E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Në BE pasi të kemi zgjidhur ngërçin politik

Situata politike në vend ka qenë pjesë e diskutimeve edhe në takimet e para që ambasadorja polake Irena Tatarzinska ka zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar, si përfaqësuese e vendit që ka marrë Presidencën e radhës së BE-së. E shoqëruar edhe nga ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui, ajo është pritur me radhë në takime të veçanta nga presidenti Topi, kryeparlamentarja Topalli, dhe ministri i Jashtëm Haxhinasto, me të cilët përveç prioriteteve të Presidencës polake diskutoi edhe për nevojën e zgjidhjes së ngërçit politik që ka rimarrë jetë pas zgjedhjeve të 8 Majit. Duke folur gjatë takimit me dy ambasadorët, kreu i shtetit ka vlerësuar aspiratën e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e BE-së, ndërsa ka shprehur besimin për marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë, por duke e lidhur këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjidhjen e ngërçit politik. “Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe europiane dhe ne kemi shpresë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura e të kemi kapërcyer ngërçin e stërzgjatur politik, duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtuese” – u shpreh presidenti Topi. Ndërkohë që ministri i Jashtëm, duke iu referuar pikërisht procesit integrues, ka vlerësuar si tepër të domosdoshëm rolin që duhet të luajë opozita në ditët në vijim, para se të mbahet takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. “Mendoj se kushtëzimi i kohës për kthimin e opozitës në Parlament është i gabuar. Në datën 19 korrik, zhvillohet Këshilli i Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së. Do të jetë takimi më i lartë me BE-në, ku do të bëhet një rishikim i ecurisë së deritanishme të institucioneve shqiptare për sa i përket detyrimeve që kanë ato, sigurisht edhe i opozitës, dhe mendoj që në këtë moment Shqipëria duhet të shkojë me një cilësi të re të dialogut politik, të dialogut institucional politik, përndryshe besoj se do të jetë shumë vonë”, - tha Haxhinasto gjatë prononcimit për mediat në prani edhe të ambasadorëve. Pavarësisht se nuk ka folur në mënyrë të drejtpërdrejtë për situatën politike në vend, një mesazh domethënës ka dhënë edhe ambasadori i BE-së Etore Sekui, duke kërkuar që integrimi europian të bëhet prioritet i klasës politike shqiptare. “Ne besojmë që procesi i integrimi europian të jetë një përparësi dhe të konsiderohet si një prioritet kombëtar”, - tha ambasadori Sekui.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›