E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristopuli: SHIK-u më shkatërroi jetën

Ziso Kristopuli është një nga dëshmitarët e dosjes së rikthyer nga prokuroria për zhdukjen e Remzi Hoxhës vite më parë. Ai është një nga të rrëmbyerit nga SHIK-u në vitin 1995, për të cilat ai arsyet nuk i kupton dhe për këtë kërkon shpjegime. Kristopuli jeton në Sarandë dhe ajo ngjarje e 13 viteve të shkuara e ka goditur rëndë. "Unë kam pasur një biznes të mirë. Kam pasur një pulari, një serë diellore, një lokal buzë detit. Dhe nuk desha të merresha me politikën e madhe, desha të merresha me politikën e vogël. Ku më gjetën mua nga Maqedonia në Sarandë? Kush isha unë? Cili isha unë që mund të arrija të përmbysja pushtetin e Berishës? Cili isha unë që mora vulën nga Serbia dhe vulosa tërë fletët e referendumit të Jugut që humbi Kushtetutën e vitit 1994? Nuk e imagjinoj dot veten dhe nga këto dua të çlirohen. Nga këto duhet të heq ankthin. Kam duruar shumë gjëra. Kam humbur pasurinë time. Kam humbur familjen time. Kështu që dua të mësoj të vërtetën", është shprehur Kristopuli. I kënaqur që prokuroria i riktheu çështjen, ai kërkon të drejtën e tij, por edhe kompensim për atë që i ndodhi. "Mbasi u lirova edhe isha i dëmtuar fizikisht, më vonë familjarisht, akoma më vonë ekonomikisht, pasi sot jam i vrarë totalisht, kërkoj një të drejtë nga prokuroria në radhë të parë, por edhe nga shteti. Të më jepet e drejta e dinjitetit si qytetar dhe dëmshpërblim" shprehet i rrëmbyeri nga SHIK-u. Ziso Kristopuli jeton i vetëm, pasi shumë vite më parë familja e tij u largua për në Athinë. Ajo që i ka ndodhur i ka lënë gjurmë të thella dhe shërimi i vetëm është zbardhja e asaj që ndodhi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›