Ambasadori i SHBA - “Shtyrja e zgjedhjeve, të vendosin partitë”
Ambasada amerikane në Tiranë ndërhyn në debatin politik për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Kryediplomati i Uashingtonit në vendin tonë, tha dje në një konferencë të posaçme për shtyp se ka ende probleme me pajisjen e atyre qytetarëve që nuk kanë asnjë dokument identifikimi. Por i pyetur nëse ka argumente të mjaftueshme për të shtyrë zgjedhjet, ai tha se kjo do të vendoset vetë nga forcat politike.
John Withers
Jemi pothuajse edhe një javë larg nga koha e mbylljes së procesit të aplikimit për kartat që do të përdoren në ditën e zgjedhjeve. Dhe në këto pak ditë që kanë mbetur, unë dëshiroj t’u drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë votues, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe për t’u regjistruar dhe për të votuar. Ushtrimi i demokracisë është diçka në të cilën unë kam marrë pjesë në vendin tim, por edhe që e kam dëshmuar në mbarë botën, duke përfshirë zgjedhjet e para demokratike të mbajtura në Rusi pas rënies së komunizmit, zgjedhjet e para demokratike në Nigeri, ndërsa vendi po përpiqej të linte pas diktaturën ushtarake dhe të futej drejt një periudhe demokratike, ashtu si edhe në vende të ndryshme në Azi, Afrikë dhe Evropë.
Zgjedhjet janë një moment i veçantë si për vendin, ashtu edhe për individët. Në momentin kur plotëson fletën e votimit dhe më pas e hedh në kutinë e votimit, njeriu më i fuqishëm në vend dhe njeriu më i përulur në vend janë të barabartë. Ata kanë të njëjtin ndikim dhe të njëjtin autoritet për t’i dhënë formë drejtimit të vendit dhe për t’i lëvizur gjërat drejt atij drejtimi që ata e mendojnë si më të mirin, për veten dhe vendin e tyre. Votimi nuk është thjesht një detyrë, por një moment magjik. Unë dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të inkurajuar shqiptarët që të përfshihen dhe të angazhohen në këtë proces të jashtëzakonshëm.
Me aq sa e njihni ju procesin mendoni se ka argumente të mjaftueshëm për të shtyrë datën e zgjedhjeve?
Preferenca ime është që në vend që të flas për mundësi hipotetike, të punoj shumë në mënyrë që ky proces, për të cilin është rënë dakord, të realizohet. Mendoj se kjo kërkon përpjekje të mëdha nga të gjitha palët e përfshira në proces, por edhe nga drejtuesit politikë në vend. Në pikëpamjen time, ne kemi ende përpara nesh mundësinë që gjërat të funksionojnë ashtu si janë planifikuar. Nëse do të ketë alternativa të tjera, këto duhet të zgjidhen midis drejtuesve politikë të vendit, duhet të jetë vendim i tyre. Pra, do ishte në dorën e tyre, jo tonën.
Dy ditë më parë është publikuar një raport i një OJQ-je, financuar nga ambasada amerikane, në lidhje me ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit. Qeveria shqiptare, një ditë më parë i hodhi poshtë gjetjet e këtij projekti, duke i konsideruar si të manipuluar nga opozita dhe e kundërshtoi raportin. A jeni njohur Ju me këtë raport? Pyetja e dytë është se si e vlerësoni ju shqetësimin e opozitës në lidhje me procesin e kartave të identitetit, duke qenë se kanë nisur edhe denoncimet në prokurori?
Përsa i përket OJQ-së dhe raportit që ata kanë publikuar, më lejoni të jem absolutisht i qartë. Si pjesë e përpjekjes sonë të vazhdueshme për të promovuar pluralizmin në Shqipëri, shkëmbimin e informacionit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin demokratik, ne shpesh ofrojmë financime për aktivitete të ndryshme, që ndërmerren nga pjesëmarrës të ndryshëm në proces. Kjo bëhet thjesht për t’i dhënë mundësinë këtyre grupeve për të realizuar këto aktivitete.
Ne nuk kemi përgjegjësi, madje as lidhje të mëtejshme me rezultatet që këto grupe mund të arrijnë në punën e tyre. Ndaj pyetjet që mund të keni në lidhje me rezultatet e këtij grupi apo çdo lloj grupi tjetër të kësaj natyre, duhet t’ia drejtoni atyre.
Përpara se të vazhdoj me pyetjen tuaj të dytë, lejomëni t’ju bëj unë një pyetje ju: Sa prej jush sot, mjafton të ngrini duart, kishte planifikuar të më pyeste në lidhje me kartat e identitetit?
Lejomëni të trajtoj më gjerësisht disa elementë në lidhje me kartat e identitetit dhe disa çështje të tjera. Lejomëni të filloj duke thënë se e shoh inkurajues faktin që 1.2 milionë shqiptarë kanë aplikuar për kartat e identitetit. Po përdor shifra të përafërta, sepse këto shifra, me të drejtë, ndryshojnë pothuajse çdo ditë; pra përafërsisht 1.2 milionë, për aq kohë sa po flasim, ndërkohë që ne shpresojmë se ky numër do të rritet në ditët në vijim, madje do të rritet edhe me shpejtësi të madhe. Duke parë përtej këtij zhvillimi pozitiv, unë mendoj se është e rëndësishme të trajtojmë edhe disa elementë të tjerë.
Së pari, numri i njerëzve që kanë marrë kartat e identifikimit është shumë herë më prapa në krahasim me ata që kanë aplikuar. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit që kanë aplikuar dhe që iu është dhënë e drejta për të votuar duhet të sigurohen që t’i marrin këto karta, duhet të shkojnë dhe t’i tërheqin ato. Është shumë e rëndësishme që autoritetet qeveritare të bëjnë gjithçka që është e mundur për të inkurajuar njerëzit që të marrin këto karta, qeveria duhet të sigurohet se njerëzve që iu është dhënë e drejta për të marrë një kartë, ta kenë atë në duar. Elementi i dytë ka lidhje me raportimet mbi funksionimin e qendrave administrative nëpër Shqipëri; ne jemi në kontakt me organizata ndërkombëtare, detyra dhe ekspertiza e të cilave është që të shqyrtojë dhe të vlerësojë funksionimin e këtyre qendrave. Zyrtarë nga ambasada jonë janë duke vizituar rajonet e Shqipërisë. Ne shpresojmë që në fund të këtij procesi njerëzit tanë të kenë mundësinë që të vizitojnë secilën nga 12 qarqet e vendit.
Mendoj se përshtypja jonë e përgjithshme është që gjërat po funksionojnë, por ka edhe disa probleme teknike në disa zona, sidomos në zonat rurale, të cilat duhen zgjidhur menjëherë. Në disa vende kemi mësuar se nuk ka staf të mjaftueshëm për numrin e njerëzve që duan të aplikojnë në një moment të caktuar; në disa vende ka problem me internetin dhe energjinë elektrike; në disa vende orari është i paqëndrueshëm dhe jo i rregullt, ndaj kur njerëzit shkojnë për të aplikuar nuk gjejnë njeri që t’iu shërbejë.
Nuk mund t’ju them shtrirjen e këtyre problemeve, por ka disa shembuj. Sidomos për njerëzit që jetojnë në qytete të vogla, është shumë e rëndësishme që këto probleme të zgjidhen dhe atyre t’u jepet mundësia për të aplikuar për kartat e identitetit.
Elementi i tretë është ai që ka ngjallur edhe më shumë debate politike, i cili ka të bëjë me njerëzit, të cilët nuk kanë një kartë identiteti, por as pasaportë.
Këto janë njerëzit që janë më shumë në rrezik për t’iu mohuar mundësia për të votuar. Ky është një shqetësim me rëndësi kritike, sepse një nga kërkesat kryesore të standardeve ndërkombëtare që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme, është e drejta universale e qytetarëve për të votuar – pra kushdo që dëshiron të votojë duhet të ketë mundësinë për të votuar dhe asnjë pengesë nuk duhet të ndalojë këtë person nga kjo e drejtë.
Problemi që unë shoh është se ende është e paqartë se sa njerëz mund të futen në këtë kategori, bazuar në informacionin që na është dhënë. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë qartësi në këtë situatë. Mund të fillohet duke ditur se sa është numri i qytetarëve për të cilët po flasim dhe si rrjedhim të inkurajohen njerëzit që të votojnë, të sigurohet se ata kanë mundësinë e votës, të sigurohet se ata mund të identifikohen nga qendrat administrative në mënyrë që këto çështje të zgjidhen dhe Shqipëria të ketë mundësinë të ofrojë standardin universal të së drejtës për të votuar, e cila është shumë e rëndësishme për këto zgjedhje.
Unë kam qenë në kontakt, ashtu si edhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë, me zyrtarë të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, për të nxitur që informacioni, i cili mund të ofrohet në mënyrë të ligjshme, që do mund të qartësonte dhe zgjidhte këto çështje, t’i ofrohet KQZ-së dhe trupave vendase dhe ndërkombëtare që kanë interes legjitim në këtë proces.
Shpresoj që kjo të trajtohet si një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, që këto çështje të zgjidhen si përsa i përket natyrës logjistike, ashtu edhe përsa i përket debatit politik të lidhur me të, në mënyrë që procesi i regjistrimit të votuesve të vazhdojë me shpejtësi dhe në mënyrë të barabartë. Ishte një përgjigje e gjatë për pyetjen tuaj, por besoj se ishte një çështje që ju të gjithë donit ta ngrinit.
Pas kësaj përgjigje të gjatë, a shihni shqetësues debatin mes forcave politike, debat që mund të çojë në një pamundësi për të gjetur një zgjidhje?
Unë mendoj se iu përgjigja kësaj pyetje, por më lejoni që ta ripërsëris, pasi dëshiroj të jem sa më i qartë që të jetë e mundur.
Forcat e ndryshme politike realizuan atë plan që ne kemi sot përpara nesh. Mendoj se duhet të ndërmerret çdo përpjekje e mundshme që ky plan të funksionojë dhe të realizohet. Sepse ishte një plan i arritur mes forcave politike. Nëse do të ketë ndryshim në atë plan për të cilin është rënë dakord, kjo nuk është diçka që i përket qeverisë amerikane apo ambasadës amerikane. Këto ndryshime duhet të realizohen me marrëveshje midis drejtuesve politikë shqiptarë.
KiE: Qeveria përgjegjëse për kartat e identitetit
Qeveria është përgjegjësja kryesore për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Delegacioni paraelektoral i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka dalë me një deklaratë për shtyp në përfundim të takimeve me zyrtarët e lartë të vendit. “Qeveria ka përgjegjësinë kryesore në pajisjen e qytetarëve me karta, por ne shpresojmë që dhe partitë politike, sidomos ato të opozitës të mos bëjnë thjesht një lojë politike, por të jenë edhe ato pozitive në gjithë këtë proces, duke inkurajuar njerëzit të marrin kartat, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë demokratik”, tha kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker në përfundim të një takimi me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Por në të njëjtën kohë ajo shtoi se, “opozita të mos bëjë lojë politike për kartat e identitetit, por të inkurajojë njerëzit të pajisen me to”. Gjithashtu Jonker shtoi se qeveria duhet të jetë shumë transparente për të gjitha informacionet që kërkohen. “Qeveria ka përgjegjësinë që çdo person që do të votojë të ketë mundësinë të aplikojë dhe të marrë kartën e identitetit. E vërteta është se jo të gjithë personat që nuk kanë pasaportë kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe po ashtu, edhe ata që kanë pasur mundësinë të aplikojnë, nuk do të thotë që e kanë tashmë kartën e identitetit”, tha parlamentarja europiane. Sipas Jonker, tashmë që kanë mbetur vetëm tri javë deri në ditën e zgjedhjeve, përgjegjësia e qeverisë është shumë e madhe që gjithë personat që duan të votojnë, të kenë kartë. E pyetur për idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, kryesuesja e delegacionit të KE-së tha se, “kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij”. Gjatë ditës së djeshme delegacioni i Këshillit të Evropës ka zhvilluar takime me kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Kreu i qeverisë ka theksuar gjatë këtij takimi se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar plotësisht për të gjithë shtetasit pa pasaporta që të pajisen me letërnjoftim, kundrejt jo më shumë se 200 lekësh, në rast se aplikojnë para zgjedhjeve parlamentare. Si rrjedhojë, sipas tij, kanë aplikuar rreth 1.250.000 shtetas, prej të cilëve rreth 750.000 i kanë marrë tashmë letërnjoftimet, ndërkohë që ritmi i aplikimeve dhe shpërndarjes së dokumenteve vjen gjithnjë në rritje. “Kryeministri konstatoi se përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë që shtetasit të pajisen me letërnjoftim, opozita ka dhënë pa sukses mesazhe shkurajuese që nuk kanë mundur të cenojnë suksesin e procesit dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin e tyre kushtetues”, thuhet në njoftimin për shtyp në përfundim të këtij takimi.
Zgjedhjet, si mund të shtyhen
Aristir Lumezi
Kostitucionalistët e njohur Theodhori Sollaku, Luan Omari dhe Aurela Anastasi japin opinionet e tyre në lidhje me debatin për shtyrjen e zgjedhjeve. Luan Omari, duke iu referuar Kushtetutës, shprehet i prerë se zhvillimi i zgjedhjeve përtej datës 28 qershor kërkon ndryshime kushtetuese. “E vetmja rrugë me të cilën mund të shtyhen zgjedhjet janë përmes ndryshimit në Kushtetutë. Ndryshe kjo nuk bëhet me ligj të zakonshëm, as me ndryshimin e kodit zgjedhor”, u shpreh dje për gazetën “Panorama”, juristi i njohur Luan Omari. Sipas tij, Kushtetuta e ka të qartë që mandati i Kuvendit është katër vjet, pra zgjedhjet bëhen çdo katër vjet, që do të thotë se shtyrja e zgjedhjeve bëhet vetëm me një ndryshim në ligjin themeltar të vendit. Por ai shprehet se kjo do të kërkonte 93 vota në Parlament, gjë që duhet të vijë pas një akordi mes partive politike për këtë çështje. Ndërsa për juristen e njohur, Aurela Anastasi, shtyrja e datës së zgjedhjeve hap debat nëse kërkohet ndërhyrje në Kodin zgjedhor apo në Kushtetutë. Sipas saj, nëse shtyrja e datës do të bëhet brenda mandatit të këtij Parlamenti, pra brenda datës 3 shtator 2009, ndërhyrja duhet bërë vetëm në Kodin zgjedhor. Ndërsa zonja Anastasi mendon se nëse zgjedhjet duhen shtyrë përtej mandatit të Kuvendit, atëherë duhet të ndërhyhet në Kushtetutë. Por në të dyja rastet, sipas saj, kërkohet konsensus mes forcave politike për të arritur numrat e nevojshëm dhe afatet e pranueshme për të bërë të mundur realizimin e zgjedhjeve. Ish prokurori i Përgjithshëm, juristi i njohur Theodhori Sollaku u shpreh dje se për shtyrjen e datës së zgjedhjeve mund të amendohet Kodi Zgjedhor, ndërsa data e zgjedhjeve nuk duhet të jetë përtej mandatit të Kuvendit. “Nisur nga formulimet kushtetuese dhe ligjore mund të nxirret konkluzioni se shtyrja e datës së zgjedhjeve mund të bëhet vetëm nëse amendohet Kodi Zgjedhor në nenin që përcakton periudhat zgjedhore, por gjithsesi zgjedhjet me këtë ndryshim nuk mund të bëhen tej fundit të gushtit a fillimit të shtatorit”, u shpreh Sollaku. Dy ditë më parë, Partia Socialiste përmes sekretarit të saj ligjor Fatmir Xhafaj, nuk e përjashtoi opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajisjes të të gjithë votuesve me karta identiteti.
Kushtetuta
Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
Xhufi: Shtyrja e zgjedhjeve, opsion i rrezikshëm
Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi e cilësoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve një opsion të rrezikshëm për vendin, duke e futur në një krizë ekonomike dhe politike. “Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm madje një opsion të rrezikshëm, sepse do të zgjaste dhe do të rëndonte akoma më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri. Gjithashtu duam të kujtojmë që kjo zgjidhje duhet të bëhet urgjent këto ditë për arsye sepse ashtu siç u theksua në raportin e Komitetit Amerikan të Helsinkit një zgjidhje që do të bëhej nesër, qoftë edhe një zgjidhje e mirë nuk do të evitonte që zgjedhjet tona të konsideroheshin zgjedhje të cenuara”, tha Xhufi. Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje Partisë Demokratike por edhe Partisë Socialiste të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshme. “Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë me 28 Qershor. LSI është e gatshme të marrë pjesë edhe ajo për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjes në fjalë”, tha Xhufi. Duke komentuar deklaratën e Komitetit Amerikan të Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri, nënkryetari i LSI-së tha se ky reagim është provë e shqetësimit të SHBA se “zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të jenë një pikë shumë e dobët e demokracisë shqiptare”.
Anastasi: Ndryshime në Kod
Debati në këtë rast është nëse duhet të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor apo në Kushtetutë. Nuk ka ndonjë parashikim që të lejojë ndërhyrje për shtyrje zgjedhjesh. Nëse zgjedhjet do të shtyhen nga data e caktuar, tashmë 28 qershori, por jo përtej mandatit të parlamentit aktual, jam e mendimit se kjo mund të rregullohet me një ndërhyrje, një dispozite ligjore kalimtare vetëm për këto zgjedhje në Kodin Zgjedhor. Jam e mendimit se nëse kjo shtyrje do të dalë përtej mandatit të Kuvendit, që është përtej muajit shtator 2009, atëherë ky rregullim do të ishte vetëm kushtetues. Mbi të gjitha kërkohet konsensus mes faktorëve politikë për të arritur në një zgjidhje të tillë.
Omari: Dispozitë kalimtare në Kushtetutë
E vetmja rrugë me të cilën mund të shtyhen zgjedhjet janë përmes ndryshimit në Kushtetutë. Ndryshe kjo nuk bëhet me ligj të zakonshëm, as me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kushtetuta e ka të qartë që mandati i Kuvendit është katër vjet, pra zgjedhjet bëhen çdo katër vjet, që do të thotë se vetëm me një ndryshim në ligjin themeltar të vendit. Parlamenti nuk është shpërndarë dhe si i tillë mund të mblidhet, pasi ai e ka mandatin deri në mbledhjen e parë të Parlamentit të ardhshëm. Ai vërtetë e mbaroi mandatin, por ai është i ngrirë, mund të rimblidhet për arsye të veçanta. Por që të mblidhet Parlamenti duhet që partitë të bien dakord sepse kërkon 93 vota, pra 2/3 dhe të bëjë një dispozitë tranzitore pa prekur Kushtetutën, pasi duhet të mbetet parimi që zgjedhjet të bëhen çdo katër vjet.
Sollaku: Duhen ndryshime në Kodin Zgjedhor
Sipas Kushtetutës, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Sipas kodit, periudhat zgjedhore janë dy, e para shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, kurse e dyta nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Këto formulime kushtetuese dhe ligjore mund të nxirret konkluzioni se shtyrja e datës së zgjedhjeve mund të bëhet vetëm nëse amendohet Kodi Zgjedhor në nenin që përcakton periudhat zgjedhore, por gjithsesi zgjedhjet me këtë ndryshim nuk mund të bëhen tej fundit të gushtit a fillimit të shtatorit. Ndërsa përtej këtij momenti, kërkohet domosdo ndryshim i Kushtetutës.