Të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të vazhdojnë kontaktet ndërmjet palëve dhe puna e grupeve punuese për zbatim.
“Është e qartë se puna e grupeve punuese për zbatim do të vazhdojë, sepse siç e kemi thënë në shumë raste dhe siç është konfirmuar nga këshilli, zbatimi ka rëndësi kruciale për të gjithë. Bashkimi Evropian do të mbetet ndërmjetësues dhe do të ketë kontakte të ngushta me të dyja palët”, thotë Kocijançiq.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, ndër të tjera, hyn ajo për njohjen e diplomave universitare, regjistrin kadastral, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.
Pa precizuar temat e ardhshme që do të vihen në tryezën e diskutimit, Kocijanciq bën të ditur se do të flitet sërish për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, meqë për këto dy çështje, edhe pse ishte diskutuar në raundet paraprake, nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve.
“Për shembull, çështjet të cilat janë diskutuar tashmë, por që nuk kanë rezultuar me marrëveshje, janë çështjet si telekomi dhe energjia”, thekson Kocijançiq.
Rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për energjinë dhe telekomunikacionin e përmendi, ditë më parë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, duke thënë se ato do t’i nevojiten Serbisë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Stefanoviq u tha mediave serbe se ende nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. (rel)