E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të zbatohen menjëherë rekomandimet e OSBE/ODHIR „

14/03/2010 Pjer Mirel i kërkon opozitës të lerë politikën e rrugës dhe ti kthehet kuvendi

Bashkimi Evropian kërkon nga opozita shqiptare të lerë mënjanë politikën e rrugës, dhe ti drejtohet sallës së kuvendit. Gjatë takimit të djeshëm të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, drejtori i i Përgjithshëm për Zgjerim në BE, Pierre Mirel, kërkoi dialog të menjëhershëm nga klasa politike shqiptare, me qëllim zgjidhjen e krizës politike që po kalon vendi. Ai ka vendosur datën 18 mars si afatin kur palët në Shqipëri duhet të gjejnë zgjidhjen e ngërçit politik. Mirel ka theksuar se opozita duhet të zhvilloje debatin në Palrament dhe jo në rrugë. Ai ka kërkuar që deputetët e pakicës së majtë parlamentare të bëhen pjesë e reformave duke kontribuar në Parlament dhe tëheqin dorë nga bojkoti. Duke iu referuar zgjedhjeve, mësohet se Mirel ka thënë gjatë mbledhjes se rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it duhet të zbatohen menjëherë, pa humbur asnjë minutë kohë. Sipas tij, nuk mundet që të pritet 24 muaj që këto rekomandime të shndërrohen në zgjedhjet lokale për të nisur punën me amendamentet. “Rekomandimet e OSBE-së duhet të zbatohen menjëherë pa humbur asnjë minutë kohë”, tha Mirel.

Kështu, Mirel ka bërë thirrje direkte opozitës të heqin dorë nga presionet politike e të bëhen pjesë e jetës parlamentare. Ky afat përkon pikërisht me datën kur do të votohen nismat ligjore të propozuara nga Partia Socialiste për hetim të zgjedhjeve politike të 28 qershorit 2009. Mirel ka theksuar se të gjitha progreset e Shqipërisë gjatë këtij viti janë shumuar totalisht nga mosmarrëveshjet politike. Sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi është që në ditët në vazhdim të mbahet një qëndrim konstruktiv nga ana e komisionit parlamentar të Ligjeve, kur të nisë shqyrtimi nen për nen i nismave të opozitës. “Mua do më dukej e pafalshme, nëse në datën 19, në vizitën e parë në Tiranë të Komisionerit të Zgjerimit, nuk do të jetë gjetur një zgjidhje. Mendoj se ne nuk do të na pëlqejë kjo. Prandaj mendoj se duhet të kërkohen të gjitha rrugët për gjetjen e kompromisit, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përhershme deri në datën 18 mars”, ka deklaruar zyrtari i lartë i BE-së. Sipas tij, kompromisi politik është fjala kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë. Ky ishte takimi i parë i komitetit të Stabilizim-Asocimit, pas nënshkrimit të MSA-së. Gjatë mbledhjes së djeshme janë marrë në analizë çështje të ndryshme, që nga situata dhe zhvillimet politike, çështjet që lidhen me drejtësinë dhe pavarësinë e këtij sistemi, çështjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, situatën ekonomike dhe masat e parashikuara për përballjen me efektet e krizës, zhvillimet në sistemin fiskal dhe në doganat e tatimet, deri në çështjet e transportit, energjisë apo lirisë së shtypit dhe legjislacionit për mediat. Konkluzionet e këtij takimi do t’i përcillen Këshillit të Stabilizim-Asocimit, i cili më pas do përgatisë dhe opinionin për Shqipërinë. Ai ka vënë theksin në dëmin që i është bërë procesit, si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës dhe situatës së vështirë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›