E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia, qeveria do të ndajë risqet me bankat

14/03/2010 Ruli

Tërheqja dhe garantimi i kapitalit bankar në femra dhe agro-përpunim mbetet rruga më e mirë e zhvillimit të sektorit bujqësor. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, thotë se për të arritur këtë qëllim, për herë të parë këtë vit qeveria ka marrë përsipër të ndajë risqet me bankat private që kreditojnë këtë sektor. Kjo do të thotë se bankat do të japin më shumë kredi për fermerët që aplikojnë pasi kjo do të garantohet nga shteti, në mënyrë që sektori bujqësor të marrë më tepër zhvillim. Për Rulin, investimi në prodhim dhe agro-përpunim jo vetëm që është me leverdi, por në të njëjtën kohë mbetet dhe alternativa më e mirë e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Janë dhjetëra prodhues të vegjël, që pas përvojave të tyre në vendet e Bashkimit Evropian kanë ngritur dhe po zhvillojnë me sukses biznese bujqësore në të gjithë vendin. Shumica e këtyre bizneseve, falë edhe futjes së teknologjisë bashkëkohore po prodhon sipas standardeve evropiane, ndonëse për to nuk ka subvencione siç ndodh me vendet e BE. Deklarimet e tij ministri i bëri pas vizitave që zhvilloi në disa prej subjekteve dhe bizneseve bujqësore në fshatrat e Durrësit dhe Tiranës. Ministri Ruli vizitoi gjithashtu edhe Institutin e Bujqësisë Biologjike bashkë me ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, znj. Yvana Enzler. Në vitin 2001 qeveria zvicerane ka nisur projektin “Mbështetje për bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri (SASA)”, me qëllim mbështetjen financiare dhe teknike për bujqësinë BIO, në bashkëpunim të ngushtë me SHBO. Aktualisht, po vijon projekti për përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve të zonave rurale nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe tregtimin e produkteve në tregun vendas dhe atë të eksportit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›