Të vegjlit kërkojnë referendumin e madh (!)
Partitë e vogla firmosën dje një deklaratë të përbashkët lidhur me llojin e sistemit zgjedhore që duhet të përdoret për zgjedhjet në Shqipëri. Tetë partitë politike, si LSI, PDK, PDR, PAD, PBDNJ, PDS, PSD dhe PBLD, firmosën në mënyrë unanime marrëveshjen e përbashkët për reformën zgjedhore. Ndërkaq, nga ana tjetër dy parti politike parlamentare, si PR dhe PAA, nuk kanë firmosur ende, ndërsa pritet që në vijim edhe këto dy parti t’i bashkangjiten nismës së të vegjëlve, të cilët pretendojnë se mbartin nisma që i vijnë në ndihmë përmirësimit të sistemit zgjedhor në vend. Partitë e vogla kanë shprehur në bllok se do të kërkojnë të përcaktohet me referendum sistemi elektoral, nëse nuk arrihet një marrëveshje konkrete ndërmjet PD dhe PS. Ndërkohë, sipas n/kryetarit të PAD-së, Arben Demeti, partitë e vogla parlamentare kanë nënshkruar në mënyrë unanime marrëveshjen për reformën zgjedhore dhe se angazhueset nënshkruese të këtij dokumenti, janë të angazhuara seriozisht për të kryer një reformë zgjedhore që do të sigurojë përfundimisht zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në mënyrë unanime, partitë e vogla kanë shprehur kërkesat e tyre në mënyrë që kjo reformë të zhvillohet në përputhje me kuadrin kushtetues dhe në rrugë institucionale”, deklaroi ai. Më tej, sipas tij, çështjet themelore të kësaj kontrate janë administrimi i zgjedhjeve nëpërmjet listave të sigurta që burojnë nga regjistri themeltar i shtetasve dhe identifikimi i votuesve vetëm nëpërmjet kartave të identitetit apo pasaportave biometrike. Duke iu referuar kërkesave të paraqitura në këtë deklaratë, Demeti nënvizoi se “komisioni parlamentar duhet të mblidhet patjetër të hënën e javës që vjen, me qëllim diskutimin dhe miratimin e reformës për sistemin zgjedhor”. “Sistemi duhet të miratohet në Kuvend brenda muajit mars, që të shkohet në zgjedhjet e ardhshme me sistemin proporcional të personalizuar, me qëllim shmangien e fenomenit ‘Dushk’, votimin me një votë të unifikuar, me një raund dhe tavan të hapur, dhe me prag elektoral 2.5 përqind”, vuri në dukje ai. Ndërsa, duke u shprehur në emër të gjitha partive nënshkruese të këtij dokumenti, Demeti theksoi se kundërshtohet çdo sistem zgjedhor që nuk përputhet me kushtet dhe realitetin politik shqiptar dhe që njëkohësisht favorizon deformime të tipit ‘Dushk’. “Partitë nënshkruese shprehin gatishmërinë dhe ftojnë për bashkëpunim për reformën zgjedhore Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, me kushtin që bashkëpunimi të realizohet vetëm në rrugë institucionale, në komisionin parlamentar për reformën”, theksoi Demeti. Në këtë drejtim, ai bëri me dije se “në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet partive të vogla dhe dy partive më të mëdha politike në vend, partitë nënshkruese do t’i drejtohen për ndihmë institucioneve ndërkombëtare, BE-së, NATO-s, dhe OSBE-ODIHR-it”. Përsa i takon mundësisë për të bllokuar sistemin zgjedhor në rast të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët të bashkëpunimit, Demeti theksoi se “ne jemi të vendosur që nuk do ta lejojmë deformimin që duan të bëjnë PS-PD”. “Hapi i parë është në komisionin parlamentar pasi të gjitha partitë përcaktuese kanë një veto, dhe detyrimisht do të kalojë në Kuvend. Në Kuvend kërkohet ndryshim kushtetues dhe kërkohen 94 vota, të cilat të dy partitë e mëdha nuk i kanë. Në rastin më të keq edhe sikur ata t'i kenë këto vota, atëherë ne do të kalojmë në referendum pasi ne i plotësojmë 28 votat e kërkuara për ta çuar çështjen deri atje”, shtoi ai. Megjithatë, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Ramës, rreth përçarjes së koalicionit të majtë dhe thirrjeve të tij për një ribashkimi, PAD i është kundërpërgjigjur dje duke deklaruar se Rama tashmë i takon një politike të vjetër dhe të pafrytshme për tu përballur në proceset elektorale. Nga ana tjetër, PDS ka theksuar se nga radhët e dy partive të mëdha do të ketë rrjedhje votash, jo nga partitë e vogla që kanë këtë betejë shumë të rëndësishme.
LSI: Qëndrimi i PS, për reformën zgjedhore, i turbullt dhe pa asnjë kuptim politik/Një ditë pas deklaratës në Kuvend të kryetares së Grupit parlamentar të PS-së, për reformën zgjedhore, ka reaguar dje Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e konsideruar këtë thjesht si një spekulim dhe pa asnjë vlerë politike dhe ligjore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se deklarata e bërë një ditë më parë nga Valentina Leskaj, në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialite për reformën zgjedhore mbetet një deklaratë e turbullt dhe e paqartë. “Prononcimet e Leskajt ishin krejtësisht të paqarta dhe pa asnjë lloj kuptimi, as ligjor dhe as politik. Çështja është më e thjeshtë nga sa e parashtrojnë dy partitë”, tha Vasili. Në këtë drejtim ai u shpreh se PS duhet të bëjë të qartë se cilat janë të fshehtat mbi të cilat po gatuhet kjo histori, ndërkohë që LSI vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj për një sistem që vë në një start të barabartë të gjitha partitë. “Ne duam një sistem që i përshtatet Shqipërisë, por jo sistemin rajonal spanjoll, i cili nuk ka të bëjë me realitetin shqiptar dhe që deformon dhe vjedh votën e partive në tavolinë, sepse priviligjon dy partitë e mëdha në mënyrë fiktive dhe abuzive”, theksoi ai. Sipas tij, një tjetër çështje, të cilës i mëshon fort LSI, është problemi i listave të mbyllura dhe atyre të hapura, pasi një listë që ndërtohet sipas rezultateve dhe kontributeve është një listë e ndershme dhe demokratike.