E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, grindje me thikë mes 15-vjeçarëve

VLORË - Dy nxënës të shkollës 9-vjeçare "Ismail Qemali" janë zënë dje me njëri-tjetrin dhe si rrjedhojë njëri është plagosur me thikë në fytyrë.

Burime të policisë shprehen se në fund të orës së parë të mësimit nxënës të njërës prej klasave të nënta kanë diskutuar lidhur me një ekskursion. Duket se njëri prej adoleshentëve ka nisur të konfliktohet në lidhje me këtë temë duke i thënë një adoleshenti tjetër se shkak për prishjen e ekskursionin për klasën e tyre ishte ai.

Përgjigja nga ana e 15-vjeçarit F.R. ka qenë e ashpër. Pas përfundimit të orës së mësimit, mes të dyve kanë vijuar fyerjet dhe sharjet, por gjithçka është vendosur të "zgjidhet" jashtë oborrit të shkollës.

Pasi kanë dalë, të ndjekur edhe nga disa kureshtarë, ata janë qëlluar derisa adoleshenti D.C. ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar kundërshtarin në fytyrë, duke u larguar më pas me vrap.

Teksa ai është kthyer në mësim, kalimtarët kanë çuar në spital nxënësin tjetër. Për ngjarjen është njoftuar policia, e cila ka marrë deklarimin e adoleshentit, si dhe ka nojftuar prindërit. Sipas mjekëve, i riu ka mbërritur i mbuluar me gjak për shkak të plagës së marrë në fytyrë.

Rreth orës 11:30, blutë e Vlorës kanë mbëritur në shkollën 9-vjeçare ku kanë marrë kontakt me drejtuesit e shkollës, si dhe vetë autorin e ngjarjes i cili është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen në praninë e drejtuesve të shkollës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›