E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Mitrovicës: Të ruhet integriteti i vendit

Deklarata Zgjedhjet lokale serbe cilësohen si ilegale dhe të një shteti tjetër

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka mbajtur dje një mbledhje të jashtëzakonshme, ku është debatuar për situatën politike dhe të sigurisë në veri të Mitrovicës. Në debat është përshkruar situata pas ngjarjeve të fundit në veri, në këtë komunë, si pasojë e organizimit të zgjedhjeve ilegale në territorin e Kosovës nga ana e shtetit fqinj, Serbisë. Bazuar në situatën e krijuar edhe pas vizitave të paparalajmëruara dhe të papenguara të krerëve të partive nacionaliste serbe, të shoqëruara nga eskorta të armatosura, me thirrjet e tyre për konflikte ndëretnike dhe pastrim etnik Kuvendi ka nxjerrë një deklaratë politike ku kërkohet nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, veçmas nga Qeveria e Kosovës, të shtojnë përkushtimin për zbatimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, me theks të veçantë në Komunën e Mitrovicës. Në deklaratën politike kërkohet që institucionet të ndalojnë hyrjen në Kosovë të personaliteteve politike dhe individëve të armatosur nga shtetet fqinje, të cilat bëjnë thirrje për pastrim etnik dhe nxisin konflikte ndëretnike në veriun e Kosovës. Por qytetarëve serbë, banorë të Komunës së Mitrovicës, u apelohet që të mos dalin në votimet jolegjitime të organizuara nga Serbia dhe i inkurajojnë ata për integrim sa më të shpejtë në institucionet e Kosovës. Për qytetarët shqiptarë, në pjesën jugore, kërkohet që të mos bien pre e provokimeve të ekstremistëve apo individëve të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›