E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, tri parti të opozitës kërkojnë ndryshim listash

PSD, PDS dhe LSI kërkojnë zëvendësim kandidaturash pas tërheqjes së disave prej tyre. Por, në bazë të Kodit, ato konsiderohen ende pjesë e listave dhe mund të tërhiqen vetëm pasi të marrin mandatin e deputetit


TIRANË- Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur procesin e regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parlamentare të 28 qershorit, pranë tij nuk rreshtin kërkesat për ndryshime të mëtejshme të tyre.


Pavarësisht se ka skaduar çdo afat kohor dhe është përfunduar çdo procedurë ligjore, në KQZ kanë mbërritur gjatë ditës së djeshme një seri kërkesash për ndryshim të listave shumemërore nga disa parti, në disa qarqe.


Kërkesa kanë paraqitur dy forca politike dhe, më konkretisht, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokracia Sociale, si dhe është depozituar një tërheqje nga kandidimi i njërit prej kandidatëve të Partisë Socialdemokrate, vendi i së cilës natyrisht që do të kërkohet të plotësohet prej forcës që e kishte kandiduar.


Ndryshimet


Një fakt i tillë është bërë i ditur dje prej vetë kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, në një bashkëbisedim me gazetarët, i cili ka konfirmuar kërkesat prej subjekteve të mësipërme.


Kështu, Lëvizja Socialiste për Integrim është detyruar të bëjë një kërkesë të tillë edhe jashtë limiteve kohore ligjore, për shkak të tërheqjes nga gara dhe kalimit me Partinë Socialiste të kandidates së renditur e katërta në listën shumemërore të Qarkut të Fierit, Rudina Jupe.


Ajo kërkohet të zëvendësohet me një kandidate tjetër, emri i së cilës nuk është bërë i ditur nga përfaqësuesi i LSI-së në KQZ. Gjithashtu, një kërkesë për zëvendësim kandidatësh ka paraqitur edhe Partia Demokracia Sociale e drejtuar prej Paskal Milos, e cila kërkon të ndërhyjë në listën e një prej qarqeve.


Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Partia Socialdemokrate, pasi kandidatja e saj në Qarkun e Lezhës, Lule Njebza, është tërhequr nga gara. Ashtu si në rastin e LSI-së, edhe PSD-ja do të duhet ta zëvendësojë atë me një kandidate tjetër femër për të respektuar kriterin e përfaqësimit në kuotën e 30%-it me kandidate femra.


Kodi


Por, kërkesat e subjekteve politike për të ndërhyrë në listat e kandidatëve për deputetë edhe pas miratimit të tyre në mënyrë përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duket se bëhet i vështirë, për të mos thënë i pamundur.


Kjo pasi vendimmarrja e KQZ-së lidhur me këto kërkesa duket se do të kushtëzohet nga detyrimi ligjor që bën neni 73, pika 4 e Kodit Zgjedhor, ku është sanksionuar se, "emrat në listat shumemërore dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ-së".


Një nen i tillë i bën të pavlefshme kërkesat e subjekteve zgjedhore për të amenduar listat e tyre shumemërore, pasi në rast se do të ndodhte e kundërta, do kishim të bënim me një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor prej KQZ-së, si dhe do të krijonte një precedent që edhe forcat e tjera politike të mund t'i ndërronin listat e tyre herë pas here. Për këtë arsye, burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë konfirmuar dje se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur, pasi kjo do të vinte në rrezik gjithë procesin.


Si vijim mbetet që të gjithë kandidaturat e tërhequra nga gara të jenë ende pjesë e listave dhe në rast se shpallen fituese më 28 qershor, mund ta bëjnë dorëheqjen e tyre pasi të marrin mandatin e deputetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›