E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI merr një mandat në Tiranë, PS mbetet me 15

 

bledar hoti

Kur mandati i 16 shpresohej të merrej nga ana e PS-së, KQZ-ja ka publikuar rezultatin zyrtar që deputeti për kryeqytetin t’i takonte Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pikërisht ky rezultat ka zbehur disi entuziazmin e PS-së për të shpresuar që të shkonin në barazim mandatesh me PD-në jo vetëm në metropol, por edhe në rang kombëtar. KQZ-ja ka nxjerrë LSI-në me 5.1 për qind të votave me mbi 15 mijë vota. Direkt ky rezultat ka sjellë më pas që të 32 mandatet të ndahen me 15 për PD-në, një për PR-në, 15 për PS-në dhe 1 për LSI-në. Votat e marra nga ana e LSI-së tregon se i ka marrë në zonat që ajo i ka si bastione të sajat në kryeqytet. Pas këtij rezultati, ku mandatohej një deputet, shpresohej që LSI-ja të synonte numrin e dy deputetëve për qarkun e Tiranës. Në numërimet e para të datës 29 qershor, LSI-ja të kishte marrë 10.007 vota, ose 4.31%. Por dita e djeshme tregoi se LSI-ja pati një rritje të ndjeshme të votave, duke marrë gati dyfishin si koalicion politik Aleanca Socialiste për Integrim. Në rezultatet mëpasme pati rritje të votave të LSI-së, duke shkuar në 5.13 për qind, duke marrë 16.304 vota si koalicion dhe si subjekt politik me 14.398 vota. Në orën 22:00 rezultati i kutive të votimit që lidhej me numërimin e kutive të njësisë 6 dhe 5 të kryeqytetit, ku njihen si bastione të së majtës, kanë rritur ndjeshëm rezultatin në favor të LSI-së. Mbi bazën e këtyre të dhënave PD-ja si koalicion ishte më para se PS-ja, duke ruajtur diferencën e 3 mijë votave. Me ardhjen e kutive të votimit nga këto zona që njihen si bastione të së majtës, shpresohej që mandati i dytë të ishte më pranë LSI-së, duke bërë që kësaj here t’ia rrëmbente PD-së mandatin e 16 të deputetit. Në orën tre të drekës u vërejt që koalicioni i PS-së të ngushtonte numrin e votave me koalicionin e PD-së, në 2 mijë vota. Socialistët si koalicion morën 148.245 vota, ndërsa demokratët si koalicion morën 150.174 vota. Ndërsa si subjekte PS-ja rezultonte me 138.560 vota, ndërsa PD-ja ka marrë gjithsej 136.460 vota. Ndërsa LSI-ja me koalicionin konfirmonte votat e saj me 5.23 për qind të votave. Në orën gjashtë pasdite koalicioni i LSI-së shkoi në 5.3% të votave, me 17.603 vota, ndërsa si subjekt rezultoi me 15.490 vota. Në këto kuti votimi, PS-ja po i afrohej PD-së si koalicion dukë bërë diferenca ndërmjet tyre të shkojë në rreth 1300 vota. Konkretisht koalicioni i PS-së rezultonte me 153.074 vota dhe koalicioni i PD-së me 154.368. Kjo ka ndezur shpresat e PS-së për të marrë një mandat, duke synuar që rritja e votave të tyre synonte heqjen e mandatit të LSI-së. Kjo situatë rivaliteti me vota të njëjta mes dy partive të mëdha ka vazhduar deri në orën 19:00, aq sa diferenca mes koalicionit PD me PS shkoi në 902 vota gjithsej. Konkretisht koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” rezultoi me 157.001 vota, ku PS-ja si subjekt politik kishte 146.792 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” rezultonte me 157.903, ku PD-ja si subjekt, sipas KQZ-së rezultonte me 142.935. Kjo ishte edhe momenti kur PS-ja kalonte PD-në si subjekt. Ndërsa konsolidimi i LSI-së me 5.35%, me 18.236 vota ka zbehur përfundimisht shpresat që t’i hiqej mandati i kësaj force politike. Pas orës 20:00 janë ndezur shpresat e PD-së pasi ka nisur depozitimi i votave nga ana e komunës së Paskuqanit, aty ku njihet si bastion i demokratëve. Kjo gjë ka bërë që koalicioni i PD-së t’i rikthehej votave të mëparshme duke përfituar goxha pozicione. Konkretisht rezultonte që në 747 Qendra Votimi, nga 826 që janë gjithsej në Tiranë, koalicioni i PD-së të kishte 159.272 vota, me 46.43%, ndërsa koalicioni i PS-së rezultonte 157.869 vota me 46.02%. Koalicioni i LSI-së shkonte me 5.33 për qind me 18.284 vota. Diferenca PD me PS ka vazhduar përgjatë shumë kohësh me 2 mijë deri në 3 mijë vota. Në ora 24:00 sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se nga 778 Qendra Votimi të numëruara koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” ka 169.071 vota, ndërsa koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” me 165.582 vota. Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim” shkon gjithsej në 1937 vota, duke shkuar në rreth 5.5 për qind të votave. Në këtë qark që është më i madhi në Shqipëri, ku ka shumë mandate dhe mundësi për të fituar ka zhgënjyer koalicioni “Poli i Lirisë”, i cili nuk ka arritur 2 për qind të votave, në një kohë kur për t’u futur në garën e ndarjes së mandateve duhej të kishte 3 për qind të votave.

Shifra e Tiranës

Në orën 24:00

• Nga numërimi i 778 nga 826 Qendrave të Votimit gjithsej

• Koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”
169.071 vota

• Koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”
165.582 vota

• Koalcioni “Aleanca Socialiste për Integrim”
19.327 vota

Mandatet

Kolacioni “Aleanca e Ndryshimit”
16 mandate
• PD 15 mandate
• PR 1 mandat

Koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”
15 mandate

Koalicioni “Aleanca Socialiste Për Integrim”
1 mandat i fituar nga LSI-ja

Koalicionet, PD merr 46.74%, PS 45.46%
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, në konferencën e fundit për median në orën 22:30 bëri të ditur dhe mënyrën e përqindjes mbi bazën e votave të llogaritura në rang kombëtar. Sipas tij, koalicioni politik “Aleanca e Ndryshimit” e udhëhequr nga PD-ja rezulton të jetë me 46.74 për qind të votave. Ndërsa koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” e udhëhequr nga PS-ja rezulton të jetë në shkallë kombëtare me 45.46 për qind të votave. Ndërsa koalicioni politik “Aleanca Socialiste për Integrim” e udhëhequr nga ana e LSI-së, rezulton të jetë me 5.85% të votave në shkallë kombëtare. “Poli i Lirisë” ka marrë gjithsej 1.81% të votave, ndërsa Partia Ligj dhe Drejtësi në shkallë kombëtare ka marrë 0.32 për qind të votave. Kandidati i Pavarur, Abdullah Omuri, në Tiranë ka marrë gjithsej 0.05% të votave, kjo për qarkun e Tiranës. Në të dhënat e nxjerra në orën 22:30, zëdhënësi i KQZ-së, Olli bëri të ditur se janë konfirmuar të dhënat e 4508 Qendra të Votimit, nga 4753 që janë në rang republike. Numri i votuesve për këto qendra votimi rezulton të jetë 1.474.671 zgjedhës, duke rezultuar me 47 për qind në shkallë republike. Procesi po vazhdon normalisht, sipas Ollit të KQZ-së, pavarësisht bllokimit të hasur në disa QV, por që po ndërhyhet të zgjidhen nga ana e KQZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›