Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit josh publikun e së ardhmes
Net emocionuese në opera, me perla nga krijimtaria e autorëve shqiptarë dhe të huaj Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të vijojë me kalendarin artistik, duke ngjitur në skenë shfaqje dhe koncerte të ndryshme artistike. Nën kujdesin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, në TKOB do të vihet në skenë një opera enkas për të rinjtë dhe të vegjlit. Pas suksesit që pati baleti Arrëthyesi do të rikthehet për publikun kryeqytetas dhe dy net të tjera në skenë, për të përcjellë edhe njëherë gjithë magjinë e tij. Një pasdite koreografike e
kompanive të minibaletit Të vegjlit për të vegjlit do të ngjitet në skenë në datën19 janar. Më pas për publikun do të vijë dhe koncerti i titulluar Gjerdani i perlave popullore me artistët me të mirë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe folkloristë të vegjël, i cili do të shfaqet më 20 janar. Ndërsa në 22 janar rikthehet novela koreografike rinore Tirana by night. Mbrëmja gala e 24 janarit do të mbledhë bashkë solistët më të njohur të TKOB për të dhënë një koncert me ariet dhe duetet me të famshme. Pas suksesit që pati baleti Arrëthyesi do të rikthehet për publikun kryeqytetas në datat 16 dhe 17 janar. Nën koreografinë e mjeshtrit Ilir Kerni, ky balet do të ringjitet edhe një herë në skenë për të përcjellë gjithë magjinë e tij. Vepra më popullore e Çajkovskit, baleti Arrëthyesi, i cili erdhi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte një tjetër sukses në skenën operistike. I konsideruar si një prej baleteve më të suksesshëm sot në të gjithë botën, dhe për publikun shqiptar ai rezultoi një shfaqje e suksesshme. Me skenografi të kroatit Zorz Drausnik, kostumet nga Elva Bella dhe dirigjent Petrika Afezolli, baleti solli disa net emocionuese në skenën e TKOB. Në këtë premierë, spikatën dhe shumë balerinë të rinj, të cilët me interpretimet e tyre sollën momente të mrekullueshme në skenë. Vepra, e cila erdhi për publikun në datat 13, 16,17, 18 dhe 19 dhjetor, nata e fundit e baletit Arrëthyesi ishte dita e solidaritetit artistik me fëmijët, që meritojnë përkrahjen e shoqërisë, ata të cilët kanë njohur humbjen e të dashurve të tyre në krye të detyrës, ata të cilët të penguar nga vështirësitë ekonomike nuk kanë njohur ditë të gëzuara, ata të cilët kanë përjetuar dhe përjetojnë braktisjen në moshë të njomë si dhe të gjithë ata që kanë nevojë të ndjejnë dorën e ngrohtë të ndjenjave miqësore dhe prindërore. Në këtë natë artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit i dhuruan kënaqësinë e artit të tyre për t'u kthyer këtyre fëmijëve buzëqeshjen e ditëve të festës. Këta fëmijë në gjirin e artistëve u ndjenë zotër të sallës më prestigjioze të vendit dhe midis një publiku të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizmave të lartë qeveritarë dhe joqeveritarë. Ashtu si personazhi i baletit të magjishëm të Çajkovskit - Droselmejer i dhuron Klarës së vogël kukullën e Arrëthyesit, ashtu dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u dhuroi atyre shfaqjen që në gjithë botën këto ditë është simbol i dashurisë njerëzore dhe i ndjenjave më të mira për fëmijët që janë e ardhmja e çdo shoqërie. Koreografi Ilir Kerni u shoqërua në skenë dhe nga balerinë të tjerë të njohur si Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi, etj. Ndërkohë që Tirana by night, është konsideruar si një novelë nga tranzicioni e koreografit Arjan Sukniqi, me kompozim të Ermir Dergjinit. Tirana by night është një formë e re baleti, ku të rinjtë, do të ngjiten në skenë duke sjellë një performancë ndryshe nga ato që kemi parë deri tani. Me anë të kësaj shfaqjeje do të përcillet vizioni i të rinjve, se si sillen brenda një nate në kryeqytet. Ndërkohë që pas suksesit që pati në skenën e TKOB baleti Gjenerali i ushtrisë së vdekur një vepër shqiptare, e cila u konsiderua si vepra që tronditi skenën, sërish në këtë institucion vijojnë të vihen në skenën e tij pjesë apo vepra nga krijimtaria më e mirë e autorëve shqiptarë, ku pjesë e tyre është dhe kompozitori Ermir Dergjini. Në skenën e operës edhe gjatë këtij sezoni do të vijojnë të prezantohen vepra të tilla, për të përcjellë me anë të kulturës shqiptare emocione që vetëm me anë të kësaj krijimtarie arrin ti marrësh. Koreografia e Arjan Sukniqit, i cili është cilësuar si një prej emrave që kërkon gjithmonë të renë do të sjellë një mbrëmje të veçantë në skenën e TKOB. Kjo vepër që ka një gjuhë rinore do të jetë një vepër e bukur, ku dhe mesazhi i saj do të jetë i veshur me estetikën e një vepre të vërtetë artistike.Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Premte, 15 Janar 2010 19:59