Zgjidhja në komunë

Ka vetëm dy ditë që kur Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ka kërkuar që pala kosovare dhe ajo serbe të gjejnë një zgjidhje për Veriun.
Por, sugjerimit të miqve amerikanë iu është përgjigjur lidershpi kosovar, duke rikujtuar që zgjidhja e vetme mbetet ajo e propozuar në Pakon e Presidentit Ahtisaari.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë Expressit të dielën se në kuadër të asaj pakoje ka zgjidhje.
“Çdo zgjidhje është në kuadër të Pakos së Ahtisarit”, ka thënë Kuçi.
Philip Gordon i kishte komentuar zhvillimet e fundit në rajon duke përmendur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës me Serbinë për përfaqësimin rajonal si dhe dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Serbinë.
Në një prononcim për televizionin Al Jazeera, Gordon ka thënë se shteti amerikan është i kënaqur me arritjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ende ka dallime të mëdha rreth Veriut të Kosovës dhe ne i inkurajojmë palët që të bisedojnë rreth kësaj”, ka thënë Gordon.
Ai madje ka theksuar se SHBA’ja e mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe integrimin e shtetit të ri. Kjo, ndërkaq, nuk do të ishte hera e parë që SHBA’ja që jep sugjerime të caktuara për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Herën e fundit, selame kishin ardhur nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila kishte kërkuar nga pala kosovare që të pranojnë marrëveshjen, me të cilën Kosova do të përfaqësohej në nisma rajonale me fusnotën e cila përmban, përveç Opinionit të GJND’së rreth Deklaratës së Pavarësisë, edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.
Express është interesuar të dijë nëse pala kosovare do të pranonte të hynte në dialog me Serbinë edhe rreth Veriut të Mitrovicës.
Mirëpo Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka dhënë të dielën përgjigje për këtë.
Pakoja e Ahtisaarit në të cilën vendorët besojnë se është zgjidhja e vetme për Veriun, parasheh krijimin e Komunës veriore në Mitrovicë.
Kjo sipas Ministrit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, do të ishte edhe zgjidhja më e mirë.
Në një intervistë të dhënë më herët për Express, Petrovic pati thënë se modeli më i mirë për këtë është Graçanica.
“E kemi shembullin në Jug, i cili ka funksionuar për mrekulli. Serbët të cilët jetojnë në jug të lumit Ibër zhvillojnë jetën normale dhe ato komuna janë shembulli më i mirë se si mund të zhvillohet jeta edhe në Veri”, pati thënë Petrovic, i bindur se qytetarët serbë të Veriut do ta pranojnë këtë alternativë.
“Në Veri nuk ka pushtet, por vetë qytetarët janë ata që duhet ta vendosin atë. Krijimi i komunave të reja është mundësia më e mirë për zhvillim demokratik atje, e kemi shembullin e Graçanicës”.
Ndër të tjera, ai kishte bërë të ditur se është duke u punuar në drejtim të krijimit të Komunës së Veriut.
“Situata aktuale ka ndikuar në ngecjen e këtij procesi, mirëpo ne nuk do të ndalemi derisa të përfundojë”, ka thënë Petrovic në kohën kur serbët e Veriut kishin barrikaduar Veriun për shkak të pakënaqësive pas intervenimit të Njësisë Speciale Rosu për rimarrjen e pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë, më 25 korrik të vitit të kaluar.
Ndërkohë, akterë në krijimin e Komunës së Veriut mbetet edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, e cila e ka në mandat implementimin e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit.
Burime të Expressit në ICO kanë thënë se ka filluar të punohet intensivisht në drejtim të krijimit të Komunës së serbëve të Veriut.
“Po, është duke u punuar në atë drejtim. Ne jemi shumë të përkushtuar që obligimet e Pakos të implementohen”, ka thënë një zyrtar i lartë i ICO’së, në kushte anonimiteti.
Por, nuk ka dhënë ndonjë datë të përfundimit të këtij procesi.
“Nuk mund të them nëse ICO’ja do të mund të realizojë këtë obligim që e ka deri në përfundim të mandatit, por është e sigurt që ne jemi pro asaj që zgjidhja e vetme dhe më adekuate është ajo e dhënë nga Presidenti Ahtisari”, ka thënë burimi.