E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të varfrit nuk janë pensionistët"

Përfundimet e raportit të Bankës botërore mbi varfërinë në Shqipëri shpjegojnë qartë se përse zyra e këtij institucioni në Tiranë hodhi poshtë analizën e qeverisë për adresimin e ndihmës ndaj shtresave në nevojë. "Për sa u përket pagave të punonjësve të sektorit publik dhe rritjes së përvitshme të tyre, ne do të ishim dakord me qeverinë që tani duhet pritur. Ndërsa për pensionet, varet shumë nëse këto pensione shkojnë apo jo te familjet më të varfra. Në fakt, pensionet nuk janë një sistem i mirë targetimi për ta përdorur në mënyrë të përgjithshme për trajtimin e impakteve që po godasin familjet më të varfra," deklaroi pak ditë më parë përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Nuamah. Por kjo deklaratë që vinte në dyshim eficensën e ndërhyrjes përmes pagave dhe pensioneve ka një argument të fortë nga mbrapa. Raporti i fundit mbi varfërinë tregon se nuk janë pensionistët apo ata që kanë një punë me të ardhura të pakta, që janë më të varfrit. I hartuar me vëzhgime të kryera nga viti 2002 deri në vitin 2005, por i publikuar vetëm pak kohë më parë, ky raport arrin në përfundimin se gati 40 për qind e atyre që jetojnë në varfëri ekstreme janë kryesisht familjet e reja, ku kryefamiljari nuk është më i madh se 30 vjeç. Këto familje të reja, që përbëjnë dhe shtresën më të rrezikuar nga kriza e çmimeve, në pjesën më të madhe, pjesëtarët e saj janë të papunë. Për rrjedhojë nuk përfshihen në asnjë mekanizëm kompensues nga ata që qeveria ka premtuar se do të përdorë. Eficensa e ndërhyrjes së shpallur nga qeveria, vihet në dyshim edhe nga një tregues tjetër. Sipas Bankës Botërore, më shumë se 46 për qind e të varfërve sot në Shqipëri, janë individë të vetëpunësuar dhe kryesisht në bujqësi. Për rrjedhojë, ky grup prej 260 mijë personash që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj, mbetet në pjesën dërrmuese jashtë skemës kompensuese të qeverisë. Pensionistët duket se janë grupmosha që rrezikohet më pak nga varfëria. Sipas konkluzioneve të raportit, vetëm 17 për qind e të varfërve në vend janë pensionistë. Aktualisht, në Shqipëri mendohet të jenë rreth 565 mijë të varfër që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj. Por ky numër rrezikohet të rritet si pasojë e krizës së fundit të çmimeve. Banka Botërore ka llogaritur se një rritje prej 5 për qindësh e çmimit të ushqimeve bazë, e shton më 2-3 pikë, ose më afro 17 mijë vetë armatën e të varfërve në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›