E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi qeverisës, PS-ja fillon turin për prezantimin

Rama pritet të mbajë një takim në formën e një bashkëbisedimi me gazetarët, ku do të bëjë të ditur startimin e turit të prezantimit të programit


TIRANË- Partia Socialiste ka, më së fundi, një program të sajin elektoral dhe qeverisës. Socialistët kanë përmbyllur punën gati dyvjeçare të vjeljes së ideve në bazë, si dhe fazën e hedhjes së të dhënave në dokument konkret dhe që nga java e ardhshme do të nisin një fazë të re dhe të fundit, atë të prezantimit të tij përsëri tek qytetarët.


Prezantimi
Ditën e nesërme, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të mbajë një takim në formën e një bashkëbisedimi me gazetarët, ku dhe do të bëjë të ditur përmbylljen e turit me vullnetarët dhe startimin e turit të prezantimit të programit. Burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar dje se, pavarësisht se ende nuk është përmbyllur agjenda e këtij turi, tashmë është përcaktuar në vija të përgjithshme mënyra e organizimit dhe funksionimit të tij, si dhe kohëzgjatja. Kështu, ai do të nisë të martën e ardhshme dhe do të vazhdojë për më shumë se një muaj, deri në datën 20 maj, pra gati një javë para se forcat politike të hyjnë në fushatën zyrtare elektorale. Do të jetë pikërisht kreu i PS-së ai që do të kryesojë të gjitha takimet që do të organizohen me këtë rast në të gjitha rrethet, por natyrisht i shoqëruar me stafin e tij, si në rang politik, ashtu edhe teknik, të cilët do të bëjnë dhe zbërthimin e të gjitha zgjidhjeve që socialistët kanë dhënë në programin e tyre për të gjitha fushat dhe që premtojnë se do t'i zbatojnë në rast se në zgjedhjet e 20 qershorit do t'u jepej e drejta për të qeverisur vendin. Natyrisht që, prezantimi i programit do të nisë nga fusha e arsimit dhe për të vijuar më pas me të gjitha fushat e tjera si, mjedisi, bujqësia, pra sipas rendit të përcaktuar që më parë gjatë "Dialogut me Shqipërinë". Synimi i këtij turi natyrisht që do të jetë njohja e shqiptarëve me alternativën që ofrojnë socialistët, për mënyrën sesi do të qeverisin vendin për katër vitet e ardhshme dhe jo vetëm.


Programi
Programi politik dhe qeverisës i Partisë Socialiste ofron rrugën e zhvillimit të Shqipërisë deri në vitin 2017, periudhë brenda së cilës parashikohet që të jetë anëtarësuar edhe Shqipërinë në BE. Ai përbëhet nga një material voluminoz, prej afro 500 faqesh dhe në të gjejnë zgjidhje 107 çështje të ndryshme, të cilat janë të organizuara në 3 grupime të mëdha ose, më konkretisht, në grupin e organizimit dhe funksionit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ndarjes së pushteteve, dhe brenda tyre pastaj, janë ndarë në dhjetë fusha të ndryshme, të cilat përkojnë dhe me funksione të ndryshme të qeverisjes, sipas standardeve ndërkombëtare të organizimit qeverisës, ose thënë në mënyrë më të detajuar, në fushën e arsimit, shëndetësisë, mjedisit, energjisë, planifikimit të territorit, administrimit publik, bujqësisë, administrimit të ujërave, makroekonomisë, çështjet sociale dhe pensionet. Në përgatitjen e programit, socialistët janë bazuar në dy linja kryesore: në diskutimin e hapur me shqiptarët gjatë "Dialogut me Shqipërinë", në periudhën shtator '07, deri maj '08, dhe në mendimin që fondacioni "Qemal Stafa" thithi në debatet "Me dyer të Hapura", në periudhën shkurt '08 - qershor '08.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›