Të vegjlit: Faji ishte i sistemit
Aristir Lumezi & Adi Shkëmbi
Kur kanë ngelur më pak se 200 kuti për t’u numëruar, ajo që mund të thuhet me saktësi, është se shumica e krerëve të partive të vogla do të mbeten jashtë Parlamentit në katër vitet e ardhshme. Tre ditë pas 28 qershorit, ndërsa po konfigurohet edhe Parlamenti i ri, vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim kanë mundur të fitojnë përfaqësim në Parlament. Pas këtij rezultati surprizë për këto forca të ashtuquajtura të vogla, kërkesa e tyre e përbashkët është rishikimi i Kodit Zgjedhor nga legjislatura e ardhshme. Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi i kontaktuar nga gazeta “Panorama” thotë se duhet ndërhyrë në ligjin elektoral, megjithëse është i kënaqur nga fakti që votat e kësaj force po ndihmojnë PS-në. “Votat edhe në këto zgjedhje po numërohen si në Shqipëri. Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime që duhen bërë menjëherë nga parlamenti i ardhshëm. Me votat tona, ne kemi kontribuar në shtimin e mandateve të koalicionit tonë”, u shpreh Gjinushi. Ndërsa kryetari i PDS-së Paskal Milo, theksoi se “Partia Demokracia Sociale po ndjek me vëmendje procesin e numërimit të votave. Në këtë situatë, ne po përpiqemi që votat tona të ndihmojmë koalicionin tonë “Bashkimi për Ndryshim” që të mundësohet marrja e një deputeti më shumë, kryesisht në Tiranë ku lufta po bëhet edhe më e madhe për epërsinë numerike”. Nga ana tjetër partitë e vogla të djathta, që si pasojë e këtij sistemi nuk do të jenë në parlament, akuzojnë dy forcat e mëdha politike. “Sipas të dhënave të vëzhguesve të PDK-së dhe aleatëve tanë në Polin e Lirisë, në shumicën e komisioneve zonave të administrimit zgjedhor janë shfaqur veprime të paligjshme të tjetërsimit të votës, duke shënuar në procesverbale numra shumë më të ulët të votave të subjektit tonë sesa numri real i votave që shfaqet publikisht edhe në ekranet e tavolinave të numërimit”, thuhet në një deklaratë të PD-së. Në të njëjtën linjë është edhe Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. “Ajo që dyshohej po ndodh, të dy partitë motra nga nëna po kushtëzojnë praninë e opozitës reale dhe kundërshtarëve të tyre në Kuvend. Kjo po komprometon kthimin në demokraci, zhdukjen e korrupsionit, vendosjen e drejtësisë. Një atmosferë rrëmujë sundon në QNV, presioni i hapur nga prania me shumicë e njerëzve të paprinciptë pranë qeverisë. Presioni dhe kërcënimet ditën e votimit këtu janë zëvendësuar me arrogancën komuniste dhe padrejtësitë”, theksoi Shehi.
Paskal Milo
Kreu i PDS-së Paskal Milo, nuk donte të komentonte rezultatin e këtyre zgjedhjeve për partinë që ai drejton, apo defektet e sistemit zgjedhor që bëri eliminimin e partive të vogla, të cilat nuk kanë pasur edhe komisionerë gjatë këtyre zgjedhjeve. “Partia Demokracia Sociale po ndjek me vëmendje procesin e numërimit të votave. Në këtë situatë, ne po përpiqemi që votat tona të ndihmojmë koalicionin tonë “Bashkimi për Ndryshim” që të mundësohet marrja e një deputeti më shumë, kryesisht në Tiranë ku lufta po bëhet edhe më e madhe për epërsinë numerike”, u shpreh Milo.
Skënder Gjinushi
PSD e drejtuar nga Skënder Gjinushi është një tjetër parti e “persekutuar” nga sistemi zgjedhor proporcional rajonal, duke mos marrë asnjë mandat deputeti. Kryetari i saj, thotë se duhen bërë rregullime në Kodin Zgjedhor, ndërsa shprehet i kënaqur se edhe pse nuk ka marrë vetë si parti deputet, votat e PSD kanë ndihmuar në marrjen e mandatit nga ana e PS-së. “Votat edhe në këto zgjedhje po numërohen si në Shqipëri. Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime që duhen bërë menjëherë nga Parlamenti i ardhshëm. Me votat tona, ne kemi kontribuar në shtimin e mandateve të koalicionit tonë”, u shpreh Gjinushi.
Neritan Ceka
“Partia Aleanca Demo-kratike pati të njëjtin fat si dhe partitë e vogla nga një ligj, që nuk jepte hapësirë dhe përfaqësim partive të tjera, përveç dy partive, PD dhe PS. Ne mbetemi pjesë e koalicionit të djathtë, që do të jetë në qeverisje, ku PAD do të japë kontributin e saj. Unë mendoj se ajo që ka nevojë të bëhet është një ligj zgjedhor që të garantojë pas zgjedhjeve një stabilitet politik në parlament dhe në qeverisje. Ky sistem nuk nxjerr qeverisje me bazë të gjerë dhe për pasojë çdo qeverisje e dalë nga ky sistem do të jetë e brishtë dhe jo e qëndrueshme”, u shpreh Ceka.
Dashamir Shehi
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, akuzoi dje dy forcat e mëdha politike për manipulime në procesin e numërimit të votave. “Ajo që dyshohej po ndodh, të dy partitë motra nga nëna po kushtëzojnë praninë e opozitës reale dhe kundërshtarëve të tyre në Kuvend. Kjo po komprometon kthimin në demokraci, zhdukjen e korrupsionit, vendosjen e drejtësisë. Një atmosferë rrëmujë sundon në QNV, presioni i hapur nga prania me shumicë e njerëzve të paprinciptë pranë qeverisë. Presioni dhe kërcënimet ditën e votimit këtu janë zëvendësuar me arrogancën komuniste dhe padrejtësitë”, tha Shehi.
Ndoka: Manipulime me procesverbalet
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka akuzoi dy forcat e mëdha politike për manipulim të procesit zgjedhor. “Sipas të dhënave të vëzhguesve të PDK-së dhe aleatëve tanë në Polin e Lirisë, në shumicën e komisioneve zonave të administrimit zgjedhor janë shfaqur veprime të paligjshme të tjetërsimit të votës, duke shënuar në procesverbale numra shumë më të ulët të votave të subjektit tonë se sa numri real i votave që shfaqet publikisht edhe në ekranet e tavolinave të numërimit”, tha Ndoka.
Starova: Partitë e mëdha na shantazhuan
Sipas kreut të PBL-së, Arjan Starova “nuk e ka fajin sistemi, por lufta që u bë kundër partive të vogla ditët e fundit. Sistemi është në rregull për mendimin tim. Ka pasur përpjekje ditët e fundit që partitë e vogla të mos marrin vota, këtu përfshij edhe shantazhin që iu bë atyre, në mënyrë të padukshme më shumë se sa të dukshme. Këtu fus edhe Partinë Demokratike. Votat u vodhën dhe procesi u bastardua. Sipas njerëzve të mi që kanë asistuar në procesin e numërimit, ai ka pasur shumë probleme”.