E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zëmë hundët e të votojmë Ramën!?

Dritan Kaba 

Biseda televizive e kryetarit zyrtar të PS në “Top Channel” na dha dhe njëherë një pasqyrë bindëse se z.Rama nuk është aspak në gjendje të qeverisë vendin. Në një show televiziv të telekomanduar dhe pa asnjë risi, me fjalime patetike pa asnjë program dhe pa asnjë zgjidhje për vendin dhe krizën që po kalon sot Shqipëria, z.Rama u rrek të shpjegonte 1000 faqëshin e tij programatik.  Sikur të kishte bërë dhe një faqe më shumë ky program do të quhej “Programi i 1001 netëve”. Në show-n e tij, Rama na u duk në formën e një Shehrazadeje që mundohej të vinte në gjumë shikuesit, me përralla, ku fantazia shkonte nga qeveria “gju më gju me popullin”, që merr vendime së bashku, fshatçe, deri tek parulla: “Çdo populli, bën partia”. Sa i ka pyetur qytetarët dhe socialistët për drejtimin e bashkisë së Tiranës e kemi të gjithë të qartë.  Gjatë të gjithë emisionit kandidati për kryeministër i PS, më shumë po i mbushte mendjen vetes që mund të jetë kryeministër, se shqiptarëve. I paqartë, konfuz dhe në një butafori gazetareske ai as në këtë emision nuk pati guximin të përballej me analistët e vërtetë. Në vend të gazetarëve, ai solli në studio njerëz “no face, no name, no number”, por përsëri nuk arriti të japë sadopak një pasqyrë të programit të tij qeverisës.  Një emision i regjistruar më parë dhe i shitur për shikuesit si direkt, i pazakontë për debatet politike, tregoi qartë që Rama kërkon t’u shesë shqiptarëve vetëm fasadën me ngjyra, duke shmangur brendinë boshe të tij dhe programin inekzistent. Kjo ndoshta do të ishte një taktikë e ndjekur për një fushatë sa më të kontrolluar mediatike, sikur ai të mos refuzonte përballjen e para dy ditëve të planifikuar në TV KLAN. Rama nuk pati guximin për t’u përballur në studion e Fevziut, në emisionin e reklamuar ditë më parë, ku ai do të dilte me stafin e tij. Frika e tij për t’u përballur me gazetarët përforcoi edhe njëherë përpara votuesit shqiptarë pamundësinë e tij për të qenë një kandidat i gatshëm për kryeministër. Kjo tregoi edhe njëherë vërtetësinë e librit butaforik që Meidani i dha kryetarit zyrtar të PS, në konventën socialiste, që nuk ishte gjë tjetër, vetëm shfaqja e radhës e “one man show” të PS së sotme.
“Turiamoci il naso e votiamo DC”
Në vitin 1976, Indro Monatanelli i famshëm i gazetarisë italiane, tha: “Të zëmë hundët dhe të votojmë demokristianët”, në një editorial tek gazeta “Corriere Della Sera”. Montanelli i bënte thirrje elektoratit italian që të votonte për të keqen më të vogël përballë komunistëve italianë të financuar dhe mbështetur nga Bashkimi Sovjetik i asaj kohe. Këtë gjë po rreket edhe Rama të arrijë me boshtësinë programore të tij, me pamundësinë e tij për të qeverisur vendin, me lista kandidatësh, që në pjesën më të madhe të tyre, nuk kanë asnjë lidhje me të majtën reale shqiptare, ai po mundohet të sjellë të keqen më të vogël para shqiptarëve për ta votuar.
Në listat e PS vihen re një numër ndërtuesish që janë në pozicione të sigurta duke larguar nga përfaqësimi shumë socialistë që kanë kontribuar në vite. Nëse për deputetët socialistë që votuan për presidentin Topi, u përjashtuan nga grupi parlamentar i PS, po një tjetër deputet që votoi për katër vjet me radhë në Parlament për qeverinë Berisha i është dhënë një vend i sigurt në listën e qarkut të Shkodrës. Ky standard i dyfishtë i përdorur, tregon edhe njëherë qartë, që PS sot nuk përfaqëson aspak të majtën, por grupin miqësor dhe me interesa të lidhura ngushtë me z. Rama. PSSH tani është kthyer në Partia e Sipërmarrësve të Shoqërisë së kryetarit aktual. Për këtë fakt shqiptarët nuk duhet të zënë hundën e të votojnë PS, se do u duhet të mbajnë erë për katër vitet e ardhshme kësaj klase politike që nëpërmjet listave të mbyllura që po serviren nga kryetari zyrtar i PS.
Pjesa tjetër që nuk ka lidhje me të majtën është detashmenti i z. Rama që po zë edhe kohën televizive të PS. Ky investim është edhe një arsye më shumë për të mos votuar ekipin me duvak të PS. Duke e ditur shumë mirë që nuk arrin të bëjë shumicën ai nuk dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. E keqja nuk qëndron në e çon ushtrinë e tij elektorale në betejë pa komandant, por tek këta njerëz që as u dhimbset e majta dhe as kanë lidhje me të. Këta “të rinj” do të përdoren për presion ndaj qeverisë së dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kryeministrit të ardhshëm të koalicionit të majtë. Duke qenë në pozita komode të kolltukut të kryebashkiakut ai do të drejtojë këtë grup për të bllokuar qeverinë e re. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me qeverinë e fundit socialiste, por atëherë nga jashtë. Njerëzit që përdori në maskën e organizatës “Mjaft” kundër qeverisë socialiste tani si shpërblim ju ka dhënë vende në listën e kandidatëve për deputetë pa asnjë mund dhe pa asnjë kontribut. Këta njerëz pa identitet ose ndryshe “no face, no name, no number” - “pa fytyrë, pa emër, pa numër”, do të jenë levat për të rrëzuar qeverinë e majtë të dalë nga 28 qershori, kur Ramës t’i skadojë afati i qëndrimit në bashki. Për këtë arsye shqiptarët nuk mund të zënë hundët e të votojnë nuset e reja me duvak të Ramës. Kryetari zyrtar i PS arriti deri aty sa në Fier tha: Votoni programin, jo njerëzit. Sa turp për ata që janë lista. Nuk e kam fjalën për “nuset” me duvak, por për ata të paktë që kanë vite që kontribuojnë në PS. Populli duhet të ketë besim tek udhëheqësi i shquar, që na solli dielin. Fiks si Hitleri dikur. Mendësia diktatoriale e Ramës është e rrezikshme për Shqipërinë. Një Berishë me kollare me ngjyra është vetëm ana tjetër e medaljes, jo ndryshimi. Shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë model të Shehrazades moderne dhe diktatorit meskin.
Shifra 18
Në daljen e fundit të tij televizive, shqiptarët nuk kuptuan asgjë si do të zgjidhë krizën kandidati i PS për kryeministër. Përmes frazave patetike ai nuk arriti të na japë asnjë program. Shqipëria nuk mund të drejtohet me deklarata, vendi sot ka nevojë për veprim dhe një njeri që di të drejtojë vendin. Në ligjëratën e tij të gjatë dhe pa asnjë ngacmim, z. Rama përmendi vetëm një shifër, tetëmbëdhjetë. Si mund t’i besojnë shqiptarët një njeriu që nuk di të artikulojë as mendimin më të thjeshtë ekonomik. Në dy orë morëm vesh të vetmen të re atë që do të kemi një ministri Rurale. Po ministri qytetare do të ngrejë z. Rama? Thagma të tilla nuk mund t’i shiten votuesve shqiptarë si politika të reja. Politika e re përtej të majtës dhe të djathtës është politika drejt Partisë së Sipërmarrësve të Shoqërisë së Kryetarit.
Unë refuzoj të votoj për një parti të tillë.
Vota e shqiptarëve nuk mund të shkojë për të sjellë në pushtet një klan të ri, por i lidhur ngushtë në afera financiare dhe korruptive me familjen kryeministrore. Me tisin e mjegullt që përhap gjithkund, me arsyetimin shaj gjithçka para teje, hidh baltë mbi të gjithë nuk mund të gënjehen shqiptarët. Thirrjet e tij të ditëve të fundit kundër forcës reale të majtë LSI nuk tregojnë gjë tjetër, vetëm frikën e tij përballë një programi të qartë dhe një lideri të sprovuar. Për të nxjerrë Shqipërinë nga kaosi ku është, për të ndihmuar ndërmarrjet të mos falimentojnë, të mos lesh prodhimet e fermerëve të kalben dhe tokat e pa mbjella, duhet një plan për veprim, duhet njeriu që di të nxjerrë vendin nga kriza dhe jo llafellogjia boshe dhe pa kuptim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›