Të vrasësh një engjëll!
E ke pasur ndonjëherë ndjenjën se dita të ka ikur ters, dhe në vend që të përmirësohet, dita jote përkeqësohet si një përshesh inati, lodhjeje dhe mërzie? Dhe në fund të ditës, shtrihesh për të fjetur, por kalon natën duke menduar për ditën e vështirë që kalove dhe atë që ndodhi pak orë më parë… Një engjëll i pafajshëm dha shpirt në duart e nënës së tij, nga dy plumbat që i shpuan mishin e njomë. Krejt i pafajshëm, fare i pamësuar me mëkatet e prindërve apo fisit të vet, ai ishte duke u argëtuar në rrugëtimin e makinës së xhaxhait të vet, teksa shikonte edhe ato pak metra që i kishin mbetur nga finishi i beftë i jetës së tij. Plumbat ranë si breshëri, teksa ai nuk e dinte se po i rrëmbenin frymën e fundit, duke rënë pa ndjenja dhe pa jetë në duart e nënës së tij. 9-vjeçari nga Mamurrasi na bëri të qajmë për orë e orë të tëra në shpirt, teksa po ndjenim fajin mesjetar të hakmarrjes. Por këtë herë nuk vlen të merresh fare me fenomenin, por me engjëllin që u largua përsëri në qiell. Dje kemi qarë të gjithë, ose së paku jemi trishtuar kur pamë, lexuam e dëgjuam gjëmën e madhe, vrasjen e një vogëlushi që vdiq si në tragjeditë e lashta. Të vrasësh një engjëll! Nuk e dimë çfarë ndjesie do ketë pasur vrasësi, por ai nuk ka qenë qenie njerëzore, si gjithë të tjerët (me mish e me shpirt), por një specie e re, dramatike, që ka hapur portat e vdekjes trupore të 9-vjeçarit, duke lënë edhe një mesazh që ende ka mbetur i panënshkruar: VDEKJE VDEKJES! E kush duhet ta vrasë vdekjen? Gjyqi, vetëgjyqësia, heshtja…? Ligji, vetëm ligji dhe askush tjetër, sepse këtu ndërgjegjja nuk funksionon më. Cili ligj? Ligji i jetës, ligji i vdekjes? Mos pyesni askënd, sepse të gjitha përgjigjet do jenë të pranuara dhe të gabuara. Vetëm ligji, ndryshe nuk drejtësohet asgjë. Në rrëmujën e ngjarjeve të kronikës së zezë, nuk di kë të lexosh më parë. Dikush do të thotë që 'kështu ndodh kudo në botë, kështu është bota!'. Po për 9-vjeçarin, çfarë do thoni? Ai nuk është më mes nesh, tani është një engjëll. Ajo që duhet të na shqetësojë është, si të mos i falim më demonët dhe të mos shtojmë më radhët e engjëjve.