E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja "Ukaj", flasin kolegët: Ku është e vërteta

Aliu ka qenë dhe mbetet përgjithmonë miku ynë. I ri, me një mjekër të hollë, por edhe me një forcë shumë të madhe brenda tij. Kështu e kujtojnë miqtë gazetarin e ri, Ali Ukaj, i cili u vra në banesën e tij një natë korriku në vitin 1997. Një nga miqtë e tij është edhe gazetari Lorenc Vangjeli, i cili kujton momentet e jetuara me Aliun dhe çastin kur i morën jetën. Edhe miqtë e tjerë të tij, mbështetin të njëjtat mendime. Ata nuk e harrojnë atë ditë, kur morën vesh vrasjen e tij, përpalljen me autorin, apo edhe dhimbjen në përcjelljen e tij për në banesën e fundit. Teksa rrëfejnë për Aliun, miqtë e tij gazetarë e përfytyrojnë ashtu siç ishte, i thjeshtë, plot gjallëri e forcë për të thënë të vërtetën.

Si e kujtoni Aliun?

Ne kemi punuar në "Gazetën Shqiptare", por marrëdhëniet tona, si dhe të gjithë kolegëve të tjerë, i tejkalonin muret e zyrës. Me Aliun nuk mund të ishe veçse mik. Në atë kohë, një grup të rinjsh entuziastë që besonim fort te morali dhe tek e vërteta, ndanim në lirinë tonë, pikërisht dëshirën për t‘i shërbyer së vërtetës. Dita jonë fillonte në mëngjes dhe shpesh mbaronte mëngjesin pasardhës e brenda këtij harku kohe konsumonim të gjitha minutat e punës apo të argëtimit, dashuritë apo trishtimin tonë, kafetë pafund apo bisedat që zgjasnin po aq.

Më kujtohet mirë një reportazh që do të botonte, nga të fundit të tij; Aliu kishte hyrë ilegalisht në Kosovë si gazetar dhe duhet të shkruante për atë ç‘ka kishte parë aty. Ishte një nga herët e para që kam dëgjuar emrin e UÇK-së dhe ishte fundi i vitit 1996. Aliu besonte në një ëndërr dhe ajo çka na solli atëherë ai nga Prishtina, i ngjante vërtet një ëndrre.

Vrasja e tij. Si e kujtoni atë ditë kur morët lajmin e kobshëm se Aliu ishte vrarë?

E kam shumë të vështirë ta kujtoj atë ditë, nuk e mbaj mend se kush e solli për herë të parë lajmin në klubin ku mblidheshim të gjithë ne gazetarët atëherë, por përballja me të ishte e jashtëzakonshme. Deri më atëherë ishim ne që shkruanim për vdekjen e të tjerëve, kësaj radhe vdekja kishte ndodhur mes nesh. Kam shkuar në morg për të bërë identifikimin e trupit dhe ajo pamje ka qenë nga më të dhembshmet të jetës sime. Fytyra e tij e bukur me pak mjekër ishte dëmtuar shumë rëndë, e shihja dhe thosha me vete se viktima nuk ishte Aliu ynë. Është e pabesueshme se çfarë ndjen njeriu në ato çaste. Dikush kishte vdekur, por nëse vdekja do të ishte e dikujt tjetër të panjohur, më ngjante si një motiv për të qenë i lumtur. Njeriu është cinik dhe egoist. Kisha përpara një kufomë, por ndjehesha pothuaj i lumtur, sepse nuk më ngjante me mikun tonë. Largohesha, afrohesha ta shihja sërish dhe vetëm mbas minutash të pafundme u binda se shtrirë përdhe në atë shtrat me pllaka majolike, ndodhej vërtet Aliu ynë. E njoha vetëm nga rripi i tij i pantallonave, vuajtja që kishte pësuar në momentet e fundit ishte e tillë sa dukej se ai mik i urtë kërkonte të na kursente dhimbjen e njohjes. Të nesërmen, në mos gaboj në komisariatin e policisë kam parë dhe njeriun që akuzohej si vrasës i tij. Na kishte vrarë të gjithëve dhe kjo që sot mund të tingëllojë si metaforë, atëherë ju siguroj, ishte një ndjesi plotësisht fizike. Viti 1997 ishte vit i rëndë dhe atëherë vdekja ishte një mysafir i zakontë, por as vdekja vetë nuk mund të afrojë paqen, e mjaft për t‘u mësuar me praninë e saj. Sidomos atëherë kur vjen e papritur, sidomos atëherë kur vjen me atë ngulsh dhimbjeje. Familja e Aliut tonë ishte në Kosovë dhe ne të tjerët në redaksi, ishim familja e tij. Edhe për këtë arsye, vdekja e tij kishte ndodhur në mes të familjes sonë.

A është e drejtë që dosja për vrasjen e tij të rihapet?

Një vdekje kërkon gjithmonë shpagim. Jo hakmarrje, por drejtësi. Nuk mund të gjykoj se çfarë mund të sjellë hetimi, por në të gjitha rastet, shpirti i Aliut, por dhe shpirtrat e familjarëve të tij dhe gjithë ne miqve që e kemi dashur si vëlla, do të gjejmë pak më shumë prehje. Aliu e ktheu me vdekje borxhin e tij ndaj jetës atëherë kur nuk duhej, ne të gjithë kemi borxh ndaj tij të ndihmojmë sa të mundemi për të vërtetën e jetës së tij të ndërprerë kur nuk duhej.

Kolegët

Edmond Laçi: E pashë Aliun në një debat dhe e ftova për të punuar si gazetar

"Aliu u kuptua që në fillim se ishte një gazetar i mirë"

Ka mjaftuar një debat televiziv për të kuptuar potencën që kishte Ali Ukaj si gazetar. E këtë e ka vënë re Edmond Laçi. Në atë kohë kishte parë Aliun, teksa debatonte në një emision televiziv. Një ditë rastësisht e ka takuar dhe i ka kërkuar që ai të punonte si gazetar te "Gazeta Shqiptare". Ndërsa gazetarja Dori Daka, ende e kujton me dhimbje natën kur Aliu u vra. Ajo ishte ndër të parat që shkoi në morg për të parë trupin e pajetë, pasi kishte qenë edhe një ndër koleget më të afërta të tij.

Edmond Laçi

Herën e parë, Aliun e kam parë në një debat televiziv dhe më bëri përshtypje se kishte një mendim shumë të thellë. Ndërsa një ditë tjetër, duke ecur aty te "Televizioni Shqiptar", vura re Aliun, i cili ishte student në atë kohë. Kur e pashë i fola në rrugë, duke e pyetur ‘ti je ai studenti që të kam parë në televizor në një debat me Gjinushin?‘ Ai më tha - ‘Po‘, dhe unë e pyeta pse nuk vinte të punonte si gazetar te "Gazeta Shqiptare". Më pas, ai m‘u përgjigj: Jo ç‘të punoj unë aty. Unë këmbëngula, duke i thënë hajde, e më pas ai vendosi të vinte. E provoi dhe doli vëllai ynë. Ka qenë një nga gazetarët më të mirë. Mund të them se ka pasur mangësi në të shprehur, normal, siç e kanë shumica e kosovarëve, por kishte edhe një mendim në të shkruar shumë të thellë. Ishte gazetari më i mirë. Ai ishte një tip besnik dhe plot energji. Madje, ai kishte edhe shumë forcë, pavarësisht se ishte trupvogël. Më kujtohet se kishte aq shumë forcë sa një natë, më mori motorin dhe e ngjiti deri në katin e tretë te shtëpia e tij. Ai ishte një gazetar, i cili trajtonte çështje nga më të ndryshmet. Merrte një çështje dhe e zgjidhte deri në fund. Aliu punonte me të gjithë, si në një punishte me qëllim që të ketë prodhimin më të mirë. Ishte njeriu që rrinte gjithmonë me ne, ishte miku më i mirë.

Dori Daka

Me Aliun kemi pasur, mbi të gjitha, miqësi. Fjalë në të cilën bëhen bashkë shumë vlera e që jo shpesh qëllon ta meritojë lidhja mes dy njerëzve. Ai ishte i pari që më foli për UÇK-në dhe besimi i tij te kjo forcë më mrekulloi. Bindja e tij e bën atë, sot, edhe shumë largpamës. Një nga vlerat e shumta që kishte miku im. Aliu nuk meritonte të paktën dy gjëra në jetën e tij fatkeqësisht të shkurtër: mënyrën se si vdiq dhe mungesën e vendosjes së drejtësisë në vend, nëse një gjë e tillë është e vërtetë. E ndërsa e para është një fatalitet i hidhur dhe i pakthyeshëm, për të dytën mendoj se herët ose vonë koha duhet të vijë. Kjo do të ishte më e pakta që mund të bëhej për Ali Ukën.

Hetimi

Ukaj, në dosjen e Remzi Hoxhës

Emri i gazetarit Ali Ukaj ka dalë në hetimet për zhdukjen e Remzi Hoxhës, pasi disa dëshmitarë kanë deklaruar se ai kishte investiguar këtë çështje. Sipas të dhënave nga prokuroria, këtu ka lindur dyshimi për rishikimin e kësaj dosjeje, ndërkohë që një kërkesë e tillë do i dërgohet Prokurorisë së Tiranës, që ka arkivuar këtë dosje që pas vendimit të gjykatës. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka mbledhur dëshmi të reja mbi këtë ngjarje, ku janë përmendur disa emra, duke ngritur dyshimet se vrasja e tij mund të ketë ardhur për shkak të investigimit për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Por, sipas hetimeve, vërtetimi i tyre mund të jetë shumë i vështirë, pasi shumë fakte janë zhdukur dhe mungesa e informacionit pengon dokumentimin e plotë të dosjes. Gjithashtu, nëse nga verifikimet e dosjes së vrasjes së gazetarit do të ketë fakte të reja dyshuese, atëherë do të lindë nevoja për gjetjen dhe rimarrjen në pyetje të autorit të vrasjes, i cili aktualisht mendohet se ndodhet në Zvicër, ku jeton me dokumentacion të rregullt që prej disa vitesh.

Largimi misterioz i Selman Ukajt nga psikiatria. I shmanget edhe familjes së viktimës

Dyshimet e arratisjes dhe zhdukjes së vrasësit të gazetarit Ali Ukaj

Zhdukja e autorit të vrasjes së gazetarit Ali Ukaj mbetet një mister, pavarësisht se gjykata kishte vendosur që ai të mbyllet në psikiatri. Vetëm pak kohë pasi ai u dërgua në psikiatri, në kushte të pashpjegueshme, u arratis e më pas u largua në Zvicër. Që në atë kohë, e deri më sot, askush nuk ka dëgjuar për të. Edhe familja e gazetarit të vrarë ka tentuar të lidhet me të, por ai u është shmangur herë pas here, duke lënë të pandriçuara shumë fakte në lidhje me vrasjen e asaj nate korriku në vitin 1997. Grupi hetimor shprehet se pikërisht më 27 prill të vitit 1998, Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin e Selman Ukajt për vrasje, pasi ai ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Gjyqi e shpall fajtor, por në vend të dënimit me burg, e liron si të sëmurë psikik dhe e dërgon në një spital psikiatrik të Elbasanit. Pas një kohe të shkurtër, askush nuk dëgjon më për të. Selman Ukaj arratiset nga ky spital dhe kalon në Zvicër, ku mendohet se edhe sot jeton. Madje, ai nuk ekziston i regjistruar në asnjë nga pikat kufitare shqiptare, fakt i cili tregon se ai ka ikur nga Shqipëria në rrugë të jashtëligjshme. Mirëpo, fakte të tjera tregojnë se ai kurrë nuk ka qenë në Kosovë pas këtij rasti. Ndërsa në Zvicër jeton si njeri normal. Shumë herë, familja e gazetarit të vrarë, Ali Ukaj, ka provuar të vendosë kontakte me të. Por, ai është shmangur gjithnjë. Këtë të fundit e ka dëshmuar edhe babai i Ali Ukajt, Ramadan Ukaj, në një intervistë të dhënë në mediat kosovare. Por, duke iu rikthyer arratisjes së tij, shteti shqiptar nuk ka dhënë ndonjë shpjegim. Pavarësisht se ai ishte person i rrezikshëm dhe gjykata kishte vendosur që ai të kurohet me detyrim në spital psikiatrik, ai nuk e mori një kurim të tillë. E veç kësaj, nuk ekziston asnjë fakt, nëse u mor as ndonjë masë ndëshkuese për arratisjen e tij, ndërkohë që historia e tij u shua dhe nuk u rihap asnjëherë. Sipas mjekëve, Selman Ukaj ka paraqitur çrregullime të stresit postraumatik dhe se veprën penale e ka kryer në kushtet e afektit patologjik, ku errësimi i vetëdijes me axhitim psikomotor ka çuar në prishjen tërësisht të ekuilibrit të tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij. Kjo ngjarje e rëndë u regjistrua më datë 29 korrik 1997, rreth orës 00.30, Selman Ukaj, sapo ishte kthyer me viktimën Ali Ukaj në banesën e këtij të fundit. Kanë vënë re se banesa ishte bërë rrëmujë nga vjedhësit. Midis të pandehurit dhe viktimës ka filluar një konflikt, për shkak të pasaportave personale të tij dhe të afërmve të Selmanit, të cilat nuk po i gjenin. "Në grindje e sipër, Selman Ukaj ka goditur viktimën me sende të forta, ku sipas aktit mjekoligjor i është shkaktuar vdekja. Pas momentit të goditjes, i pandehuri ka filluar të bërtasë, duke e mbajtur për shumë kohë viktimën në prehër. I pandehuri nuk ka lëvizur nga banesa deri kur është lajmëruar policia dhe e kanë arrestuar", deklarohet në vendimin e gjykatës. Por, gjykata e ka nxjerrë këtë person të papërgjegjshëm nga akti i ekspertizës.

Akuzat

Gazetari, mes shkrimeve për UÇK-në dhe përgjimit të SHIK

Pas vrasjes së gazetarit Ali Ukaj, një sërë akuzash u ngritën se kjo mund të jetë kryer nga SHIK-u i asaj kohe, apo edhe nga shërbimet e fshehta të vendeve të tjera. Megjithatë, këto fakte nuk u ndriçuan ndonjëherë. Një ndër akuzuesit ka qenë edhe Forumi i Mediave të Lira. Por, ende të paqarta mbeten rrethanat e vrasjes dhe ato të pasvrasjes. Gjithashtu, gazetari ishte një person i përgjuar nga SHIK-u i asaj kohe, ndërkohë që kishte publikuar edhe një sërë artikujsh për UÇK-në. Gjithsesi, jeta e tij e shkurtër ishte shumë aktive. Ali Ukaj ka lindur në fshatin Lumbardhë të Deçanit. Në kohën kur ishte student, Aliu detyrohet të arratiset në Shqipëri në vazhdën e burgosjeve dhe represionit në vitin 1993, që ushtronte policia serbe. Aliu ishte kërkuar shumë herë nga policia serbe, që të arrestohej. Në Tiranë vazhdoi studimet në degën e Gazetarisë. Njëkohësisht edhe punonte si gazetar. Me origjinë nga Kosova, për rreth katër vite, viktima ushtroi profesionin si gazetar në Tiranë. Pasi ndoqi studimet e larta në Kroaci, për Gjeopolitikë, 26-vjeçari vazhdoi Fakultetin e Gazetarisë në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›