E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te zhdukurit ne Bruksel ceshtja ne tryezen Kosove-Serbi

Çështja e personave të zhdukur për herë të parë është diskutuar mes palës kosovare dhe serbe në rrethin e katërt të bisedimeve në Bruksel. Prenk Gjetaj, Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit tha se në takimin e mbajtur në Bruksel, pala kosovare ka paraqitur kërkesat fillestare.

“Deri tani janë zhvilluar takime, më saktë, bisedime në nivel me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe tani do të shohim a do të vazhdohet ende me të. Kjo çështje është hapur  në dialogun teknik me palën serbe dhe kërkesat tona në mbledhjen e fundit janë prezantuar. Ne kemi hartuar edhe një platformë që e kemi prezantuar në Bruksel dhe tani do të shohim në takimet e radhës se si do të zhvillohet kjo çështje”-tha Gjetaj.

Këshilltarja politike e zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, Arieta Rexhaj pohon se qeveria e Kosovës nuk posedon infrastrukturën e nevojshme për zgjidhjen e fati të pagjeturve.
 
“Është shtruar çështja se ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për zgjedhjen e kësaj çështje, por prapë edhe këtu është kërkuar  ndërmjetësuese BE-ja dhe ajo ka marrë përsipër, kuptohet bashkë me qeverinë e Kosovës që këtë proces ta shtyjë përpara”-shprehet Rexhaj.

Kërkesat kryesore të delegacionit të Kosovës, parashtruar palës serbe sa i përket çështjes së personave të zhdukur janë: Fuqizimi  i procesit me ndërmjetësimin e BE-së, angazhim më i madh i dy qeverive, dhe qasje ne vendndodhjen e varrezave masive e në të dhënat e ushtrisë. Në kosovë janë ende 1818 persona të shpallur të zhdukur.

Sala Mustafa
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›