E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet busti fitues i Fan Nolit

14/03/2010 Do të vendoset në Turqi

Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur të shpallë fitues mbi konkursin e hapur për bustin më të mirë të Fan Nolit, skulpturën e Andrea Demçes. Bordi i drejtuar nga Rubens Shima e ka cilësuar punimin më të mirë për bustin që do të vendoset në Ibrik Tepe në Turqi.

Vlerësimi i komisionit i dha rëndësi dy fakteve kryesore që lidhen me pamjen që duhet të ketë busti dhe portreti i Fan Nolit. Në këtë fakt iu dha rëndësi dhe vendit ku do të vendoset, që nuk është një mjedis shqiptar dhe që nuk jetohet nga shqiptarët. Këto fakte janë dhe kërkesa të cilësuara në dokumentin e shpalljes së konkursit nga GKA Tiranë. Këto fakte lidhen ngushtësisht me arritjen përfundimtare si respektimi i drejtimit artistik realist që duhet të ketë modeli skulpturor dhe pamjen intelektuale dhe fizionominë e afërt me personalitin e Fan Nolit.

Mbi modelin fitues u diskutua dhe u argumentua mbi vlerat e tij më të arrira që janë përqasje me ngjashmërinë e karakterit vizual dhe me frymën e fizionomisë dhe personalitetit intelektual të Fan Nolit. Gjithashtu vlerë në këtë model u gjet dhe cilësia ekzekutive e elementeve të formës modeluese dhe e kalimeve të buta nga volumi në volum. Në rastin e këtij tipi skulpturor, ku dokumentohet një figurë e shquar e një kombi, komisioni mendoi se modeli fitues mbart në konsideratë të dukshme kërkesën për një portret zyrtar, vlerë të konsiderueshme artistike dhe të hijeshisë intelektuale.

Komisioni la si detyrë të ndiqet në faza të ndryshme kohore realizimi i bustit që nga modelimi e deri në derdhjen në bronz nga anëtarët e tij. Përfundimi duhet të dokumentohet me një referencë dhe dokument zyrtar nga komisioni i nga Rubens Shima-kryetar, Gazmend Leka dhe Suzana Varvarica Kuka-anëtarë.

Teatri Kombëtar shpall dramën fituese

Teatrit Kombëtar ka shpallur fitues Fatos Haxhirajn me dramën e tij “Darka e gabuar”. Në një deklaratë për mediat bëhet e ditur se nga bordi artistik i këtij institucioni u përzgjodh drama fituese “Darka e gabuar” nga Fatos Haxhiraj, dramatizim i romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Ismail Kadare. Kjo vepër do të përfaqësojë Teatrin Kombëtar në “Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës” maj 2010, i cili do të mbahet në TK për nder të jubileut të 65-të të themelimit të këtij institucioni. Me këtë rast, këtë vit ky festival do t’i kushtohet dramaturgjisë kombëtare. Eventi do të zhvillohet në fund të muajit maj 2010 me pjesëmarrjen e trupave profesioniste nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Përzgjedhja e dramës që do të vihet në skenë me rastin e këtij eventi shumë të rëndësishëm u bë pas një ftesës që Teatri Kombëtar i bëri në muajin dhjetor të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në vite, për të sjellë krijimet më të fundit. Deri në datë 20 shkurt u dorëzuan 16 drama.

Pas leximit të veprave bordi artistik vlerësoi prurjen shumë të lartë dhe cilësore të veprave të dramaturgëve shqiptarë, duke falënderuar për kontributin e dhënë nga të gjithë autorët për zhvillimin e mëtejshëm të dramaturgjisë kombëtare.

Garuesit

1-Teodor Laço

2-Pirro Mani

3-Arqile Nasho

4-Arben Iliazi

5-Ferdinad Hysi

6-Z. S. Di Magio - Veprat

7-Fatos Haxhiraj

8-Stefan Çapaliku

9-Vangjush Popli

10-Ruzhdi Pulaha

11-Josif Papagjoni

12-Sheri Mita

13-Pëllumb Kulla

14-Vladimir Lule

15-Thanas Borodani

16-Gezim Alpion

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›