E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekët e blerë nga Shqipëria, dy të pandehur pranojnë fajësinë

SKANDALI/ Zv.presidenti i kompanisë, David Pekuz, ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit amerikanë për ngjarjen


SHBA - Vijon procesi gjyqësor lidhur me shitjen në Afganistan të fishekëve kinezë të marrë nga Shqipëria.


Nga katër të pandehurit, bëhet e ditur se gjatë seancës së parë gjyqësore e cila u zhvillua të martën në Majami, dy prej tyre i kanë pranuar akuzat e ngritura nga federalët për rolin e tyre në një skemë për shitjen e municioneve kineze ushtrisë amerikane.


Sipas federalëve, një veprim i tillë binte ndesh me kontratën prej 300 milionë dollarësh të nënshkruar nga ushtria amerikane.


David Pekuz dhe Aleksandër Podrizki, përkatësisht nga 27 vjeç, u deklaruan fajtorë për një akuzë të vetme, për të cilën mund të dënohen me një maksimum prej pesë vjetësh burg. Gjyqtari amerikan Joan Lenard tha se vendimin e tij do ta jepte më 28 shtator.


Pekuz, i cili është gjithashtu një autor tekstesh muzikore, si dhe një muzikant, ishte zëvendëspresidenti i AEY Inc., kontraktor me bazë në Majami, ndërsa Podrizki ishte agjenti i firmës në Shqipëri.


Presidenti i kompanisë, Efraim Diveroli, dhe partneri i tij në biznes, Ralf Meril, u deklaruan jofajtorë dhe presin zhvillimin e procesit gjyqësor. Provat në gjyq tregojnë se në janar 2007, ushtria amerikane kontraktoi kompaninë AEY me një shumë prej 298 milionë dollarësh për të siguruar fishekë 7.62 mm për ushtrinë afgane.


Por kontrata e ndalonte përdorimin e çdo municioni të prodhimit kinez për të përmbushur marrëveshjen. Furnizuesi më i madh ishte pikërisht kompania ushtarake shqiptare për importin dhe eksportin, e cila siguroi sasi të mëdha të municioneve kineze të prodhimit 1958-1974.


Pekoz dhe Podrizki pranuan gjatë seancës dëgjimore të së martës se ishin të përfshirë në një komplot për të fshehur origjinën kineze të municioneve, duke i riambalazhuar aty, si dhe duke u hequr gjurmët që tregonin se ishin prodhuar në Kinë. Së fundi, 35 dërgesa të cilat përmbanin rreth 90 milionë paketa u çuan në Afganistan, duke i kushtuar ushtrisë mbi 10,3 milionë dollarë.


Kompania AEY i siguroi ushtrisë certifikata që tregonin se municioni kishte ardhur nga Shqipëria, certifikata për të cilat prokurorët thanë se ishin false.


Inspektori i Departamentit të Shtetit, vitin e kaluar nisi një hetim për faktin nëse një diplomat amerikan ishte i përfshirë në këtë çështje.


Për më tepër, hetuesit e Kongresit Amerikan zbuluan se në vitin 2008, kompania AEY u dha helmeta jo të sigurta trupave në Irak, dështoi në dërgimin e mbi 10 mijë pistoletave në Irak dhe u dërgoi më pak municione seç duhej forcave speciale të ushtrisë amerikane.


Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit kanë ndërprerë ose tërhequr shtatë kontrata me kompaninën AEY për shkak se ajo dështoi në plotësimin e tyre. Pekuz dhe Podrizki deklaruan se ishin fajtorë dhe kërkuan falje duke nënshkruar edhe se do të ndihmonin hetuesit që të identifikonin pronat që mund të jenë subjekte sekuestrimi.


Skandali me fishekët kinezë që bliheshin në Shqipëri u zbulua nga gazeta "Nju Jork Taims" vetëm pak ditë pas shpërthimit të ndodhur në Gërdec.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›