E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha, deputet në opozitë

 

Elbasan/Aldo Kozare

“Për mua politika nuk është luftë për pushtet personal, siç bën Sali Berisha”. Kryetari socialist Edi Rama prezantoi dje përmes një mitingu të gjerë në Elbasan, kandidatët për deputetë të këtij qarku për zgjedhjet e 28 qershorit. Edhe në këtë qytet, mitingu u zhvillua në një shesh simbolik, sheshi “Demokracia”, përpara stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, aty nga nisën lëvizjet demokratike në këtë qytet në vitin 1991. Edhe dje Rama i është përgjigjur Kryeministrit Berisha lidhur me moskandidimin e tij në listën e PS-së. “Unë jam sot këtu me ju që të sfidoj politikën e vjetër dhe të hap një faqe të re, ku së bashku ta shkruajmë historinë tonë të re të Shqipërisë. Sali Berisha më kërkon me insistim që ta lë Bashkinë e Tiranës dhe të hyj në listën e deputetëve, siç ka bërë ai vetë për të siguruar një karrige deputeti. Por unë vendin e parë në Qarkun e Tiranës ia kam lënë Vasilika Hysit, një zonjë e nderuar, një nënë shembullore që bashkë me shumë gra të tjera që janë në listën e partisë tonë do të çojnë përpara politikën e re. Për mua politika nuk është luftë për pushtet personal, siç bën Sali Berisha. Karrigia e deputetit i duhet Berishës që të ulet pas 28 qershorit si opozitar, por mua më duhet një mandat për të ndryshuar Shqipërinë dhe për të bërë një Shqipëri si gjithë Evropa. Unë nuk do jem një Kryeministër si Sali Berisha, unë do të jem një Kryeministër shumë ndryshe”, u shpreh Rama. Duke u kërkuar votën elbasanasve më 28 qershor, Rama tha se “edhe 23 ditë na mbeten nga ndarja me politikën e vjetër, edhe 23 ditë na mbetet për t’i dhënë fuqinë e duhur Elbasanit që ai të zhvillohet me shpejtësinë e ëndrrave. Për t’u rrethuar nga fusha, ku toka mbetet e djerrë dhe prodhimi asnjëherë i sigurt”. Duke ironizuar Kryeministrin Berisha, Edi Rama tha se “nuk do të jem në krye të qeverisë për fjalime çdo javë, siç bën Berisha, as për të treguar se duhet të jemi të lumtur se familja ime bleu Shqipërinë me një euro, as për t’ju thënë se duhet të jeni krenar për tunelet që krenohet Berisha”. Kreu socialist i kërkoi qytetarëve të Elbasanit të votojnë listën e deputetëve të Partisë Socialiste dhe jo individë të veçantë. “Ju do të votoni për një parti që ju vjen sot përpara jush me njerëz që janë mishërimi i hapësirës sonë të re politike. Kam ardhur për t’ju thënë se pas 23 ditësh, ju do të keni një fletë votimi me emra partish, të njohur dhe të stërnjohur, dhe t’ju them se Partia Socialiste ka në përbërje të saj emra që meritojnë të votohen dhe kërkojnë mbështetjen tuaj”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›