Bush përshëndet nismën e NATO-s për të pranuar Shqipërinë në radhët e veta
Dje është mbajtur një konsultim paraprak mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jap de hop Shefer dhe presidentit të SHBA-ve Xhorxh Bush , vetëm një muaj para mbajtjes së samitit të Bukureshtit, në qendër të të cilit kanë qenë temat e aksionit ushtarak në Afganistan, Kosovës si dhe planeve për zgjerimin e aleancës edhe me 3 vende të Ballkanit. Presidenti Bush, tha në konferencën e shtypit pas takimit me Shefer se zgjerimi i aleancës me tre vendet e “Adriatik 3” do të bëhet menjëherë pas vlerësimit të ecurisë së reformave të tyre, të udhëzuara nga aleanca. Në kuadër të zgjerimit të NATO-s, gjatë samitit të Bukureshtit, Presidenti Bush ka theksuar se ende vendet anëtare të aleancës nuk kanë marrë një vendim për tre vendet e A3, por menjëherë pasi të bëhet vlerësimi i progresit të realizmit të reformave të tyre, NATO do të thërrasë gjatë punimeve të samitit të Bukureshtit vendet kandidate. Ai ka vënë në dukje se gjatë samtit të Bukurshtit, NATO do të ketë në axhendë kryesore zgjerimin e aleancës me tre vendet e A3.
Mediu përshëndet rezolutën e Senatit amerikan/Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka përshëndetur dje, Rezolutën që senatori amerikan Richard Lugar i ka drejtuar Senatit Amerikan, duke specifikuar mbështetjen për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Samitin e Bukureshtit. Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes Fatmir Mediu shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë për senatorin amerikan Richard Lugar, një partner dhe mbështetës i zhvillimeve në Shqipëri, i cili ka prezantuar në Senatin Amerikan një rezolutë për mbështetjen e anëtarësimit në NATO, të Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të A3. “Aprovimi i kësaj Rezolute shënon hapin e parë ligjor të mbështetjes dhe aprovimit të kandidaturës së Shqipërisë nga një institucion ligjor shumë prestigjioz, siç është Senati Amerikan, për anëtarësimin e saj dhe të vendeve të A3 në NATO”, tha Mediu. “Nuk është vetëm kjo lëvizje, por tashmë qartësisht, shumë vende anëtare të NATO-s kanë vlerësuar pozitivisht Shqipërinë për anëtarësim, pavarësisht se nuk ka një vendim përfundimtar, por shpresoj se në takimin e marsit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s të kemi një lajm më pozitiv përpara Samitit”, tha Mediu. Sipas tij, kjo rezolutë është njëkohësisht edhe një thirrje që i adresohet Administratës Amerikane për një rol më të fuqishëm, rolin e saj udhëheqës përsa i përket samitit të NATO-s që do të zhvillohet në Bukuresht, në mënyrë të veçantë për tre vendet e A3 dhe për çështje të tjera të rëndësishme. “Rezoluta është një vlerësim i të gjitha zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në vendet e tjera të A3, është një vlerësim dhe mbështetje për çështje shumë të rëndësishme, për kontributin e Forcave tona të Armatosura në misionet paqeruajtëse, sidomos ne misionin në Afganistan. Eshtë një vlerësim edhe për zhvillimet e fundit në rajon, sidomos për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, si zgjidhja më e drejtë që kërkon patjetër një aktivizim më të lartë të të gjitha institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë”, tha ministri Mediu. Ministri Mediu bëri të ditur se “duke vlerësuar rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit, senatori Lugar shprehu mbështetjen e plotë të tij dhe të senatorëve të tjerë përsa i përket pavarësisë së Kosovës, një pozicion i marrë tashmë qartësisht nga Administrata Amerikane dhe me mbështetjen e vendeve të BE-së, e më tej”. “Ky status tashmë është përqafuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, por kërkon një vëmendje shumë të madhe për të ecur më tej në implementimin e Paketës së Ahtisarit. Padyshim që në këtë proces Shqipëria ka një rol shumë të veçantë të bashkëpunimit dhe koordinimit me qeverinë e Kosovës, institucionet e BE-së, prezentë në Kosovë dhe të KFOR-it, por edhe të bashkërendimit të politikave me vende të tjera anëtare të NATO-s”, vuri në dukje Mediu. Duke vijuar me tej, ai vlerësoi partneritetin që është krijuar me senatorin Lugar, marrëdhëniet me Senatin Amerikan dhe Administratën Amerikane dhe mbështetjen që ata po i japin Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO”.