E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria turistike? Berisha firmos depozita karburantesh nga Durrësi në Vlorë

Share

Berisha nuk lejoi skafet sepse premtoi që Vlora do ishte më e bukura e Mesdheut para pak ditësh, por tani u thotë vlonjatëve se globalizimi i ka edhe këto gjëra

Ndërsa flet gjithë kohës për Shqipërinë si më të bukurën e botës, kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit firmosi disa vendime për depozita hidrokarburesh në Durrës si dhe projektin për parkun industrial në Vlorë. Berisha po ashtu zgjati lejen për Petroliferën në Gjirin e Vlorës. Fillimisht Berisha firmosi për një projekt në zonën e Porto Romanos, që njihet gjerësisht si zonën nën influencën e të bijës dhe sekserit serbo- boshnjak, Damir Fazlliç. Berisha miratoi vendimin për leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Depozitat Bregdetare Hidrokarbure (benzinë , gazoil dhe solar) me sipërfaqe 7000 m2 dhe kapacitet 12200 m3, në fshatin Rinia Porto Romano, komuna Katund i Ri, qarku Durrës.

Më pas u miratua vendimi studimin urbanistik pjesor, Parku Industrial, Vlorë, me sipërfaqe 12434 ha, fusha e Jallisë, Nartë, Vlorë.

Berisha u tha vlonjatëve se vërtet ata duan ta bëjnë Vlorën më të bukurën e Mesdheut, por globalizmi i ka edhe këto. Është një model që shpresoj të frymëzoje biznesmenët, industrialistët e qyteteve të tjera të vendit pasi punësimi i qytetarëve, prodhimi dhe rritja e tij janë dhe mbeten dy objektivat më kryesore në zhvillimin e një vendi. Parku industrial i Vlorës do të jete një gjenerator që krijon mijëra dhe mijëra vende pune, rrit në mënyrë cilësore potencialin dhe peshën e Vlorës në prodhimin e brendshëm të vendit, i shtohet kapaciteteve ekzistuese. Ju e dini që këtë vit ka një debat të gjatë për të shpallur Vlorën, Gjirin më të bukur të Mesdheut. Ne e duam boll këtë vend, por problemi është se  nganjëherë duhet të marrim frymëzim nga të tjerët, në vend që ti frymëzojmë ne ata. Por në këtë botë globale pranohen të gjitha. Ndaj dhe u përgëzoj për këtë projekt të mrekullueshëm, uroj që të fillojmë sa më shpejt dhe ju garantoj se qeveria do tu mbështesë ju në të gjithë ndërtimin e një infrastrukture të merituar, tha Berisha.

Më pas Berisha vendosi edhe zgjatjen e afatit të lejes ekzistuese të ndërtimit për terminalin bregdetar dhe infrastrukturën përkatëse portuale për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Gjrin e Vlorës për shoqërinë La Petrolifera Italo-Albaneze për 60 muaj të tjerë.

Kompania Petrolifera ka bërë një investim të shkëlqyer dhe ka vendosur një standard ndër më të mirët në administrimin e naftës dhe gazit dhe marrëveshja me qeverinë është rezultat i negociatave serioze që janë bërë me këtë kompani. Unë ju ftoj ju të zgjasim afatin edhe disa keqkuptime nga ana e kompanive të importit të hidrokarbureve kanë ekzistuar. Kompania ka qenë gjithnjë e hapur që ato të investojnë kundrejt rregullave të qarta ose të autorizojnë kompaninë për të shtuar depozitat kundrejt rregullave të qarta tregtare. Gradualisht këto koncepte po kristalizohen edhe në qëndrimet e kompanive të tjera, prandaj është e nevojshme të japim edhe një afat të ri, një afat 60 mujor për investime, natyrisht në përputhje me kërkesat e tregut, sepse investime jashtë kërkesave të tregut do te jetë e pakëshillueshme, tha Berisha.

Në fund Berisha vendosi për të dhënë sërish një leje ndërtimi për depozitat bregdetare import- eksport të nënprodukteve të naftës në zonën energjetike dhe Industriale të Porto Romanos, Durrës.

Për vendimin në fjalë, kryeministri u shpreh: Ajo që është specifike ne depozitat e naftës, gazit dhe solarit është se këto ndërtohen me konsensus të plotë të qeverisë dhe të opozitës. Për faktin se kryetari i opozitës vuan nga fobia e HEC-ve ndaj dhe ju lutem shumë, sidomos atij të HEC të Martaneshit, të ma nxjerre njëherë në Kaptinë të Martaneshit për ta inauguruar që ti dalë pak nga pak, frika nga koncesionet dhe HEC-t, pasi do të ketë një seri inaugurimesh tani.

Ky është një investim shumë i mirë që rrit kapacitetet e portit energjetik, i cili po bëhet gjithnjë e më i njohur dhe do të shndërrohet në një port të vërtetë rajonal.

Gjatë kësaj mbledhje u miratuan edhe dy leje për një hidrocentral në Martanesh dhe një në Valbonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›