E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të thuash ato që dihen



Fjalimi i Kryeministrit nga poltrona e Parlamentit u diskutua gjatë nga një pjesë e medias sonë, duke u cilësuar si një fjalim që e kthen Shqipërinë pas në kohë; si një fjalim që kthen Berishën e dikurshëm; si një fjalim i papranueshëm etj. Vetë lideri i opozitës dhe oborrtarët e tij reaguan ndaj këtij fjalimi “të ashpër”, të mbështetur edhe nga tarafi sektar i analistëve tanë, për të cilët do të flasim më poshtë.

Etika komunikative e diskursit politik shqiptar duhet theksuar se është respektuar nga një pjesë mjaft e pakët e politikanëve tanë, mirëpo kjo nuk të jep të drejtë për të thyer rregullat dhe normat e etikës së komunikimit dhe të sjelljes.

Ajo që vlen për t’u theksuar, së pari, është se a u thyen rregullat e etikës në diskutimin e Kryeministrit dhe, së dyti, ajo që asnjë nga tarafi sektar i analistëve tanë nuk e diskutoi, a pati ndonjë gjë të pasaktë dhe të gënjeshtërt në ato që z. Berisha tha.

Gjuha e z. Berisha mund të ketë qenë e ashpër dhe e papërmbajtshme, por, për hir të së vërtetës, asgjë nga ato që Kryeministri tha, nuk janë të panjohura për një pjesë mjaft të madhe të shoqërisë sonë.

E parë në këtë këndvështrim, Kryeministri thjesht renditi ato që të gjitha dihen për liderin e opozitës, por që asnjë nuk ka guximin ta thotë të drejtën dhe të vërtetën bash si është.

Jeta personale e z. Rama, e rrethuar shpeshherë me paqartësi dhe ambiguitet, nuk është thjesht jeta personale e një personi dosido dhe pa rëndësi për njerëzit.

Kjo s’duhet harruar, ngase z. Rama iu servir qytetarëve shqiptarë si shpëtimtari i tyre dhe si kandidat potencial për të zënë vendin e Kryeministrit, kështu që është e drejtë e publikut shqiptar, që, në radhë të parë, t’i bëhet e qartë se kush është në të vërtetë njeriu që mund t’i drejtonte nesër.

Z. Berisha, sipas meje, tha vetëm ato që të gjithë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat etj. i dinë dhe i diskutojnë. Tha vetëm ato që të gjithë në Partinë Socialiste, qoftë edhe në degën më të largët të kësaj partie, i dinë, por që askush nuk ka kurajën dhe guximin t’i përmendë, sepse, në të kundërt, ekzistenca e tyre partiake jo vetëm që do të vihej në dyshim, por nuk do të ekzistonte më.

***

Kur flas për gazetarët dhe për median në përgjithësi, gjithmonë më vjen në mendje fjala e ish-Presidentit amerikan, Jefferson, që thotë: “Më mirë të kemi një media pa qeveri, sesa një qeveri pa media”.

E ne, më duket se sot kemi pikërisht këtë të dytën: një qeveri pa media.

Media sot, qoftë ajo vizive apo e shkruar, e ka humbur më shumë se kurrë besimin e publikut.

Lidhja e saj me biznesin, e sidomos me biznesin e ndërtimit, ka shkaktuar një ndërvarësi të saj ndaj politikës, rrjedhimisht duke humbur kështu qëllimin e saj kryesor: të vërtetën.

Shpesh flitet se misioni i medias është interesi publik, mirëpo një shprehje e tillë është mjaft evazive dhe lë shteg për keqinterpretim. Misioni i medias, duke iu rikthyer edhe një herë manipulimit të publikut, nuk është interesi publik, por thjesht e vërteta.

Ka një lidhshmëri midis biznesit të ndërtimit (pronarëve të mediave më të mëdha në vend) dhe liderit të opozitës, njëkohësisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

E them këtë për arsyen e vetme se të gjithë e dinë dhe i njohin biznesmenët e ndërtimit në Tiranë dhe lidhjet e tyre me liderin e opozitës dhe të gjithë vazhdojnë e flasin për media të lirë dhe të pavarur.

Analistë dhe gazetarë që shpeshherë veprojnë si sekte të fshehta, me paturpësinë më të madhe, dalin po të njëjtët dhe po në të njëjtat emisione televizive, manipulojnë publikun e gjerë si të pavarur dhe si mbajtës të së vërtetës mbi shpinë, kur dihet se shumica e tyre si sejmenë të rëndomtë paguhen nga para që vijnë prej destinacioneve të dyshimta.

Ka arritur deri aty sa disa prej këtyre analistëve, edhe pse iu janë thënë publikisht, interesat e tyre dhe përfitimet e drejtpërdrejta nga lideri i opozitës, askujt nuk i bën përsëri përshtypje.

***

Të thuash ato që dihen: jo pa qëllim titullohet kështu ky shkrim.

Dihet se e gjithë opozita është vënë në shërbimin më të keq dhe më të rëndomtë ndaj një interesi: interesit vetjak të Edi Ramës.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij, mes të tjerash, tha se disa prej akteve të Edi Ramës dënohen me ligj, mirëpo akti më i madh, që është i dënueshëm, është manipulimi personal dhe vetjak i publikut nga Edi Rama dhe oborrtarët e tij.

Edi Rama humbi zgjedhjet, fill pas kësaj nuk respektoi standardin që ishte vendosur në Partinë Socialiste nga paraardhësi i tij, z. Nano, duke mos dhënë dorëheqjen, kështu që nuk i ka ngelur vetëm se ta fusë vendin dhe opozitën në qorrsokak vetëm e vetëm për të mbijetuar vetë politikisht dhe për të forcuar kredibilitetin e tij të humbur tashmë tek elektorati i majtë.

Proceset që po kalon vendi, janë historike dhe mjaft të rëndësishme, anëtarësimi i vendit në NATO dhe përgjigja pozitive për aplikim për në BE kërkojnë që sa më parë Rama të përfundojë në koshin e harresës dhe opozita të marrë rolin që i takon në këtë proces jetik për vendin.

Master në UT (Studime letrare).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›