E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të vendosur në përmbushjen e kritereve të integrimit”

03-10-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti raporton në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në Strasburg. Presidenca shqiptare e KiE e suksesshme

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ministri Panariti gjithashtu është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE-së, Jagland, Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Mignon si dhe me shtetas shqiptarë të punësuar në Këshillin e Evropës

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka raportuar dje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në Strasburg.
Kryediplomati shqiptar ka shpalosur përpara parlamentarëve të 47 vendeve anëtare mbi aktivitetin e Komitetit të Ministrave, si dhe mbi ecurinë e implementimit të prioriteteve të kryesisë shqiptare të KiE-së.
Në fjalën e tij, ministri Panariti theksoi se Shqipëria është e vendosur për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, qeveria është vendosur të vijojë më tej me implementimin e politikave që do të bëjnë të mundur zhvillimin e të drejtave të njeriut si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike vitin e ardhshëm. Ai ka theksuar më tej se problemet ekonomike kanë bërë që shumë prej vendeve të BE-së të ngadalësojnë progresin e kërkuar por shtoi se vetëm bashkëpunimi mes vendeve do të bëjë të mundur përballimin e problemeve dhe sfidave. “Vetëm në mënyrë të drejtë dhe duke bashkëpunuar së bashku mund t`ia dalim për të bërë të mundur zgjidhjen e këtyre sfidave. Kjo duhet të jetë një nga pikat kyçe që duhet të përçohet në të gjitha shtetet anëtare”, tha Panariti.

Mignon: Presidenca shqiptare e KiE-së e suksesshme
Në kuadër të vizitës së tij në Strasburg për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryetari i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Edmond Panariti, zhvilloi një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean Claude Mignon. Presidenti i Asamblesë Parlamentare Mignon e përgëzoi Ministrin Panariti për presidencën e suksesshme të Shqipërisë për këtë periudhë 6 mujore dhe përmbushjen e angazhimeve të saj në krye të Komitetit të Ministrave. Ai shprehu kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm që ka përjetuar Shqipëria, duke nënvizuar se askush nuk mund ta mendonte në 1990 që ky vend do të ishte sot në krye të një organizate kaq të rëndësishme. Mignon falënderoi, gjithashtu, Ministrin Panariti për iniciativën për të zhvilluar një vizitë në vendet e Afrikës së Veriut, e cila do te jepte një mesazh domethënës lidhur me kontributin që Këshilli i Evropës jep për konsolidimin e demokracive të këtyre vendeve. Në përfundim të takimit, Ministri Panariti, pasi e informoi Mignon për përgatitjet e autoriteteve shqiptare me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, e ftoi për një vizitë në Shqipëri me këtë rast.

Jagland: Shqipëria, promotore e paqes dhe stabilitetit
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland, Ministri Panariti diskutoi në lidhje me përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në krye të Komitetit të Ministrave. Ministri Panariti vlerësoi se Presidenca shqiptare e Këshillit të Evropës erdhi në një moment tepër të veçantë për Shqipërinë, e cila feston këtë vit edhe Njëqind Vjetorin e Pavarësisë. Ai falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm për kontributin dhe mbështetjen e tij gjatë presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave, duke nënvizuar me kënaqësi vlerën e shtuar që sjell kjo presidencë në kontributin e përgjithshëm të Shqipërisë për promovimin e paqes harmonisë dhe dialogut.
Më tej, ministri Panariti e njohu Sekretarin Jagland me kontributin që po jep Shqipëria edhe në rajon për të promovuar stabilitetin dhe paqen në rajon, por edhe për të forcuar dhe konsoliduar marrëdhëniet me vendet fqinje. Në këtë kontekst, ai falënderoi, gjithashtu, Sekretarin Jagland për zgjidhjen e çështjes së citimit të Kosovës me foot-note në të gjitha dokumentet e programeve të përbashkëta të Këshillit të Evropës me Bashkimin Evropian, si dhe inkurajoi Sekretarin e Përgjithshëm që të vijoi mbështetjen për projektet që do ndihmonin direkt në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve të Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›