Të tregosh histori, domethënë të lësh gjëra pas
Artistja Najada Hamza ekspozon në Ambasadën Gjermane një seri veprash nën titullin "28 Maj"
28 maj, është një fletë e veçuar enkas kalendari, për të qëndruar e menduar pak më gjatë mbi të gjitha ndjesitë, veprimet, ekzistencën, mendimin, përgjatë një dite.
Këtë ditë e ndryshon nga të tjerat numri kalendarik, fakti që unë e përzgjedh për të hulumtuar dhe identifikuar vetveten në të, duke e bërë ditën time të rrëfimit të ditës.
Ideja për të patur një histori ose një narracion që të jetë i rëndësishëm për punën time, ndoshta vjen nga nevoja për të patur diçka që ta ndjej që është tërësisht e imja.
Vendosa që 28 maji të jetë dita ime e kallëzimit të gjërave të thjeshta dhe jo të thjeshta që unë përjetoj.
Të jetë ditari i përjetimeve të ndërgjegjshme dhe jo të ndërgjegjshme, por këtë herë të marra në mënyrë të vëmendshme për t'i përcjellë vizualisht.
Rruga ime e të shprehurit është ajo e kolazhit, e shtresëzimit konceptual e material, e vendosjes dhe ndërthurjes bashkë të realiteteve dhe nocioneve në kohë të ndryshme. Veprat në "28 Maj" vijnë në forma të ndryshme, duke menduar që forma është ideja, përmbajtja thuhet e flet përmes saj, ashtu siç ndodh e kundërta. Të tregosh histori, për mua është të lësh gjëra pas.
Thjeshtësia e jetës së përditshme më kish çuar të besoj se në ditë të zakonshme unë nuk mund të gjeja dot subjektin e veprës. Prandaj vendosa të bëj të kundërtën e të analizoj të gjitha veprimet rutinë të ditës, duke filluar nga detyrat, detyrimet, mendimet.
Nuk ka ditë që gjyshja ime të mos jetë prezent teksa gatuaj, që fëmijëria ime të mos lidhet me erëra e imazhe, që kompjuteri të mos më kujtojë rrugëtimin e gjatë të tim ati, që çdo shtëpi ende e vjetër që e has teksa kaloj në rrugë, të më kujtojë ëndrra të tjerë gjyshërish e familjarësh, që portreti i vajzës teksa rri e shoh ngjashmërinë e saj me babanë të mos më habisë e intrigojë me pyetje për krijimin, ku rrugët plot makina e pluhur më kujtojnë ditët pa makina dhe varfëri.
Që ankthi i kohës që kalon për të kryer e mbaruar "punë" është shumë më i madh se vetë dita që iku, se nevoja e miqve vjen së bashku me mëngjesin dhe ritualin e kafesë, se përgjegjësia e ditës që jetoj është më e vogël se e asaj që vjen nesër.
Identifikova e mbështolla rreth vetes materiale, ndjesi kujtime, prekje, për të rrëfyer thjesht atë që jetoj dhe hedh tej çdo ditë.
Fëmijëria. Unë marr të gjithë intensitetin e kataloguar të informacionit nga fëmijëria, e cila më lejon të kthehem mbrapsht në kohë dhe të gjej tekstura dhe imazhe që t'i thur në punët që ngre.
Pema ime e jetës. Është e lidhur ngushtë po me të njëjtin informacion, ku forma e materiali i përzgjedhur përcjell ndjesitë e mia për historinë që tregoj. Struktura e qelqit dhe iluzioni optik janë elementet, të cilët së bashku me fotot e përzgjedhura me kujdes, strukturojnë dhe vizatojnë një copëz solide historie të shkuar e të tashme.
7 Evat.
Ndërthur shtresëzime të ndryshme historike, si nga pikëpamja formale e materiale, po ashtu pikëpjekje të imazheve vizuale, forma dydimensionale që ngjizen prej materiesh mëndafshi, elemente të tapicerive mesjetare, copëza kujtimesh.
Sënduku martesor, qendërzon një material të qëndisur, të cilin vajzat e reja e qëndisnin për të mbështjellë pajën.
Gjithnjë më ka intriguar formaliteti dhe celebriteti i imazheve të qëndisura, rrugëtimi e fati i tyre.
Classic Park-in. Vjen sërish në kujtim të atyre kohëve kur bari ishte ngado.
Për miqësinë, dashurinë dhe korrupsionin
"Ah, veshkat e mija", e dramaturgut grek Babis Cikliropulos, me regji të Birçe Haskos, vazhdon të shfaqet në fundjavë, në orën 20.00, në skenën "Black Box" të Akademisë së Arteve.
Janë angazhuar aktorët e rinj, Dorian Ramaliu, Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Marsela Lena. Skenografia dhe kostumografia janë të Beqir Nanajt.
"Ah, veshkat e mija", e përkthyer nga Natasha Kseno, është një komedi dramatike për miqësinë, dashurinë dhe... korrupsionin në mjekësi. Ky është një produksion i "Qendrës Art & Color" dhe Teatrit të Metropolit.
Shfaqjet e fundit për "Të gjithë me huqe"
Është fundjava e fundit e shfaqjeve për komedinë "Të gjithë me huqe" në Teatrin Kombëtar. Vepra e francezit Laurent Baffie, thotë se egocentrizmi është një humnerë që gëlltit veten dhe pastaj të tjerët.
Shërimi i tij është humanizimi. Kjo duket gjatë seancës së terapisë në grup të gjashtë personazheve që kanë ardhur të mjekojnë problemet me veten dhe të tjerët tek psikanalisti.
Regjisori Gëzim Kame ka punuar me aktorët Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Ermela Teli, Holta Daku, Genci Fuga dhe i ftuar special aktori Viktor Zhusti.