E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Partitë po kopjojnë me demagogji planin tonë për veprim

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në vijim të turit elektoral, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit, ka zhvilluar dje një sërë takimesh në qytetin e Kuçovës, ku është pritur me entuziazëm nga qindra përkrahës të LSI. Fillimisht Meta zhvilloi një takim me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm në tregun e Kuçovës, ku bashkëbisedoi jo vetëm me tregtarët, por edhe me shumë qytetarë që ishin në treg për shqetësimet që kanë. Duke u interesuar për problemet dhe shqetësimet e tregtarëve, Meta i bëri apel qeverisë dhe pushtetit vendor të Kuçovës për të riparë edhe njëherë taksat që paguajnë tregtarët. Kreu i LSI-së prezantoi në mitingun ku merrnin pjesë me mijëra qytetarë të Kuçovës “Planin e Veprimit” të LSI-së. Sikurse tha vetë ai, partitë e tjera, të papërgatitura fare për këtë fushatë, po kopjojnë planin tonë të veprimit dhe pa bërë studime për nevojën e tregut, bëjnë demagogji duke premtuar vende pune. Por LSI, nëpërmjet ekspertëve vendas dhe të huaj, ka arritur të finalizojë një plan të qartë jo vetëm për të siguruar fitoren e LSI-së në këto zgjedhje, por mbi të gjitha për të nxjerrë vendin nga kriza në të cilën e ka zhytur kjo Qeveri. Meta u shpreh se Plani për Veprim është përmbledhja e programit të plotë elektoral dhe qeverisës të LSI për zgjedhjet e 28 Qershorit për katër vitet që vijnë. “Eshtë një plan konkret dhe realist, është një plan i bazuar mbi mundësitë aktuale që ka vendi ynë dhe mbi prioritetet e zhvillimit të tij”, tha Meta. Duke folur për punësimin, Kreu i LSI, u shpreh se “punësimi është çështja më e madhe që kanë të gjithë shqiptarët sot”. Në këtë drejtim ne kemi një politikë shumë konkrete. Ne do të mbështesim biznesin fason, biznesin për prodhimin e veshjeve, konfeksioneve me material porositës. Ky është biznesi që ka numrin më të madh të punëtorëve në Shqipëri, 100 mijë dhe janë kryesisht gra dhe vajza. Është biznesi që përfaqëson numrin më të madh të eksporteve drejt BE, gati 800 milionë euro dhe ta lësh në mëshirë të fatit do të thotë të lësh dhjetëra, mijëra njerëz pa punë. Para dy javësh, 11 mijë gra dhe vajza dolën nga puna, sepse 50 ndërmarrje mbyllën aktivitetin e tyre. Duke u ndalur te kostoja e jetesës që është një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve, sidomos për familjet me të ardhura më të pakta, Meta premtoi tatim 0 mbi të ardhurat për pagat deri 250 mijë lekë të vjetra.                                         a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›