Të zgjedhim mes Tom Ndrecës dhe Komisionit të Venecias?
Çfarëdo vendimi të japë Kolegji Zgjedhor për Tiranën, ai do të jetë i paragjykuar dhe i mosbesuar nga palët. Ndërkombëtarët kanë përmendur Komisionin e Venecias, si një mënyrë për të zgjidhur sherrin, Rama pranon dhe e kërkon një gjë të tillë, Berisha e refuzon. Çfarë është ky Komision që e përmendin shumë dhe publiku e njeh pak. Një jurist shqiptar në kushtet e anonimatit, thotë se ka vetëm një dilemë përpara klasës politike në vend: të zgjedhë mes Tom Ndrecës dhe Komisionit të Venecias. Një histori e shkurtër për shtëpinë e etërve të jurisprudencës evropiane që e pranojnë në 57 vende të botës, por refuzojnë ta ftojnë në Shqipëri. Nuk e bën as Presidenti Topi
Nga: Lorenc Vangjeli, MAPO
Ai konsiderohet një nga juristët më të aftë shqiptarë. Pranon të komentojë për MAPO situatën e leshnajës juridike të krijuar në Shqipëri, me kushtin që të mos citohet. Nuk afron gjykimin e tij si jurist, nuk endet në interpretimin e Kodit Zgjedhor dhe të neneve të tij, por tregon se në çdo rast, tensioni i krijuar në Tiranë për shkak të vendimeve të diskutueshme të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, mund të jetë vetëm një hap larg shuarjes përfundimtare. Duke zgjidhur një dilemë që duhet ta zgjidhë klasa politike shqiptare: të pranojë si arbitër Tom Ndrecën apo Gianni Buquicchio. I pari është bërë shumë i njohur si relatori i Kolegjit Zgjedhor në padinë e parë të Partisë Socialiste, i dyti, pothuaj krejt i panjohur në Shqipëri, është kryetar i Komisionit të Venecias.
Juristi shqiptar, refuzon më tej të hyjë në të gjitha polemikat e modës që të njëjtin nen të Kodit e lexojnë në mënyra të ndryshme. Për të, ka vetëm një rrugë: ajo të çon në Komisionin e Venecias, për shkak të ekspertizës së kualifikuar që mund të japë, për shkak të besueshmërisë së lartë që afron për të gjithë.
Tirana vetë nuk mundet
Ka megjithatë një zgjidhje. Vetëm me një kusht: që të gjithë të duan vërtet që të ketë zgjidhje. Kriza e rëndë politike në vend që po rritet në mënyrë dramatike në Shqipëri mbas zgjedhjeve të 8 majit, është para së gjithash, krizë e besimit mes dy palëve që e konsiderojnë njëra-tjetrën armike. Mungon besimi reciprok, mungon dhe besimi tek arbitri vendas, qoftë ky në selinë e KQZ-së së Ristanit, qoftë nën togën e zezë të Tom Ndrecës. I pari një ish-gjykatës që ka provuar edhe qelinë e burgut dhe i dyti një ish-rapsod me çifteli diku në veri të vendit, janë dy figura që nuk mund të krijojnë besim se mund të mbajnë shpatën në dorë me sy të mbyllur. Si gjithmonë, si shumë shpesh, aty ku shqiptarët bëjnë çorbën e hidhur të sherrit elektoral apo të çfarëdolloj sherri tjetër, kërkohet ndërhyrja e të huajve.
Janë mjetet? Po! Ekziston adresa? Sigurisht! Eshtë e mundur të gjendet një zgjidhje paqtuese? Patjetër! Që prej më shumë se një muaji, në një rrebesh deklaratash të politikës parandaluese, nga Uashingtoni dhe Brukseli, por dhe nga gjysma e Tiranës, adresa e ka një drejtim, Komisioni i Venecias. Fillimisht u tha me gjuhën e Ezopit: do të ishim të gatshëm të afronim këshillë të huaj nëse do të na kërkohej, më pas kur zullumi nisi të trashet dhe nervat politike në Tiranë dhe ndaj Tiranës po holloheshin si tel, u përmend pikërisht Komisioni i Venecias. Si një arbitër mbi palët, pikërisht për një nga qëllimet për të cilët edhe është krijuar ky institucion i të drejtës dhe gjykimit për të drejtën. Komisioni i Venecias, pranimi apo refuzimi i tij tashmë është bërë një kufi i qartë dhe i dallueshëm mes palëve që ndahen në pjesën kritike: kush kërkon zgjidhjen e krizës dhe kush kërkon të përfitojë nga kriza. Nga njëra anë është Partia Socialiste që me dëshpërimin e të grabiturit, është e gatshme që të gjykohet nga një trupë e huaj arbitrash dhe nga ana tjetër, Partia Demokratike që e refuzon një histori të tillë. Dua të testoj institucionet e vendit, citohet të ketë thënë kryeministri Berisha, që e refuzon një mundësi të tillë dhe që i beson Tom Ndrecës dhe jo Gianni Buquicchios. Dhe meqë ra fjala, Gianni Buquicchio është kryetar i Komisionit të Venecias. I dekoruar edhe nga shteti shqiptar në vitin 2003, i dekoruar me medaljet më të larta nga Federata Ruse, Kalorës i Legjionit të Nderit për Francën, i mirënjohur me dekorata nga Italia, Lituania, Hungaria, Armenia, Moldavia, Austria e Rumania. Eshtë profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe një nga juristët më të njohur evropianë. Tani, përpara politikës shqiptare është pikërisht kjo dilemë zgjedhjeje: Ndreca apo institucioni evropian i Buquicchios. Një dilemë që mund ta zgjidhë edhe Presidenti i Republikës, me të vetmin mjet legal që ka në dorë për të mos vazhduar të flasë me heshtje, siç pranon të thotë vetë. Zoti Topi ja ka refuzuar vetes ta bëjë një gjë të tillë, ndonëse ky hap, thirrja për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias për shuarjen e sherrit elektoral, është hapi më llogjik dhe më i lehtë për t´u realizuar. Frika presidenciale për të ndërhyrë në një proces të tillë mund të ketë shumë arsye, por është për momentin, ajo çfarë e mban krejt jashtë loje Presidentin në të gjitha skemat e mundshme të lojërave politike në Tiranë.
Çfarë është Komisioni i Venecias?
Flitet shumë për këtë institucion evropian, por pakkush e ka idenë se çfarë është ai në të vërtetë dhe çfarë roli ka luajtur në Shqipëri. Ai është krijuar në maj 1990, kur bota ishte duke dalë nga Lufta e Ftohtë dhe Evropa e ndarë, kërkonte të bashkohej në një set të përbashkët rregullash juridike. Komisioni u krijua si një organ konsultativ i Këshillit të Evropës, me një rol të përcaktuar qartë në adoptimin e kushtetutave të vendeve të Evropës Lindore sipas standarteve evropiane dhe për të asistuar nga pikpamja juridike në tranzicionin e demokracisë, si një shkallë e reflektimit të pavarur juridik, por të pranuar nga të gjithë. Me një rol thelbësor në parandalimin e konflikteve dhe trajtimin e tyre. Një lloj gjykate supreme që tregon një të vërtetë që mund ta pranojnë të gjithë, por që nuk detyron askënd që ta zbatojnë. Një lloj force e mendimit dhe një transferim i vendimmarrjeve në mendje më të mençura dhe më të ftohta.
Në fillim, Komisioni i Venecias ishte një marrëveshje mes 18 anëtarëve të Këshillit të Evropës, 12 vjet më pas, kjo histori suksesi u zgjerua dhe me anëtarë apo vëzhgues nga 57 vende të tjera në katër kontinente.
Cilët janë anëtarët e saj?
Janë ata që konsiderohen si etër të mendimit juridik evropian. Kryetar i saj është italiani Gianni Buquicchio, që e ka marrë këtë post që në dhjetor 2009. Dy ndihmësit e tij janë norvegjezi Jan Erik Helgesen dhe Thomas Markert. Me ta, anëtarë të Komisionit janë profesorë universitarë të të drejtës kushtetuese, të të drejtës ndërkombëtare, anëtarë të gjykatave të larta të vendeve të ndryshme apo të gjykatave kushtetuese si dhe parlamentarë. Fusha e veprimit të tyre është demokracia, të drejtat njerëzore dhe ruajtja e promovimi i të drejtës, që përfshijnë dhe tre pikat e parimet që kushtëzojnë veprimtarinë e Komisionit. Komisioni asiston vende të veçanta me këshilla, të cilat nuk janë të detyrueshme për t´u ndjekur dhe vihet në lëvizje me kërkesë të vetë vendeve që janë në hall. Afron këshillë, por nuk imponon ndjekjen e saj. Përpara se të shpallin vendimmarrjen e tyre, projekti miratohet nga seanca plenare e komisionit. Në praktikën e punës së Komisionit, palët që kërkojnë këshillë prej tij, ndodh që thirren për të dhënë shpjegime për qëndrimet pro dhe kundër, madje kanë të drejtën për të diskutuar dhe në seancë plenare.
Që ata të vihen në lëvizje, nevojitet një kërkesë e të gjitha palëve të përfshira në mosmarrëveshje. Në rastin e Shqipërisë dhe zgjedhjeve të saj, ato janë PD dhe PS. E ka këtë mundësi edhe