit të këtij objektivi, çka do të thotë në buxhetin e çdo ministrie dhe çdo agjencie, qoftë dhe në kurriz të të gjitha zërave të tjerë, IT do të zërë vendin e vet. Ky është një detyrim madhor për të bërë që qytetarët shqiptarë të shijojnë moshën dixhitale, jo vetëm ata që janë biologjikisht në këtë moshë, por dhe ata që janë në moshë të shtyrë dhe që lehtësisht mund ta kapin atë, siç ka provuar historia e zhvillimit të kësaj moshe në vende të tjera, si Estonia.
Zotërinj ministra, duke filluar nga dhjetori që vjen në të gjitha nivelet e administratës shqiptare do të fillojnë kurset e IT-së. Në këtë administratë, nuk mund të ketë punonjës që nuk përdor dot kompjuterin. Ne do të krijojmë kushtet, por ky do të bëhet një kusht themelor i qenies i punësuar si punonjës administrate, sepse nuk mund të pretendojmë përdorim të gjerë të kompjuterit në fshatrat më të largëta të vendit, duke mos pasur përdorim të plotë të tij në administratën shqiptare. Ministri për çështjen e IT-së dhe Ministria që po konturohet gradualisht me agjencitë që merr në mbikëqyrje, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po hartojnë projekte jashtëzakonisht të rëndësishme dhe pritet një revolucion i vërtetë në licencat, frekuencat dhe tregun e telekomunikacionit, gjatë vitit që vjen. Mjedisi është gjithashtu një përparësi e madhe. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë kur ankohen dhe gjykojnë mjedisin nga kryeqyteti i tyre, pasi, vërtet, situata është e papranueshme dhe unë nuk kam ndër mend ta përdor aspak këtë akuzë për qëllime politike, sepse nuk e zgjidh problemin. Problemin e zgjidhin ndërhyrje të fuqishme në Tiranë, ndaj dhe ne i kemi ofruar kryetarit të bashkisë së Tiranës së fundi një ofertë të sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës, segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe madje, ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për bashkinë pjesën jashtë qytetit që del në territorin e komunave të tjera. Bashkia duhet të vetë kufizohet dhe duhet ta ndërtojnë atyre që u takon. Mendoj se kjo përbën një zhvillim pozitiv në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut që është dhe ndotësi numër një i Tiranës, pasi Tirana nuk ka industri kimike, nuk ka termocentrale të mëdha. Tirana, ndotjen 2 herë më të lartë se qytetet e tjera e ka pikërisht nga trafiku. Edhe ndërtuesit janë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar të përdorin perdet që pengojnë përhapjen e pluhurit në rrugë, që është një gjë shumë pozitive dhe duhet ta respektojnë plotësisht. Gjithashtu edhe Ministria e Mjedisit duhet të jetë shumë serioze në këtë drejtim. Në qofte se ne i japim një përgjigje mjedisit në Tiranë, unë besoj se ne do të jemi ndër vendet më të pastra në Evropë dhe ky është një avantazh i madh. Ky është një vend me emetimet ndër më të ulëtat, është një vend i cili lufton me seriozitetin më të madh kundër emetimeve dhe më 1 janar të vitit 2010 nuk do të ketë më D2 për përdorim për makinat e të gjithë vendit, vendi i cili po bën përpjekjet më të ethshme për të zhvilluar energjinë e tij ujore, si forma më e pastër dhe për të ruajtur pozicionin e 25 që ka në pastërtinë e mjedisit, vend i cili po ndërton rreth 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të mbrojë brigjet, ujërat e deteve dhe liqeneve të vendit, është një vend i cili duhet të bëjë një përpjekje shumë më të madhe për pyllëzimin dhe ripyllëzimin sepse janë bërë me qindra e mijëra ha të zhveshura për të mbrojtur pyjet ekzistuese, por edhe për të veshur shpatet e kodrave dhe të maleve të zhveshura nga dora e njeriut apo nga zjarret, pra ne mbetemi të vendosur se kusht vendimtar për një zhvillim të qëndrueshëm është mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit.
Ministria e Mbrojtje në këtë buxhet ka 2 përqind, në përputhje me zotimin tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ministria e Integrimit do të ketë të gjitha investimet e nevojshme për të mobilizuar të gjitha resurset njerëzore për t’iu përgjigjur me dinjitet procesit të integrimit. Ministria e Ekonomisë për të vazhduar fuqishëm reformën rregullatore dhe proceset e zhvillimit të mëtejshëm të burimeve energjetike të vendit dhe minierave dhe sektorëve të tjerë. Ministria e Jashtme për hapjen e ambasadave në disa vende dhe modernizmin e sistemit të vizave. Po kështu Ministria e Brendshme do të ketë të gjithë mbështetjen për kontrollin e integruar të kufijve dhe përmbushjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga zotimi ynë për liberalizmin e vizave, por dhe për ta bërë jetën e qytetarëve gjithnjë e më të sigurt. Zoti Ministër, zotimi ynë në 4 vjet është që mesatarja e krimit në Shqipëri të jetë në nivelet e ulëta të kriminalitetit në vendet anëtare të BE.
...